Në fshatin "Gurrë Kalis" të Kukësit, është inauguruar xhamia 150-vjeçare, e cila u restaurua me përkushtim nga banorët vendas dhe emigrantët. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë qindra banorë të zonës dhe fshatrave përreth, Myftiu i Kukësit, z. Emirjon Vathaj, Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Islam Hoxha, përfaqësues të pushtetit lokal dhe të tjerë të ftuar.
Në fjalën e tij, myftiu Vathaj shprehu mesazhe bashkimi, mirënjohjeje dhe falenderimi për punën e shkëlqyer që mundësoi rikthimin e ezanit në minaren e xhamisë. “Angazhimi dhe sakrifica juaj janë një shembull i vërtetë për t’u ndjekur. Përmes kësaj vepre, që uroj të gjeni shpërblim tek Allahu (xh.sh), ju treguat forcën e bashkësisë tuaj dhe vlerat shpirtërore e kombëtare të kësaj zone,” u shpreh z. Vathaj.
Nga ana tjetër, z. Islam Hoxha vlerësoi ndjenjën e solidaritetit të banorëve për ruajtjen e vlerave fetare dhe kombëtare, ndërsa z. Korab Shehu, një nga organizatorët kryesorë të kësaj nisme, shprehu mirënjohjen për të gjithë kontribuesit. “Ndjeva krenari për kontributet e të gjithëve, veçanërisht për mbështetjen e vëllezërve tanë që jetojnë jashtë vendit, të cilët ndihmuan me zemër të hapur në këtë kauzë,” tha ai.
Në fund, organizatorët shpërndanë certifikata mirënjohjeje për disa nga familjet që dhanë kontribut të veçantë në restaurimin e xhamisë. Ky projekt u realizua falë donacioneve dhe bashkëpunimit të ngushtë të 340 emigrantëve dhe besimtarëve të zonës dhe fshatrave përreth. Allahu (xh.sh) i shpërbleftë të gjithë me të mirat e Tij të pafundme, si në këtë botë, ashtu edhe në tjetrën!/bota-islame.com