Diplomati mauritan Ismail Ould Cheikh Ahmed ka marrë drejtimin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), duke pasuar diplomatin çadian Hissein Brahim Taha.
Ceremonia e dorëzimit të detyrës u zhvillua më 28 gusht në Xheda, një ditë pasi Ould Cheikh Ahmed u zgjodh sekretar i përgjithshëm gjatë sesionit të jashtëzakonshëm të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare. OBI përbëhet nga 57 shtete dhe është organizata më e madhe ndërqeveritare e vendeve myslimane.
Ould Cheikh Ahmed ka një përvojë të gjatë diplomatike dhe në organizatat ndërkombëtare. Ai ka shërbyer si ministër i Jashtëm i Mauritanisë nga viti 2018 deri më 2022 dhe më parë ka mbajtur poste të larta në Kombet e Bashkuara. Në vitin 2015 u emërua i dërguar i posaçëm i OKB-së për Jemenin, ku drejtoi përpjekje ndërmjetësimi dhe bisedime paqeje.
Në fjalën pas marrjes së detyrës, sekretari i ri tha se synon të forcojë punën e Sekretariatit të Përgjithshëm dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve anëtare, në një periudhë kur organizata përballet me dosje të rëndësishme si Palestina dhe Jerusalemi, Siria, Sudani dhe konfliktet e tjera në vendet myslimane.
Ismail Ould Cheikh Ahmed merr drejtimin e OBI-së me një mandat pesëvjeçar, në krye të një organizate që përfaqëson shtete nga Afrika, Azia, Lindja e Mesme dhe Evropa/ Bota ISlame




