Sabori i Bashkësisë Islame të Bosnjë-Hercegovinës ka konfirmuar kandidaturat e tre drejtuesve fetarë për postin e reisul-ulemasë së 14-të. Zgjedhja do të zhvillohet më 10 tetor 2026, përmes votimit të fshehtë.
Kandidatët janë dr. Salem ef. Dedović, myfti i Mostarit; prof. dr. Nedžad ef. Grabus, myfti i Sarajevës; dhe hafiz prof. dr. Mensur ef. Malkić, drejtor i Drejtorisë për Çështjet Fetare pranë Rijasetit.
Kandidaturat u miratuan gjatë seancës së Saborit, të mbajtur më 5 shtator në Sarajevë. Gjatë takimit, tre kandidatët paraqitën edhe drejtimet kryesore të programeve të tyre për të ardhmen e Bashkësisë Islame.
Myftiu i Mostarit, Salem ef. Dedović, e përshkroi detyrën e reisul-ulemasë si shërbim ndaj Bashkësisë Islame, besimit dhe popullit. Ai u përqendrua te forcimi institucional, gjallërimi i jetës në xhemat, pavarësia në vendimmarrje, administrimi i përgjegjshëm i vakëfeve dhe kujdesi ndaj besimtarëve.
Myftiu i Sarajevës, Nedžad ef. Grabus, theksoi se Bashkësia Islame nuk duhet të lidhet me një rajon apo grup të caktuar. Ai kërkoi ruajtjen e autonomisë së saj dhe zhvillimin e programeve të reja për diasporën, veçanërisht për brezat e rinj që rrezikojnë të humbasin gjuhën dhe lidhjen me identitetin e tyre fetar e kulturor.
Ndërsa hafiz Mensur ef. Malkić e cilësoi kandidaturën si nder dhe përgjegjësi. Sipas tij, Bashkësia Islame është një institucion i qëndrueshëm, por duhet të bëhet më e hapur, më transparente dhe më gjithëpërfshirëse, duke forcuar komunikimin dhe besimin ndërmjet strukturave të saj.
Reisul-ulema në detyrë, Husein ef. Kavazović, u bëri thirrje kandidatëve, anëtarëve të Bashkësisë Islame dhe opinionit publik që procesi të zhvillohet me dinjitet. Ai paralajmëroi kundër fushatave negative në media dhe rrjetet sociale, ndarjeve rajonale dhe përpjekjeve për ndikim nga qendra jashtë Bashkësisë Islame.
Kavazović theksoi se kjo detyrë duhet parë fillimisht si përgjegjësi dhe amanet, jo si privilegj. Ai kujtoi se gjatë 140 viteve të fundit vetëm 13 persona e kanë ushtruar funksionin e reisul-ulemasë dhe se mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve është po aq e rëndësishme sa rezultati i tyre.
Reisul-ulema i ri do të zgjidhet nga një trup elektoral ku përfshihen anëtarët e Saborit, imamët kryesorë, drejtuesit e medžliseve dhe drejtorët e institucioneve të Bashkësisë Islame.
Zgjedhja ka rëndësi edhe përtej Bosnjë-Hercegovinës, pasi Bashkësia Islame përfshin xhemate dhe institucione të shumta në rajon dhe në diasporën boshnjake. Drejtuesi i ri do të pasojë Husein ef. Kavazovićin, i cili e mban këtë detyrë që nga viti 2012.
Bota Islame














