Nga Kristjan Pashollari6 Maj 2024 4.2k
Fe

Hz. Ejubi a.s. Si duhet t’i kalojë sprovat dhe provimet një besimtar?

Hz. Ejubi a.s. Si duhet t’i kalojë sprovat dhe provimet një besimtar?

Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

وَأَيُّوبَ إِذْ نَادَىٰ رَبَّهُ أَنِّي مَسَّنِيَ الضُّرُّ وَأَنْتَ أَرْحَمُ الرَّاحِمِين

“Kujto edhe Ejjubin a.s. kur ai i thirri Zotit të Tij: Vërtet që më ka kapur mjerimi dhe Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve”.[1]

Duaja e Ejjubit a.s., kampioni i durimtarëve, është edhe e mirëprovuar, edhe e efektshme. Edhe ne duhet të marrim nga drita e këtij vërseti dhe të themi në lutjet tona:

(Rabbi innî messenijed-durru we ente erhamu rrâhimîn)

O Zoti im ! Vërtet që më ka kapur mjerimi, dhe Ti je më Mëshiruesi i Mëshiruesve”. (Kur'an, Enbija 83)

Thelbi i tregimit të mirënjohur të Ejjubit a.s. është sa vijon:

Ndërsa i vuajtur e i munduar me plagë të shumta dhe me lëndime për një kohë të gjatë, ai thirri dhe shpresoi një shpërblim të madh për sëmundjen e tij nga i Lartësuari i Vetëm i Gjithëfuqishëm dhe e përballoi sëmundjen me durimin më të madh. Por më vonë, kur krimbat e shkaktuar nga plagët e tij depërtuan tek zemra dhe tek gjuha e tij, të cilat janë vendi i përmendjes së Zotit xh.sh. dhe vendi i njohjes së Tij, ai u frikësua se detyra e tij e adhurimit do të pësonte goditje e dëm dhe prandaj tha në dua, jo për hir të qetësisë së tij, po për hir të adhurimit të tij ndaj Allahut:

“O Zot! Vërtet që më ka kapur mjerimi dhe Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve”,

“O Zot! Dëmi ka rënë mbi mua; përmendja ime Ty me gjuhën time dhe adhurimi im ndaj Teje me zemrën time do të pësojnë dëm”. Atëherë, Allahu i Lartësuar e i Gjithëfuqishëm ia pranoi atë lutje të sinqertë, të pastër e të përshpirtshme në një mënyrë të mrekullueshme. Ai i dhuroi Hazreti Ejjubit shëndet të mirë të plotë dhe shfaqi tek ai të gjitha llojet e mëshirës.

Duke u korresponduar atyre plagëve të jashtme dhe sëmundjes me të cilat u godit Ejjubi a.s., edhe ne kemi sëmundje të shpirtit dhe të zemrës. Në qoftë se qënia jonë e brendshme do të kthehej e të dilte jashtë dhe qënia jonë e jashtme do të kthehej brenda, ne do të dukeshim më shumë të plagosur e të sëmurë se sa Ejjubi a.s..

Çdo mëkat që ne bëjmë dhe çdo dyshim që hyn në mendjen tonë, shkakton plagë në zemrën dhe në shpirtin tonë.

Plagët e Ejjubit a.s. ishin të një natyre të tillë që kërcënonin jetën e tij të shkurtër të kësaj bote, kurse plagët tona të brendshme kërcënojnë jetën tonë të gjatë të amshuar të Ahiretit. Ne kemi një mijë herë më shumë nevojë për duanë e Ejjubit a.s. se sa kishte nevojë vetë ai. Ashtu siç depërtuan në zemrën dhe në gjuhën e tij krimbat që u shkaktuan nga plagët e tij, po ashtu vesveset, tundimet dhe dyshimet që rezultojnë tek ne nga plagët që shkaktohen nga gjynahet dhe mëkatet -ruajna Zot!- do të futen në brendësi të zemrës, e cila është vendi i besimit dhe, kështu plagosim e lëkundim imanin; gjithashtu ato do të preknin edhe gjuhën, e cila është interpretuesja e imanit, dhe plaçkisin prej saj kënaqësinë e dhikrit dhe ëndjen shpirtërore, dhe vazhdojnë ta ftohin e ta largojnë nga dhikri -përmendja e Zotit xh.sh.- derisa ta heshtin atë plotësisht.

Mëkati, duke depërtuar në zemër, do ta nxijë e do ta errësojë atë derisa ta shuajë dritën e besimit. Brenda çdo mëkati është një rrugë që të çon në mosbesim. Në qoftë se ai mëkat nuk pastrohet, nuk fshihet menjëherë nëpërmjet istigfarit -kërkimit të faljes-, ai transformohet në krimb jolëndor, madje shndërrohet në një gjarpër që kafshon zemrën dhe e lëndon.

Për shembull, një njeri që kryen fshehtas një mëkat të turpshëm, do t’i frikësohej e druhej turpërimit që shkaktohet nëse të tjerët janë në dijeni të atij mëkati. Kështu ekzistenca e engjëjve dhe e qënieve shpirtërore do të jetë e rëndë për të që ta durojë; dhe ai do të dëshironte ta mohonte atë, madje edhe me fuqinë e treguesit më të vogël.

Dhe për shembull, ai që bën një gjynah të madh që meriton ndëshkimin e Xhehennemit, në qoftë se nuk do të mbrohej e fortifikohej përballë atij mëkati nëpërmjet istigfarit -kërkimit të faljes- dhe pendesës, ai do të dëshironte me gjithë zemër mosekzistencën e Ferrit sa herë që ai dëgjon kërcënimet e tij dhe, madje ai do të guxonte ta mohonte Ferrin edhe me fuqinë e treguesit më të vogël dhe të dyshimit.

Dhe për shembull, ai që nuk i kryen namazet e detyruar dhe që nuk i përmbush detyrat e tij të adhurimit, do të preket e lëndohet nga dëshpërimi e nga ankthi, ashtu siç do të ishte i pikëlluar në ndonjë rast kur nuk përfill një detyrë të vogël ndaj një sunduesi të thjeshtë. Kështu dembelia e tij në përmbushjen e detyrës, pavarësisht urdhëresave të përsëritura që lëshohen nga Allahu i Madhërishëm, do ta hidhërojnë shumë atë dhe do t’i shkaktojnë një ngushtësi të fortë dhe një errësirë në shpirtin e tij. Kjo ngushtësi do nxiste një dëshirë tek ai dhe të thonte me vete: “Ah sikur Ai të mos kishte dhënë urdhër për kryerjen e atij ibadeti”; dhe nga kjo dëshirë do të lindte dëshira për të mohuar Zotin dhe për të ushqyer armiqësi ndaj Tij. Në qoftë se do të vinte ndonjë dyshim në zemrën e tij lidhur me ekzistencën e Krijuesit, ai do të prirej e anonte nga ai -dyshimi- sikur ai të ishte një provë vendimtare. Një portë e madhe shkatërrimi do të hapej përpara tij. Por ky fatzi nuk e kupton se e ka bërë veten -nëpërmjet këtij mohimi- objekt për ngushtësi shpirtërore e për hidhërim miliona herë më të rëndë e më të tmerrshëm se sa ai shqetësim i vogël që ndiente nga dembelia ndaj detyrës së adhurimit; është tamam si ai që ikën nga pickimi i mushkonjës për tek kafshimi i gjarpërit.

Le të kuptohet në dritën e këtyre tre shembujve misteri i vërsetit Kur’anor,

“Jo, kurrë nuk është kështu! Por zemrat e tyre janë të njollosura (prej gjynaheve) që ata patën fituar”.[2]

Allahu i Gjithëfuqishëm, me qëllim që të shfaqë fuqinë e Tij të pafund dhe mëshirën e Tij të pakufishme, ka bërë të bashkëlindur, të brendaqenësishme tek njeriu pafuqinë e pafundme dhe nevojën e pakufishme. Për më tepër, me qëllim që të shfaqë qëndisjet e pafundme të Emrave të Tij, Ai e ka krijuar njeriun si një makineri të çuditshme e cila përmban qindra instrumente dhe aparate, ku secila prej tyre ka dhimbjet e saj të ndryshme, kënaqësitë, detyrat e ndryshme dhe shpërblimet dhe thevabet.

Thjesht, të gjithë Emrat e bukur Hyjnorë të shfaqur në botë, e cila është një njeri i madh, gjithashtu kanë manifestime në botën më të vogël që është njeriu. Çështjet e dobishme si: shëndeti i mirë, mirëqenia dhe kënaqësitë e bëjnë njeriun të japë falënderime dhe e shtyjnë makinerinë humane të kryejë detyrat e saj në shumë drejtime, dhe kështu njeriu bëhet si një fabrikë që prodhon falënderime.

Gjithashtu, nëpërmjet fatkeqësisë, sëmundjes dhe dhimbjes dhe nëpërmjet mundësive të tjera nxitëse e lëvizëse, rrotat e tjera të makinerisë njerëzore janë vënë në punë e në lëvizje. Mineralet e dobësisë, të pafuqisë dhe të varfërisë të bashkëlindura në natyrën njerëzore vihen në punë. Kjo nxit tek njeriu një gjendje me anë të së cilës ai kërkon strehim e ndihmë jo vetëm me një gjuhë të vetme, por me gjuhën e secilës prej gjymtyrëve të tij. Kështu nëpërmjet atyre mundësive njeriu bëhet si një laps lëvizës që përmban mijëra lapsa të ndryshëm. Ai e shkruan rrjedhën e përcaktuar të ekzistencës së tij në faqen e jetës së tij ose në pllakën në botën e shëmbëllesës; ai bën një shpallje të Emrave Hyjnorë, ai qëndis një tablo të shkëlqyer të Emrave Hyjnorë; dhe bëhet vetë një poemë për lavdinë e Zotit xh.sh., duke përmbushur kështu detyrat e natyrës së tij./ zell.al

 

[1] (Kur’an, 21:83)

[2] (Kur’an, 83:14)