Nga Kristjan Pashollari24 Shk 2023 5.6k
Teknologji

Myftiu Tërnava, ka pritur në takim një delegacion të Bashkësisë Islame të Austrisë

Myftiu Tërnava, ka pritur në takim një delegacion të Bashkësisë Islame të Austrisë

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim një delegacion të Bashkësisë Islame të Austrisë, të kryesuar nga kryetari i kësaj Bashkësie, z. Ymit Vural. Kryetari Vural shoqërohej në takim nga kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Austri, ALKIG, Vahidin ef. Behluli dhe nga përgjegjësi për edukim në Bashkësinë Islame të Austrisë, z. Binur Mustafi.

Myftiu Tërnava i uroi mirëseardhje në institucionin e BIK-ut kryetarit Vural, e më pas e njohu atë me funksionimin, sfidat dhe të arriturat e Bashkësisë Islame në Kosovës. Ai tha se Bashkësia Islame e Kosovës është e përkushtuar për të bashkëpunuar me Bashkësinë Islame të Austrisë në fushat të cilat janë të rëndësishme dhe me prioritet për besimtarët e të dyja vendeve.

 

“Bashkësia Islame e Kosovës, përmes institucioneve të saj fetare dhe arsimore, Medresesë dhe Fakultetit të Studimeve Islame, mbetet e përkushtuar për përgatitjen e kuadrit fetar, të denjë për të qenë në shërbim të fesë islame dhe të besimtarëve, e të cilët do t’i mbrojnë parimet islame dhe besimtarët nga indoktrinimi i mundshëm dhe nga interpretimet radikale ekstreme, të cilat nuk kanë të bëjnë asgjë më Islamin e pastër e burimor” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.

 

 

Nga ana e tij, kryetari Vural, falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe për gatishmërinë e tij dhe të institucionit që ai drejton që të kenë një bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet dy institucioneve.

 

“Kontributi i komunitetit mysliman shqiptar, është i një rëndësie tejet të veçantë, në mbrojtjen dhe përfaqësimin e Islamit dhe të myslimanëve që jetojnë në Austri, andaj konsiderojmë se prezenca e tyre është një urë e fuqishme që lidh Bashkësinë Islame të Austrisë dhe vendet e tyre të origjinës, e në veçanti institucionet fetare të atyre vendeve” – tha kryetari Vural.

 

Në fund të takimit, Myftiu Tërnava dhe kryetari Vural, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në fushën fetare, arsimore e kulturore, e fusha të tjera, siç janë shkëmbimi i kuadrove, projektet kulturore etj.

 

Gjatë kësaj vizite, kryetari Vural vizitoi edhe ShML “Medreseja Alaudin” dhe Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.