Në qindra ajete kuranore, theksohet nxitja e besimtarit për të ndjekur rrugën e drejtë, për të urdhëruar në të mirë, për të kryer punë të dobishme, për të shfaqur moral të pastër, për të patur sjellje të bukur, për të thënë e komunikuar fjalën e vërtetë.
Kurani, si libri i fundit i Zotit, është i pacenueshëm dhe i pandryshueshëm deri në ditën e fundit të kësaj bote, kjo për faktin se vetë Krijuesi i njeriut dhe gjithësisë e ka marrë nën mbrojtje prej armiqve të tij.
Meqenëse Kurani është një libër formues e orientues, që tregon rrugën e drejtë, që kultivon dashuri dhe mbjell frymë paqeje, njerëzit duhet të jetojnë me të, sepse ai është udhërrëfyes për të gjithë ata, të cilët iu përmbahen këshillave dhe mësimeve të tij.



