Dr. Keith Wolverson i cili ushtron detyrën në “Derby Urgent Treatment Centre” është suspenduar për nëntë muaj pasi i kërkoi një pacienteje muslimane tre herë që të hiqte mbulesën e saj gjatë konsultimeve.
Paneli vendosi t'i ndalojë Dr. Wolverson, i cili ka 25 vjet përvojë pune si mjek, të punojë përkohësisht pasi veprimet e tij i konsideroi "të mjerueshme".
Disa nga shkeljet e bëra nga mjeku përfshijnë kërkesën për heqjen e mbulesës nga gratë e martuara muslimane, si dhe kritikat e tij drejtuar pacienteve për aftësinë e tyre në të folur anglisht.
Pavarësisht se pranoi se veprimet e tij ishin joprofesionale, Dr. Wolverson tha se ka në plan të apelojë ndalimin e vendimit që e ndalon atë të punojë si mjek për nëntë muaj.
Gjatë një seance të mbajtur nga “Medical Practitioner Tribunal Service” (MPTS), Wolverson u shpall fajtor ose u pranua për 17 nga gjithsej 28 veprat e ngritura kundër tij. Të gjitha raportet e shkeljeve të mjekut që datonin nga janari deri në maj 2018 lidheshin me punën e tij në Royal Stroke, qoftë si mjek lokal apo i përkohshëm, si dhe gjatë punës në Qendrën e Kujdesit Urgjent Në Derby.
Ai deklaroi se kundërshtimi i tij nuk kishte për qëllim të nënçmonte grupe të caktuara etnike ose të dëmtonte dikë nga ndonjë prejardhje kulturore. Bëhej fjalë vetëm për qartësinë e komunikimit midis tij dhe pacientëve të tij.
Në një incident tjetër, kur ai përsëriti kërkesat që një paciente muslimane të hiqte mbulesën e saj tre herë gjatë një konsultimi në maj 2018, Wolverson arsyetoi se ai kërkoi që të hiqej mbulesa për shkak të vështirësisë për të kuptuar theksin e fortë të pacientes.
Megjithatë, gjykata e hodhi poshtë argumentin pasi ata nuk gjetën probleme për ta kuptuar pacienten kur ajo erdhi për të dhënë dëshmi.
Shefi i drejtësisë Duncan Toole tha se provat treguan qartë se veprimet e Wolverson ishin "të mjerueshme" dhe mund të minonin besimin e publikut në profesion.
Megjithatë, gjykata vuri në dukje se shërbimet mjekësore 25-vjeçare të Wolverson nuk kishin ndonjë problem apo të dhëna të këqija në lidhje me sigurinë e pacientit. Besimi i publikut në aftësitë mjekësore të Wolverson shpresohet të mos ndryshojë, veçanërisht kur ai të kthehet në punë pasi ka reflektuar mbi veprimet e tij gjatë pezullimit nëntë mujor.



