Sunday 24-11-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Tre arsye pse njeriu nuk duhet të ankohet në raste fatkeqësish dhe sëmundjesh

admin
  • Krijuar : 06-08-24
  • / 325 Lexime

“Kujto edhe Ejjubin a.s. kur ai i thirri Zotit të Tij: Vërtet që më ka kapur mjerimi dhe Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve”.[1]

Arsyeja e Parë:

Allahu xh.sh. e ka bërë mantelin e trupit, me të cilën Ai e ka veshur njeriun, një manifestim të artit të Tij. Ai e ka bërë njeriun të jetë një model mbi të cilin Ai pret, rregullon, zbukuron, modifikon e ndryshon mantelin e trupit, duke shfaqur kështu manifestimin e Emrave të Tij të ndryshëm. Ashtu si Emri El-Shafi Shëruesi, që bën të domosdoshëm ekzistencën e sëmundjes, gjithashtu Emri Er-Rezzak, Furnizuesi, kërkon ekzistencën e urisë; dhe kështu me radhë…

Pronari i gjithësundimit vepron si të dojë me autoritet absolut mbi pronën e Tij.

Arsyeja e Dytë:

Nëpërmjet fatkeqësive dhe sëmundjeve jeta pastrohet, përsoset, forcohet dhe përparon; domethënë arrin rezultate, fiton plotësim dhe përmbush qëllimin e saj. Ndërsa jeta që, në mënyrë të pandryshueshme, monotone, kalon mbi divanin e rehatisë dhe mbi shtratin e lehtësisë i ngjason më shumë mosekzistencës e cila është thjesht e keqe e pastër se sa ekzistencës e cila është thjesht e mirë e pastër. Në fakt ajo ka prirje të shkojë drejt mosekzistencës.

Arsyeja e Tretë:

Kjo banesa e dynjasë është një fushë provimi, është banesë e shërbimit dhe vendi i punës dhe i ibadetit. Ajo nuk është vendi i kënaqësisë, i ëndjes dhe i marrjes së shpërblimit. Meqënëse banesa e dynjasë është vendi i punës dhe i ibadetit, atëherë sëmundjet dhe fatkeqësitë -për sa kohë që ato nuk prekin besimin dhe përballohen me durim- janë në harmoni të plotë me shërbimin dhe adhurimin, dhe madje ato i forcojnë ato. Meqenëse ato sëmundje e fatkeqësi e bëjnë adhurimin e një ore të barazvlershëm me atë të një dite, njeriu në vend të ankesave duhet të japë falënderime.

Adhurimi, në fakt, përbëhet nga dy lloje: Njëri “pozitiv”, dhe tjetri “negativ”.

Lloji i parë, “pozitivi”, është i qartë për të gjithë, pra është adhurimi i zakonshë që kryen çdo besimtar. Sa për adhurimin “negativ”, ky është se, kur njeriu goditet me fatkeqësi ose me sëmundje ai kupton dhe ndjen dobësinë e tij dhe paaftësinë, dhe duke u kthyer tek Krijuesi i tij Mëshirëplotë, kërkon strehim tek Ai, mendon për Të, i lutet Atij, dhe kështu ai kryen një formë të pastër adhurimi në të cilën nuk futet fare hipokrizia. Në qoftë se njeriu e përballon me durim, mendon për shpërblimin që vjen nga Allahu në raste fatkeqësish, dhe jep falënderime, atëherë çdo orë që ai kalon do të vlerësohet e quhet si një ditë e plotë e harxhuar në adhurim. Jeta e tij e shkurtër bëhet shumë e gjatë. Madje ka raste në të cilat një minut konsiderohet i barasvlershëm me adhurimin e një dite të plotë.

Kur e pyetën Aliun e nderuar, Portën e Urtësisë, siç e kishte quajtur Profeti a.s., se si duhet ta kuptojmë nëse një sprovë, një siklet na ka ardhur si dënim apo si provim nga Zoti? Ai r.a. përgjigjet: Nëse ajo sprovë të afron me Të, atëherë është provim. E nëse të largon me Të, atëherë kuptoje që eshtë dënim.

Sa herë që dikush mendon për të kaluarën e jetës së tij, ai do të thonte në zemrën e tij apo me gojën e tij ose ‘oh, sa keq!’ ose el-hamdu lil-lah. Domethënë, ai ose do të shprehte keqardhje, ose do të thonte Falenderimet dhe Lavdërimi i takojnë Allahut. Keqardhja frymëzohet nga dhimbjet që burojnë nga ndërprerja e kënaqësive të mëparshme dhe nga ndarja prej tyre. Sepse ndërprerja e kënaqësisë është një dhimbje në vetvete. Ndonjëherë një kënaqësi e çastit shkakton dhimbje të përhershme. Të menduarit për të do ta shtypte e shtrydhte atë plagë dhe do të pikonte prej saj pikëllimi e keqardhja. Ndërsa kënaqësia e vazhdueshme shpirtërore që buron nga ndërprerja e zhdukja e dhimbjeve të përkohshme të cilat i ka kaluar njeriu në të shkuarën e jetës së tij, e bëjnë gjuhën e tij të shprehë falënderime e lavdërime për Krijuesin, duke e nxitur njeriun të thotë el-hamdu lil-lah! Përveç kësaj prirjeje të brendshme të njeriut, në qoftë se ai do të mendonte për shpërblimin që rezulton nga fatkeqësia dhe për thevabin që e pret atë në Ahiret, në qoftë se ai do të kuptonte se jeta e tij e shkurtër me fatkeqësi do të transformohet në një jetë të gjatë, atëherë ai nuk do të ishte thjesht dhe vetëm durimtar, por do të ngjitej në shkallën e mirënjohjes ndaj Zotit xh.sh., dhe do të ishte i kënaqur me Kaderin e Tij. Gjuha e tij do të niste të bëjë falënderime e lavdërime duke thënë:

“El-Hamdu lil-lah ala kul-li halin sivel-kufri ved- dalal”.

“Lavdi Zotit për çdo gjendje përveç mohimit e çudhëzimit”.

Është bërë proverbë tek njerëzit thënia: “Sa e gjatë është koha e fatkeqësisë”. Po, ashtu është, veçse ama jo për shkak se ajo është e mërzitshme dhe pikëlluese ashtu siç imagjinojnë njerëzit zakonisht, por për shkak se ajo fiton rezultate të mëdha jetësore ashtu si një jetë e gjatë.

Gjithashtu, në qoftë se njeriu nuk e shpërndan forcën e durimit të cilën ia ka dhënë Allahu xh.sh. dhe nuk e shpërndan nëpër frikësime e dyshime të pabaza, ajo forcë mund të jetë e mjaftueshme për të qëndruar përballë çdo fatkeqësie e belaje, mirëpo nëpërmjet mbisundimit të iluzionit e të mashtrimit, mospërfillja e njeriut dhe të imagjinuarit e tij këtë jetë të përkohshme si të përhershme, ai e shpërndan forcën e tij të durimit mbi dhimbjet e së shkuarës dhe mbi ankthet e së ardhmes, dhe si rrjedhojë, nuk i mjafton durimi që ia ka dhënë Allahu xh.sh. për të mbajtur fatkeqësinë që i bie dhe për t’i bërë ballë asaj, dhe fillon të ankohet. Kjo është -ruajna Zot!- sikur ai t’i ankohej Allahut për njerëzit. Në mënyrën më të pajustifikuar dhe madje të marrë, ai ankohet dhe demonstron mungesën e tij të durimit.

Në qoftë se dita që kaloi pati fatkeqësi, pikëllimi tashmë ka ikur, dhe vetëm qetësia mbetet; dhimbja është zhdukur dhe me ndërprerjen e saj mbetet kënaqësia; brenga ka ikur dhe mbetet shpërblimi. Prandaj njeriu nuk duhet të ankohet, por të japë falënderime për kënaqësinë. Njeriu nuk duhet të zemërohet nga fatkeqësia, por duhet ta dojë. Jeta e përkohshme e së shkuarës konsiderohet si një jetë e përhershme dhe e bekuar për shkak të fatkeqësisë. Do të ishte marrëzi nëse njeriu e shpërndan një pjesë të durimit të tij dhe e humbet me iluzione dhe duke menduar mbi dhimbjet dhe fatkeqësitë e kaluara.

Për sa ka të bëjë me ditët që do të vijnë, meqenëse ato nuk kanë ardhur akoma, të mendosh qysh tani për sëmundjet dhe fatkeqësitë që do të shkaktohen gjatë tyre dhe të shfaqësh padurim, është gjithashtu marrëzi.

Ashtu siç do të ishte marrëzi nëse njeriu do të hante sot shumë bukë dhe do të pinte shumë ujë se ndoshta mund të goditet nga uria dhe etja nesër ose mbasnesër, po ashtu të hidhërohesh e të mërzitesh qysh tani se mbase do të sprovohesh me sëmundje e fatkeqësi në të ardhmen të cilat ato tani janë mosekzistuese; të vuash që tani prej tyre, të shfaqësh padurim dhe ta shtypësh e ta mbytësh veten pa ndonjë shtrëngim, është një çmenduri e tillë e cila nuk meriton më keqardhje e mëshirë.

Shkurtazi, ashtu siç e shton mirënjohja mirësinë Hyjnore, po ashtu ankesa e rrit fatkeqësinë, dhe largon mëshirën dhe keqardhjen për njeriun që është goditur.

Gjatë luftës së Parë botërore, një njeri i bekuar në Erzurum u godit me një sëmundje të rëndë. Unë shkova për ta vizituar dhe ai më tha duke u ankuar hidhur:

“Unë, nuk kam qenë në gjendje ta vë kokën në jastëk e të fle që prej njëqind netësh”. Unë u dëshpërova shumë. Papritmas më erdhi një mendim dhe thashë:

“Vëlla, njëqind ditët e vështira që ke kaluar janë tani si njëqind ditë të lumtura. Mos mendo për to dhe mos u anko! Por shikoji nga këndvështrimi i zhdukjes dhe i ikjes së tyre, dhe falënderoje Krijuesin tënd për to. Sa për ditët e ardhme, meqenëse ato ende nuk kanë ardhur, vendose besimin në Krijuesin tënd të Gjithëmëshirshëm e Mëshirëplotë dhe rri i qetë. Mos qaj para se të goditesh, mos u tremb nga asgjëja dhe mos ia jep mosqënies ngjyrën e qënies. Mendo pikërisht për orën e tanishme; forca jote e durimit është e mjaftueshme për të bërë qëndresë për këtë orë. Mos vepro si ai komandant i çmendur i cili i shpërndau forcat e tij në qendër nga e djathta dhe nga e majta në një kohë kur krahu i majtë i armikut iu bashkua krahut të djathtë të ushtrisë së tij duke e përforcuar dhe në kohën kur krahu i djathtë i armikut nuk ishte bërë akoma gati për luftë.. Dhe sapo e mësoi këtë armiku, mobilizoi një forcë shumë të vogël në qendër dhe atëherë e shkatërroi qendrën e tij që u la e dobët, dhe ia shpartalloi ushtrinë e tij.

O vëlla, mos ji si ai. Mobilizoje të gjithë forcën tënde për këtë orë të tanishme dhe mendo për mëshirën Hyjnore, për shpërblimin në Ahiret dhe si jeta jote e shkurtër dhe kalimtare transformohet në një jetë të gjatë e të përhershme. Në vend që të ankohesh me hidhërim, jep falënderime të gëzueshme”.

Ai person u lehtësua shumë dhe tha: “Lavdërimet dhe falënderimet i takojnë Allahut, tani sëmundja ime është një e dhjeta e asaj që ishte më parë”.

Marre nga Zell.al

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame