Friday 18-10-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Xhumaja e parë në Xhaminë e re të Namazgjasë, Marrëveshja e Hudejbies dhe Kreu i KMSH

admin
  • Krijuar : 13-10-24
  • / 200 Lexime

Ditën e enjte më 10 tetor 2024, pas shumë vitesh pritje, u bë e mundur hapja e Xhamisë së Namazgjasë. Ngjashëm me pritje elektorale si rruga e Arbrit apo të tjera ksisoji, të cilat politika i shfrytëzon deri në palcë. Gjithsesi mbetet një lajm i bukur dhe i shumëpritur nga të gjithë besimtarët. U hap!
Përmbledhtazi, përpjekjet për ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës datojnë që në vitin e largët 1938. Më pas përpjekje janë bërë në vitin 1941 po ashtu edhe më 1943. Nuk ka të dhëna gjatë periudhës së komunizmit pasi edhe feja shkoi drejt ndalimit, por menjëherë pas rënies së komunizmit përpjekjet kanë filluar në vitin 1993, vit në të cilin arrihet të firmoset edhe leja e ndërtimit nga kryetari i bashkisë së kohës z. Sali Kelmendi. Madje më 24 dhjetor 1993 zhvillohet ceremonia e fillimit të punimeve në tokën vakëf të Namazgjasë.  Punimet pezullohen në shtator të 1994.  Ndërkohë, Komuniteti Mysliman vazhdon kërkimin e donatorëve për ndërtimin e xhamisë dhe një qendre kulturore me takime dhe vizita të vazhdueshme në Komunitetin Mysliman të Turqisë, Ministrinë e Çështjeve Islame- Vakfeve në Kuvajt dhe me autoritete të larta të Mbretërisë së Arabisë Saudite, të cilët shprehin gatishmërinë dhe premtojnë secila për ndërtimin e saj. 
Nga të gjitha këto ec e jake Komuniteti Mysliman i Shqipërisë më 24.09.2013 vendos të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Turqinë, gjegjësisht Kryesinë e Çështjeve Fetare të Republikës së Turqisë (DIYANET). Më 13 maj 2015 fillojnë punimet me premtimin që ato do të përfundonin brenda dy viteve, pra në 2017, por sipas kontratës më 2020. Pas të ashtuquajturit "grusht shteti" në Turqi zhvillimet politike marrin kah tjetër. Turqia emërton ata me të cilët kishte nënshkruar tre vite më parë në Kmsh, si të lidhur me levizjen gylen. Nga ajo kohë politika e Turqisë ndryshon kurs, duke u zhvendosur nga kontrata e bashkëpunimit, në idenë e mosdorëzimit më të xhamisë në Kmsh.

Qeveria turke erdhi duke ngritur zërin ndaj tyre gjithnjë e më shumë dhe duke shtuar presionin me të gjitha mekanizmat politik të saj. I ashtuquajturi ‘grushti i shtetit’ në Turqi dhe akuzimi i punonjësve të kmsh si të lidhur me Gylen, këtë herë Turqisë i vinte shumë për mbarë me ‘qëllimi i vjetër’. Qëllimi i kahershëm i Dijanetit të Turqisë ka qenë dhe është edhe aktualisht ndikimi i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Pasi Turqia kishte tentuar edhe herë të tjera që ta zaptonte Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Kujtojmë që një nga tentativat më të bujshme ishte ajo me anë të sekretarit të përgjithshëm të Kmsh-s në vitin 2011. I cili së bashku me një grup brenda Kmsh, tentojnë t’i bëjnë grusht institucional Kmsh-s. Kmsh drejtohej nga H. Selim Muça. Asokohe nuk ishte preteksti i “gylenistëve” në Kmsh, por tentativa ishte e njejtë, të fuste në dorë Kmsh-n. Tentativë të cilën e vazhdoi dukshëm  edhe në dy palët e zgjedhjeve që u zhvilluan  për kreun e Kmsh-s në 2019 dhe 2024.

T’i kthehemi temës sonë. Xhamia e Namazgjasë u hap, por me dritëhije të shumta. Mospjesmarrja e kreut të kmsh në inagurimin e xhamisë ishte e pa precedentë. Njëlloj dasme me krushq e dasmorë, por që mungonte i zoti i shtëpisë. U fol shumë për këtë temë në të gjitha televizionet. U dhanë arsye pa arsye pothuajse në të gjitha mediat. Zyrtarët e Kmsh përmendnin me të madhe vetëm arritjen e hapjes së xhamisë, duke anashkaluar në maksimum përgjigjen e mungesës së kreut të Kmsh-s në inagurim.

Në këtë vazhdë ngjarjesh, një nga gjërat që bëri shumë përshtypje dhe emocionoi xhematin e xhamisë së re një ditë pas inagurimit, ishte hutbeja (ligjërata e ditës së premte) nga ana myftiut të Tiranës, njëkohësisht imami i ri i xhamisë së Namazgjasë. Ai e nisi ligjëratën me thirrjet për bashkim dhe unitet. Vendosi në plan të parë ata njerëz të cilët punët e tyre i bëjnë me sinqeritet dhe vendosin hatrin e Zotit mbi të gjitha. Për t’i dhënë notat e duhura kësaj teme e ilustroi atë me historinë islame duke nxjerrë në pah "marrëveshjen e Hudejbies". Një nga ngjarjet më kulminante të historisë islame. Marrëveshja e Hudejbies njihet si një nga vendimmarrjet më të vështira të Profetit Muhamed (a.s.) së bashku me shokët e tij, sahabet. Shkurtimisht historia është kjo, Profeti (a.s) së bashku me sahabet niset për të realizuar ritualin e haxhit. Mushrikët e Mekes iu presin rrugën dhe nuk i lejojnë të vazhdojnë më tej. Pas shumë negociatash, Profeti (a.s) detyrohet të nënshkruajë një marrëveshje me ta. Ai (a.s) thërret Aliun (r.a) për të shkruar marrëveshjen. Profeti a.s e fillon me ‘Bismil-lahi Rrahmani Rrahim’. Ata ndërhyjnë menjëherë për ta korigjuar duke i thënë fshije atë dhe ler vetëm Zotin siç e kemi patur më parë. Profeti a.s e pranon dhe ashtu shkruhet. Më pas vazhdon me ‘Muhammed Resulullah’ (Muhamedi i Dërguar i Zotit). Mosbesimtarët as këtë nuk e pranojnë, i kërkojnë ta heqë “Resulullah”. ‘Ne po të ishim dakord me këtë s’do të ishim këtu’ i thanë. Profeti a.s e pranon edhe këtë. I thotë Aliut, “'fshije ‘Resulullah’ pranë emrit tim”. Aliu nuk pranon ta bëjë këtë, ‘nuk e bëj me duart e mia një gjë të tillë ja Resulallah!’ i thotë Profetit a.s. ‘Dakord’ i thotë Profeti (a.s), ‘më trego ku shkruan “Resulullah”’ dhe e fshin me dorën e tij. Shokët e Profetit a. s. ishin në një "shok" të vërtetë për atë që po ndodhte. Gjithçka dukej në disfavor të tyre. Megjithatë, pavarësisht situatës në të cilën ndodheshin, Allahu xh. xh iu premtoi atyre që ata do ta realizonin Haxhin në një kohë të afërt dhe ashtu ndodhi. 

Pyetja që shtrohet është, mos vallë imami i ri i xhamisë së re, me historinë që po tregonte, hoqi një paralele me ngjarjet që zhvilloheshin në Tiranën e Namazgjasë? Duke zbutur plagën që Kryetari i Kmsh i shkaktoi me dashje vetes dhe institucionit që përfaqëson?! Megjithatë, këtë ne nuk mund ta dimë me siguri, pavarësisht paraleles së bukur të hequr në mënyrë krahasuese me historinë e bukur islame. Ashtu siç nuk mund të dihet me siguri që pse mungoi në një nga eventet më të rëndësishme të Komunitetit Mysliman, Kreu i Institucionit. Por një gjë është e sigurt, me të vërtetë ata të cilët triumfojnë janë të duruarit dhe ata të cilët në gjokset e tyre kanë qëllimin e shërbimit ndaj fesë së Zotit. Ata që kërkojnë gjithmonë zgjidhje të problemeve dhe janë gjithmonë në ndërtimin e urave të komunikimit dhe arsyetimit. Pa i mbivendosur atij qëllimi as krenarinë personale, as elozhet dhe duartrokitjet e përftuara nga turmat dhe as përkëdheljet politike. Ashtu siç bënë të parët tanë, ashtu si sahabet, shokët e Profetit tonë të dashur! Pasi ky është dhe premtimi i Zotit tonë. Ai (xh. xh.) i mban gjithmonë premtimet e Tij!  / bota-islame.com

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame