Thursday 23-05-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Turqia ndalon tregtinë me Izraelin për shkak të luftës në Gaza

admin
  • Krijuar : 03-05-24
  • / 134 Lexime

Turqia ka pezulluar të gjitha importet dhe eksportet me Izraelin për shkak të veprimeve ushtarake në Gaza, duke u zotuar se ky vendim do të jetë në fuqi derisa qeveria izraelite të lejojë dërgimin e ndihmës humanitare në rajon.

Zyrtarët në Turqi do të koordinohen me Autoritetin Palestinez për t’u siguruar që palestinezët të mos preken nga pezullimi i importeve dhe eksporteve, tha Ministria turke e Tregtisë.

Ministria e Tregtisë e përshkroi këtë hap si “fazën e dytë” të masave kundër Izraelit, duke shtuar se ky vendim do të mbetet në fuqi derisa Izraeli “të lejojë dërgimin e papenguar dhe të mjaftueshëm të ndihmës humanitare në Gazë”.

Muajin e kaluar, Turqia – një kritike e ashpër e veprimeve ushtarake të Izraelit – njoftoi për kufizimin e eksportimit të 54 llojeve të produkteve për në Izrael, përfshirë aluminin, çelikun, produktet e ndërtimit, plehrat kimike gjithashtu edhe karburantin e avionëve, Izraeli u kundërpërgjigj duke vendosur po ashtu pengesa tregtare.

Gjatë së enjtes, ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, akuzoi Turqinë për bllokimin e importeve izraelite dhe eksporteve nga portet turke.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, “po shkelë marrëveshjet duke bllokuar portet për importet dhe eksportet izraelite”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.

Qeveria e Erdoganit, që pësoi humbje të madhe në zgjedhjet lokale të mbajtura në mars, po përballet me presion të madh brenda Turqisë për të ndaluar tregtinë me Izraelin. Kritikët e kanë akuzuar qeverinë për dy standarde, përkatësisht se akuzon rëndë Izraelin, por edhe mban raporte tregtare me të.

Turqia e ka njohur Izraelin më 1949. Nën udhëheqjen e Erdoganit, tensionet janë rritur mes dy shteteve. Udhëheqësi turk ka intensifikuar kritikat e tij ndaj Izraelit pas ofensivës ushtarake në Gazë, duke e akuzuar Izraelin se po kryen krime lufte dhe gjenocid.

Erdogan i ka përshkruar luftëtarët e Hamasit – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian – si luftëtarë të lirisë.

Gjatë kësaj jave, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se Turqia ka vendosur që t’i bashkohet rastit ligjor të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke shtuar se shumë shpejt Ankaraja do të dorëzojë kërkesë formale për t’u përfshirë në rast.

Afrika e Jugut ka ngritur një lëndë në GJND, duke e akuzuar Izraelin se ka shkelur Konventën për Gjenocid me ofensivën e saj ushtarake kundër Hamasit. Izraeli mohon se fushata e tij ushtarake në Gazë përbën shkelje të kësaj konvente. / lapsi.al

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame