(Editoriali, "Edukata Islame" nr. 130/2023)
Misioni që Krijuesi i gjithësisë ia ngarkoi Muhamedit, a.s., që t’ia komunikonte njëzimit, ishte plot mësime, kondita e parime për dynja e ahiret, prandaj edhe Muhamedi, a.s. përveçqë ishte i zgjedhur e i nderuar prej Zotit, xh.sh., që të ishte resulullah, ai u bë edhe i dashur, i nderuar, i respektuar, i çmuar e i vlerësuar ndër besimtarët myslimanë, po edhe te të tjerët, të cilët megjithëqë nuk e pranuan për pejgamber, e çmuan për ndikimin që pati ai dhe misioni i tij në historinë, kulturën e qytetërimin njerëzor.
Duke pasur parasysh këto fakte, besimtarët e devotshëm, me dëlirësi e sinqeritet të madh, kanë praktikuar udhëzimet, thëniet, veprat, pëlqimet dhe punët e Pejgamberit, a.s., duke e pasur atë prore model e udhëzues për veprat dhe jetën e tyre.
Kështu, besimtarët myslimanë, me devocion e përkushtim, nga dashuria e madhe për Muhamed Mustafanë, me shumë të drejtë e kanë kujtuar dhe vazhdojnë ta kujtojnë e ta shënojnë ditëlindjen e tij, datën 12 të muajit Rebiul Evel, po edhe gjithë muajin në vazhdim, aq sa ky muaj mori edhe epitetin Muaji i Mevludit, dhe kështu u njoh dhe njihet në mbarë botën myslimane, sepse vërtet në këtë muaj lindi njeriu më i mirë, lindi pejgamberi ynë i fundit, Muhamedi, a.s.
Dhe, ndërsa vitet rrjedhin dhe koha ecën, dashuria për Muhamed Mustafanë gjithnjë e më shumë rritet e shtohet, e me të edhe format dhe mënyrat e kujtimit dhe të shënimit të ditëlindjes së Tij ndër besimtarët e vendeve, të trevave, rrethanave e hapësirave të ndryshme, dhe në vartësi të rrethanave shoqërore, kulturore e arsimore. Mirëpo, gjithnjë duke e kujtuar ditëlindjen e tij, a.s., me po atë ndjesi të veçantë, sikur të kishin qenë që në kohën e tij dhe bashkë me të.
Nëse e shohim, e vështrojmë dhe e analizojmë me qetësinë e mendjes e me kritere objektive e shkencore, na rezulton se nuk ka një personalitet të dytë, që biografia, veprimtaria, misioni dhe ndikimi i tij të ketë pasur trajtim, e të jetë shqyrtuar më shumë prej kronistëve, historianëve, teologëve kulturologë e studiues të fushave e të disiplinave të ndryshme, tash e kaq shekuj, më shumë sesa Pejgamberi, a.s.
Në këtë rrafsh bën pjesë edhe trashëgimia shkrimore, e cila është krijuar për jetën e Pejgamberit, a.s., që nga poezia, proza, odet, kasidet, gazelet, mevludet, e deri tek monografitë e ndryshme, pothuajse në të gjitha gjuhët e besimtarëve myslimanë, anekënd botës.
Gjithsesi se është për t’u theksuar se historikisht besimtarët myslimanë nëpër botë, me përkushtimin më të madh e për çdo vit, në ambientet familjare, po edhe nëpër xhami e institucione, e kujtojnë në formën më të mirë ditëlindjen e Pejgamberit të tyre, Muhamed Mustafasë. E, kujtimi i ditëlindjes së Pejgamberit, a.s., përtej dashurisë është edhe zotim e besatim për t’i ndjekur mësimet dhe porositë e Pejgamberit, a.s., si dhe është besnikëri ndaj rrugës dhe misionit të tij.
Shënimit të ditëlindjes së Pejgamberit, a.s., dhe manifestimit të muajit të mevludit, si shumë popuj të tjerë myslimanë, i kushtuan rëndësi dhe i dhanë specifika e tipare të veçanta e autoktone edhe shqiptarët, qysh se u bënë pjesë e fesë islame. Kësisoj, shënimi i manifestimit të kësaj ngjarjeje ndër ne ka një të kaluar të begatë dhe të shtrirë në kohë dhe në hapësirë, që në mënyrën më të mirë tregon për respektin dhe dashurinë tonë për Pejgamberin – Muhamedin, a.s. Kjo traditë e mishëruar thellë në kujtesën e popullit tonë vazhdon ende, dhe duhet të kultivohet edhe në ditët tona, e deri sa të jemi në këtë jetë.
Shqiptarët myslimanë jo vetëm se e kanë shënuar e manifestuar ditëlindjen e Pejgamberit, a.s., por shtresa intelektuale ka shkruar e hartuar edhe vepra të veçanta në formë të prozës e poezisë – rrëfenja e mevlude, ku me motive të thela islame e në mënyrë artistike i kanë përshkruar momentet më të rëndësishme të jetës, të veprës, të mrekullive dhe të misionit të Pejgamberit, a.s.
© 2024 All rights reserved - Bota Islame