Këshilli Kantonal i Zyrihut ka miratuar një mocion që kërkon ndalimin e shamisë për nxënëset dhe mësueset në shkollat dhe kopshtet publike të kantonit. Propozimi u miratua më 31 gusht me 87 vota pro, 82 kundër dhe 6 abstenime.
Vendimi nuk e vendos menjëherë ndalimin në fuqi. Qeveria kantonale ka tani dy vjet kohë për të përgatitur një projektligj që duhet të respektojë Kushtetutën federale dhe lirinë fetare. Më pas, propozimi do të shqyrtohet përsëri nga parlamenti.
Nisma u paraqit nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), e cila e konsideron shaminë si shenjë të nënshtrimit të grave dhe vajzave. Kundërshtarët e mocionit paralajmëruan se një ndalim i përgjithshëm cenon lirinë fetare, veçon një simbol të vetëm dhe mund të vështirësojë arsimimin e pjesëmarrjen shoqërore të vajzave myslimane.
Shoqata e Organizatave Islame të Zyrihut (VIOZ) e priti vendimin me keqardhje. Ajo theksoi se kundërshton çdo formë presioni ndaj grave dhe vajzave, por se mbrojtja nga detyrimi nuk duhet të realizohet duke kufizuar zgjedhjen e lirë të grave të tjera.
Sipas VIOZ-it, një masë e përgjithshme nuk bën dallimin ndërmjet rasteve kur shamia imponohet dhe atyre kur mbahet me bindje e vullnet të lirë. Organizata kërkon që rastet konkrete të presionit të trajtohen përmes shërbimeve sociale shkollore, institucioneve të specializuara dhe mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve.
Edhe Bota Islame shpreh keqardhje për miratimin e këtij mocioni. Detyrimi i një gruaje për të mbajtur shami është i papranueshëm, por po aq problematik është edhe detyrimi shtetëror për ta hequr atë. Vetëvendosja nuk mbrohet duke ua mohuar grave të drejtën për të zgjedhur veshjen dhe mënyrën se si e shprehin besimin e tyre.
Shkollat duhet të mbrojnë çdo nxënëse nga presioni dhe diskriminimi, pa e kthyer përkatësinë fetare në pengesë për arsimimin. Përballimi i rasteve të detyrimit kërkon masa të individualizuara dhe mbështetje konkrete, jo një ndalim që i trajton njësoj të gjitha gratë dhe vajzat myslimane.
/ Bota Islame




