Në Uzbekistan po përmbyllet Forumi Ndërkombëtar i Medias “Islamic Civilization: A New Perspective, New Discoveries”, i zhvilluar në Tashkent dhe Samarkand. Aktiviteti mblodhi rreth 300 përfaqësues të medias, studiues dhe ekspertë nga afro 50 vende, me synimin për të diskutuar mënyra bashkëkohore të prezantimit të historisë dhe trashëgimisë së qytetërimit islam.
Në qendër të diskutimeve ishin dorëshkrimet islame, dokumentarët, botimet, gazetaria digjitale, inteligjenca artificiale dhe format e reja mediatike. Një pjesë e programit iu kushtua edhe trajnimit të studentëve uzbekë nga profesionistë ndërkombëtarë të medias.
Një nga aktivitetet kryesore ishte vizita në Kompleksin Memorial të Imam Buhariut në Samarkand, të rindërtuar në vendin ku ndodhet varri i dijetarit të njohur të hadithit, Muhamed ibn Ismail el-Buhari (810–870). Delegacionet vizituan gjithashtu Qendrën Ndërkombëtare të Kërkimeve Shkencore Imam Buhari dhe Muzeun e Inovacionit Imam Buhari.
Forumi prodhoi edhe disa propozime konkrete. Në dokumentet përmbyllëse është propozuar krijimi i një Aleance Ndërkombëtare të Medias, organizimi çdo vit i konkursit “Voice of Civilizations”, programe shkëmbimi për gazetarët dhe projekte të përbashkëta për prezantimin e trashëgimisë islame. Gjatë forumit janë nënshkruar gjithashtu rreth 20 memorandume bashkëpunimi.
Për Uzbekistanin, aktiviteti është pjesë e një investimi më të gjerë në ruajtjen dhe prezantimin e trashëgimisë së dijetarëve të Azisë Qendrore. Në këtë qasje, figura si Imam Buhariu nuk paraqiten vetëm si pjesë e historisë, por lidhen me kërkimin akademik, muzeologjinë, edukimin dhe komunikimin me brezat e rinj. / Bota Islame






