Djalli dhe ndjekësit e tij të sotëm!
- Krijuar : 10-08-24
- / 160 Lexime
“Betohem se unë do të nxjerr hisenë time duke i mashtruar robërit e Tu; do t’i çudhëzoj ata dhe do t’i mashtroj me gjithfarë iluzionesh. Nuk ka dyshim, që unë do t’i urdhëroj dhe ata do t’u presin veshët kafshëve të tyre. Do t’i urdhëroj sërish dhe ata do ta ndryshojnë atë që ka krijuar Zoti i tyre.”(1)
Kundërshtimet që shejtani i ka bërë Allahut (xh.sh.) janë dhënë në ajete të ndryshme të Kuranit Fisnik. Për shembull, në suren Hixhr ato na paraqiten me një sërë shprehjesh të paturpshme që burojnë prej xhelozisë dhe mosdurimit dot të tjetrit: “O Zot! Meqë më përzure mua, unë do t’ua zbukuroj atyre mëkatet mbi rruzullin tokësor dhe kam për të bërë që t’i përzësh edhe ata. Përveç robërve të Tu të sinqertë.”[2] Në suren Sad me fjalët: “Betohem në shenjtërinë Tënde, se përveç robërve të Tu të sinqertë, edhe unë do t’ua marr mendjen të gjithë atyre.”[3] Po njësoj, edhe në këto ajete që gjenden në suren Araf, paraqitet pikërisht kundërvënia e tij plot mllef dhe urrejtje: “Siç më mallkove Ti mua, edhe unë do t’u pres rrugën robërve të Tu dhe do t’i ndjek nga pas në çdo hap tyrin; do t’u ngre atyre kurthe, mandej do t’u shfaqem atyre njëherë nga para, njëherë nga pas, njëherë nga e djathta e njëherë nga e majta, derisa t’i ngatërroj.”[4]
Secila prej tyre nuk bën fjalë për asgjë tjetër veçse për një çmeritje. Shejtanin, ngase është i robëruar prej xhelozisë dhe smirës dhe ngase e ka lënë veten në kthetrat e mllefit dhe urrejtjes, ia kanë verbuar shikimin ndjenja vrastare, të cilat e kanë bërë që të nxjerrë nga goja të këtilla fjalë të çoroditura. Për rrjedhojë, megjithëse e ka njohur njëfarësoj të vërtetën, ai ka shprehur ato që e kanë shtyrë ndjenjat e këqija të thotë, ndaj edhe ka folur dhe ka mbajtur atë lloj qëndrimi.
I çorodituri pas bashkësive të çoroditura
Në fakt, këto fjalë të paturpshme që shejtani i ka thënë Allahut (xh.sh.) tregojnë për një sërë problemesh serioze që ai ka pasur edhe në të shkuarën. Ky problem mund të jetë dëshira për një pozitë apo pritmëria për një tjetër vlerësim. Sepse njohësit e mirë të së vërtetës thonë se nuk ka pasur vend në rruzull që ai të mos jetë përulur në sexhde. Dhe siç mund të kuptohet edhe prej betimeve që ai i bën Allahut (xh.xh.), kuptohet se ai e ka njohur Atë. Mirëpo, kjo dije nuk i ka përbërë kurrfarë dobie, sepse ka qenë një dije e pavënë në jetë. Si përfundim është kapur prej xhelozisë, duke mos e duruar dot Ademin (a.s.) dhe ka dalë i mundur prej smirës.
Sa më shumë që shihte arritjet e njeriut dhe performancën e tij në rrugën e Allahut, shejtani shkumëzonte mashtrime, kështu u kthye në një prej armiqve më të paepur të njeriut. Në një pikëvështrim, pas çdo çoroditjeje të bashkësive që e kanë humbur arsyetiminn gjendet pikërisht ndikimi i tij. Sepse njeriu, i cili për nga natyra është krijuar për të arritur trajtën më të përsosur – me një fjalë, i prirur për nga forma, pamja, domethënia dhe përmbajtja më e bukur – nuk priret nga demagogjia, dialektika, njollosja e të tjerëve, smira, etj., të cilat bien ndesh thelbësisht me natyrën e tij. Si rrjedhojë, le të thonë njerëzit që përfshihen në demagogji të këtij lloji, se i kanë përdorur ato duke përdorur neuronet dhe mendjen; se të këqijat e nxjerra prej gojëve të tyre janë produkt i korteksit të tyre, madje le të dyshojnë se të gjitha të këqijat i kanë realizuar vetë, e vërteta është se të gjitha ato janë kryer si pasojë e nxitjeve të shejtanit.
Në ajetet fisnike tregohen edhe rrugët që do të ndjekë shejtani për t’i devijuar njerëzit prej rrugës së të drejtës për hir të mllefit dhe inatit të vet. Allahu (xh.sh.) i urdhëron besimtarët që të mos largohen prej rrugës së të drejtës, duke u thënë: “Ja kjo është rruga ime e drejtë. Ndiqeni atë. Se mos ndiqni rrugë të tjera që do t’ju largojnë prej rrugës së Allahut. Përndryshe ndiqni gjithfarë rrugësh që ju çojnë në gjithfarë devijimesh.”[5] Sepse njeriu që largohet prej rrugës së drejtë, devijon në gjithfarë rrugësh të tjera, derisa kthehet në rob të epshit dhe dëshirave të tij. Njëherë e dëgjon të thotë kjo “-izëm”, njëherë tjetër ajo “-izëm”; fillon të pandehë se çdo dritë e rreme do ta çojë njerëzimin drejt lumturisë dhe paqtësisë shpirtërore, mirëpo nuk bën tjetër veçse e harxhon tërë jetën e tij pas “-izmave”. Në një kohë, kur rruga më e përshtatshme, që përputhet më së shumti me natyrën njerëzore dhe që i përgjigjet më së miri nevojave të tij, është rruga që ka treguar vetë Krijuesi i tij, që është zotërues i dijes absolute dhe të pashtershme. Shejtani, i cili e di mjaft mirë këtë rrugë dhe që është ngatërrestari më profesionist që mund të njihet, përdor dhe ka përdorur gjithnjë gjithfarë instrumentesh, duke përdorur pak kushtet e kohës dhe vendit pak edhe karakteret e ndryshme të njerëzve, për t’i bërë njerëzit që të largohen prej të drejtës dhe të vërtetës.
Mllef që nuk njeh të ngopur
Pikërisht për të treguar se si do ta bëjë këtë, shejtani shprehet kësisoj në ajetin “Betohem se do të nxjerr hisenë time prej robërve të Tu.”[6] Shkronja “lam” e mëvetësishme në krye të foljes dhe prania e një “nun”-i të dubluar në fund shprehin posaçërisht vendosmërinë e shejtanit në këtë pikë. Me një fjalë, shejtani thotë se një pjesë prej tyre do t’i kthejë në robër të vetët, do t’i marrë nën kontrollin e tij, e kështu do ta shfaqë ndikimin e tij pikërisht përmes tyre. Sot, shembuj të kësaj mund të vëresh sa të duash.
Mandej, sërish me një kuptimësim të përforcuar, shejtani thotë: “Pa dyshim që do t’i çorodis njerëzit dhe do t’i devijoj ata prej rrugës së drejtë.”[7] Domethënë nuk do t’i lë të qetë derisa t’i bjerr prej çdo lloj kriteri përsa i përket botës së tyre të ndjenjave dhe mendimit. Do të bëj ç’të më vijë ndoresh për t’i nxjerrë ata nga binarët. Dikë do ta zhys drejt bohemes, një tjetër do ta kthej në një të budallallepsur për t’u dukur, dikujt tjetër do t’ia marr mendjen me ambicien për të ardhmen, dikë do ta përvëloj me afshin e pangopësisë, dikë tjetër do ta tërheq zvarrë drejt batakut të smirës, dikë tjetër në një despot që s’do t’i njohë të drejtë jete kurrkujt tjetër veç vetes, e kështu do ta bëjë që të ngarendë prej një padrejtësie në tjetrën. Secila prej tyre është nga një shthurje që e çojnë njeriun dret çudhëzimit. Nga ky këndvështrim, ndaj edhe ne i lutemi Allahut (xh.sh.) plot dyzet herë në ditë në namazet tona, që të mos na ndajë prej rrugës së drejtë. “(O Zot!) udhëzona ne në rrugën e drejtë! Udhëzona në rrugën e atyre që i nderove me mirësitë dhe shpërblimet e Tua. Mos na shty ne në rrugën e atyre që devijuan duke u bërë të padrejtë me veten!“[8]
Shejtani dhe feja e zbrazur nga përmbajtja
Një tjetër kërcënim që del prej gojës së shejtanit në çastet kur shkumëzon prej mllefit e urrejtjes është shprehur me fjalët “Patjetër që do t’i lëshoj ata në gjithfarë iluzionesh.” Me iluzione këtu ka parasysh harxhimin e jetës në gjëra që nuk kanë kurrfarë lidhjeje me të vërtetën, por janë thjesht stisje dhe prodhime të imagjinatës. Edhe lidhja që shumë njerëz të epokës së injorancës bënin mes objekteve dhe fatit të tyre, duke i cilësuar disa syresh si ogurmira e disa të tjera si ogurzeza, janë disa prej këtyre iluzioneve. Edhe idhujt që ata i kishin krijuar vetes ishin po ashtu ndër iluzionet me të cilat ishin kapluar. Ata edhe Qaben e kishin mbushur plot me idhuj dhe në çdo anë të Arabisë mund të rastisje në mijëra e mijëra latë, menatë, isafë, naile, etj. I adhuronin dhe flijonin për to. E njëjta gjë vlen edhe për ata që duan ta tregojnë vjedhjen, grabitjen, gënjeshtrën dhe shpifjen si gjëra krejt të natyrshme dhe ata duhet ta dinë se me botëkuptimin e tyre për një fe krejt të zbrazur nga domethënia nuk mund të arrihet askund, duke qenë se ky është thjesht një iluzion i tyri.
Në vijim të ajetit, shejtani thotë: “Patjetër, që unë do t’u urdhëroj atyre dhe (me ndikimin e fjalës sime) ata do t’ua presin veshët kafshëve të tyre.”[9] Andaj edhe në periudhën e injorancës njerëzit ua vulosnin veshët bagëtive të tyre, të cilat mandej i konsideronin si të ndaluara për t’u ngrënë.
Shndërrimi më i madh: Devijimi nga qëllimi i krijimit
Duke thënë: “Betohem se unë do t’i urdhëroj ata sërish dhe ata do ta ndryshojnë atë që ka krijuar Zoti i tyre.”[10] shejtani vijon të vërë në pah paturpësinë e tij. Allahu (xh.sh.) e ka krijuar çdo krijesë në një formë dhe me një natyrë të caktuar. Të kërkosh ndryshim në të është një tjetër lojë e djallit. Nga ana tjetër, njeriu, i cili, për nga natyra, është krijuar i prirur për të përsosurën, do të jetë duke vepruar në përputhje me natyrën e tij kur të ketë vepruar sipas ligjësive të parashtruara prej Allahut (xh.xh.) dhe kur të ndjekë rrugë dhe mënyra veprimi të tjera, atëherë do ta ketë ngatërruar vetë veten, duke dalë prej natyrës së tij.
Krahas këtyre, nëse ky ajet fisnik do të interpretohet nga një pikëpamje më moderne, mund të thuhet se me këtë shenjohen edhe operacionet plastike me qëllime estetike. Fakti që njerëzit ngrihen dhe kërkojnë ta ndryshojnë pamjen e tyre të jashtme sipas qejfit pse nuk u pëlqejnë gjymtyrët e tyre siç i kanë është një tjetër formë e ndërhyrjes në natyrë, e që të gjitha këto janë ngjarje që nxiten prej ngacmimeve të shejtanit. Megjithatë, ndërhyrjet për të përmirësuar një papritur që mund të ketë ndodhur për një gabim të doktorit në çastin e lindjes së fëmijës, apo ndërhyrja në deformimet e shkaktuara për shkak të një aksidenti nuk cilësohen si ndërhyrje në të natyrshmen. Përkundrazi, këto janë përpjekje për t’u rikthyer në gjendjen në të cilën na ka krijuar Allahu i Madhërishëm (xh.sh.).
Në fakt, meqenëse shndërrimi i asaj që ka krijuar Allahu është një shprehje shumë përgjithësuese, pasqyrimet e tij mund të vërehen në raste nga më të shumtat. Allahu (xh.xh.) është shprehur se “I kam krijuar njerëzit dhe xhindet vetëm që të më adhurojnë (vetëm) Mua.”[11] Kjo do të thotë se thelbi i natyrës njerëzore është adhurimi i Krijuesit. Me një fjalë, Allahu e ka krijuar njeriun për asgjë tjetër veçse që të adhurojnë Atë. Kështu, njerëzit që nuk e adhurojnë Allahun (xh.sh.) do të thotë se po veprojnë përkundër qëllimit për ç’janë krijuar. Po kështu, edhe mendja, aftësia e arsyetimit dhe logjika, atij i janë dhënë për të parë brenda dhe jashtë vetes, për të medituar, për të mësuar, për të përmendur Allahun (xh.xh.) me falënderim dhe për të arritur në sinteza mbi ligjësitë e krijimit. Ata që i hulumtojnë deri në imtësitë më të vogla ligjësitë e krijimit dhe nxjerrin syresh kuptime nga më të ndryshmet, përpqen t’i shprehin atyre nëpërmjet ligjësish të njohura bashkërisht edhe prej të tjerëve dhe mandej, pasi i kanë kuptuar drejt misteret hyjnore, i drejtohen me adhurim Njësisë Krijuese dhe Zotëruese, do të thotë se e kanë përmendur mendjen dhe logjikën e tyre në përputhje me krijimin e tyre. Deri në shekullin e pestë, në periudhën e Rilindjes Islame, ashtu siç shkencëtarët myslimanë bënë disa zbulime të dobishme për mbarë njerëzimin, edhe sot, shkencëtarët perëndimorë, duke e përdorur drejt logjikën dhe gjykimet e tyre, janë duke bërë të njëjtën gjë.
E njëjta qasje është e vlefshme edhe për organet e tjera. Për shembull, syri është krijuar për një qëllim të caktuar. Dhe ai është, që syri të shohë drejt gjërave që duhet të shohë, t’i shikojë drejt ato që sheh, të depërtojë në anën e pasme të tyre dhe të nxjerrë një sërë domethëniesh syresh. Siç e thotë edhe Rexhaizade Ekrem, gjithësia është nga fillimi në fund një libër madhështor. Cilëndo shkronjë të saj të ngresh, pas saj shfaqet Allahu (xh.sh.). Edhe Bediuzamani thotë një shprehje, e cila daton shekuj para tij, që thotë: “Kuptoji thellësisht vargjet e gjithësisë. Sepse ato janë të gjitha mesazhe që ju zbresin prej Lartësive Qiellore.”[12] Për rrjedhojë, e rëndësishme është që pas çdo gjetheje të pemëve, pas çdo fidani që lëkundet nga era, të mund të dëshmosh fuqinë, dijen dhe vullnetin e Allahut. Kështu që njeriu është një përmendore e atillë, dora dhe këmba, gjuha dhe buzët, sytë dhe veshët e të cilit janë libra më vete që nuk shterojnë nga të vërtetat që reflektojnë. E çdo përpjekje e njeriut për ta kuptuar saktë këtë libër do të thotë se po e përdor syrin, logjikën dhe arsyen në përputhje me qëllimin e krijimit të tyre.
Po ashtu, nëse njeriu nuk i përdor veshët për të dëgjuar përfolje, shpifje, gënjeshtra dhe gjëra pa vlerë, kjo tregon se ai nuk i përdor veshët e tij përkundër qëllimit të krijimit të tyre. Dhe ngase kjo cilësohet si shpërdorim, Ai që ia ka falur ato si mirësi, vjen një ditë dhe i kërkon llogari për to në jetën e përtejme. Po njësoj, Allahu (xh.sh.) i ka falur njeriut, ndryshe nga tërë gjallesat e tjera, një mirësi krejt të veçantë, siç është ajo e gjuhës. Me të njeriu mund të shprehë veten deri në imtësi. E s’ka dyshim që edhe kjo mirësi ka një qëllim të caktuar per ç’është krijuar. Moslënia e saj që të degjenerojë, që të lëshohet në kotësi, që të gënjejë dhe e anasjella, kthimi i saj në përkthyese të së vërtetës, në shpjeguese të të vërtetave që duhen thënë dhe në kasnec të bukurive të mirëfillta janë ndër qëllimet e krijimit të saj. Mirëpo, siç kuptohet edhe prej fjalëve të tij të paturpshme që përmendëm më sipër, shejtani përpiqet si e si që ta pengojë njeriun që t’i përdorë këto organe të veçanta që i janë falur në rrugën e së mbarës dhe të bukurës. Për shembull, ai do ta nxisë njeriun që ta përdorë mendjen për të manipuluar të tjerët dhe, me një qasje makiaveliste, do t’i tregojë atij se çdo rrugë është e lejuar për të arritur qëllimet. Madje edhe më tej, edhe atyre njerëzve që shkojnë në xhami, ka për t’i nxitur që të përvetësojnë një këndvështrim që ta shohë çdo gjë si të pakategorizuar në të lejuar a të ndaluar, do t’i shtyjë ata që të përfitojnë sa më shumë prej mirësive të kësaj bote pa parë në është e ndaluar a e lejuar. Kështu, do të përpiqet që t’i largojë nga rruga e Allahut edhe ata që ndjekin rregullisht rrugën e faltores. Ja pra, kësisoj, njeriu, duke mos i përdorur në rrugë të drejtë mirësitë që i janë falur, do të ndërhyjë në natyrën e vet duke iu bindur nxitjeve të shejtanit, derisa vjen një ditë dhe e gjen veten nën kontrollin e tij. Kjo është arsyeja pse Kurani Fisnik, me një stil që na i trondit zemrat, na thotë: “Kushdo që braktis Allahun dhe bën shok shejtanin (e lëshon veten pas vesveseve dhe nxitjeve të tij) do ta ketë lëshuar veten në më të madhen e humbjeve.”[13]
Andaj, njeriu duhet të ketë kujdes, se pas çdo lëvizjeje që mbetet jashtë urdhëresave të Allahut (xh.sh.) në Kuranin Fisnik mund të ketë gisht shejtani, dhe ta kërkojë menjëherë mbështetjen tek Allahu (xh.sh.). Dhe ndërkohë që i drejtohet Allahut me sinqeritet për t’i kërkuar ndihmë, duhet të qëndrojë dhe të sillet vazhdimisht në një mënyrë të atillë që do ta mbante shejtanin larg prej tij. Për shembull, në hadithet e bukura thuhet se kur njeriu ulet në sexhde, shejtani klith dhe largohet menjëherë së andejmi.[14] Për rrjedhojë, çdo udhëtar i së drejtës, i cili do që të jetë i qetë përballë hileve dhe lojërave të shejtanit, duhet ta çojë jetën në rrugën e adhurimit pandërprerë të Allahut, të përpiqet me mish e me shpirt, deri në vdekje, për përhapjen e emrit të Allahut (xh.sh.) në çdo anë, duke i vënë vetes një kryq, që prej tij të rrezatohet veçse Krijuesi. Të gjitha këto janë fortesa që njeriu duhet t’i ngrejë për t’u mbrojtur prej sulmeve të armikut të tij më të paepur. Ndërsa njerëzit që përfshijnë edhe interesat, mendimet dhe dëshirat e tyre personale e të kësibotshme gjatë ecjes në rrugën e Allahut dhe ata që janë të vdekur përsa i përket jetës së zemrës së tyre, jo vetëm që do të kenë rrënuar çdo fortesë mbrojtëse, por do t’ia kenë dorëzuar vetë zemrën e tyre shejtanit.
"Për të vazhduar punën tonë dhe për të sjellë më shumë përmbajtje të vlefshme për ju, ju lutemi të merrni në konsideratë dhurimin e një shume të vogël. Çdo kontribut është i çmuar për ne dhe do të shkojë në përhapjen e përmbajtjes sonë dhe promovimin e vlerave të shumta dhe të bukura të Islamit në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni."
DHUROShare News
-
Të fundit
-
Më të lexuarat