Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të mërkurën më 13.09.2022 mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada Amerikane në Shkup në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të RMV dhe Institutit të Mjekësisë Transfuzive, në nderim të Ditës së Shërbimit dhe Përkujtimit të 11 Shtatorit.
Ambasadorja Kate M. Byrnes mbajti një fjalim përshëndetës dhe mjaft prekës, duke kujtuar vullnetarët të cilët u përgjigjën të parën për të ndihmuar viktimat e tragjedisë së 11 shtatorit 2001. Ajo po ashtu përkujtoi edhe viktimat që sot për fat të keq po radhiten në Ukrainë. Më pas i falënderoi të pranishmit dhe përfaqësuesit e bashkësive fetare.
Pas fjalimit, Reisul Ulemaja H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Drejtori i zyrës së Shërbimit për Informim në BFI, z. Agron Vojnika, i cili njëherit është edhe ndërlidhës mes BFI dhe Ambasadës së SHBA-ve në Shkup, bisedoi me Ekselencën e saj Ambasadoren Kate M. Byrnes dhe e falënderoi për gjithë kontributin që ajo e ka dhënë në vendin tonë, duke qenë një nga promotorët kryesorë që e radhiti vendin tonë në familjen e madhe të NATO-s dhe makineria shtytëse e gjitha lëvizjeve dhe ndryshimeve pozitive demokratike në vend.
Ekselenca e Saj poashtu e falënderoi Kreun e BFI, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, për mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë këtyre katër viteve të mandatit të saj si Ambasadore e SHBA-ve në RMV.
Vlen të theksohet se për të katërmbëdhjetin vit radhazi, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës bashkëpunon me Kryqin e Kuq të Qytetit të Shkupit dhe Institutin e Mjekësisë Transfuzive duke organizuar aksion për grumbullimin e gjakut dhe ushqimeve në nderim të Ditës së Shërbimit dhe Përkujtimit të 11 Shtatorit, me ç’rast do të plotësojë furnizimet me gjak dhe t’u sigurojë familjeve në nevojë ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme për muajt e dimrit në vijim.



