Thursday 21-11-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Çfarë është besimi, imani?!

admin
  • Krijuar : 12-08-24
  • / 145 Lexime

Njeriu nëpërmjet dritës së besimit ngjitet në shkallën më të lartë dhe fiton një vlerë të denjë për parajsë. Kurse nëpërmjet errësirës së mosbesimit ai zbret në shkallën më të ulët duke rënë në një pozitë që i shkon për shtat vetëm ferrit; kjo, për arsye se besimi është lidhje me Krijuesin e Gjithëlavdishëm . Kështu njeriu fiton një vlerë shumë të madhe në sajë të Mjeshtërisë Hyjnore dhe të skalitjeve të Emrave Hyjnorë që shfaqen tek ai përmes besimit. Mosbesimi e këput këtë lidhje dhe, si rrjedhojë, arti Hyjnor fshihet. Atëherë vlera e njeriut do të gjente shprehje vetëm në botën materiale dhe meqenëse në materie rrjedh një jetë e shkurtër, kalimtare e shtazore, domethënia dhe brendia e këtyre vlerave do të degjenerohej në pothuajse asgjë. Këtë mister do ta sqarojmë nëpërmjet një krahasimi.

Për shembull: Nëse do të marrim parasysh artet e njeriut, vlera e materialeve të përdorura dhe vlera e artit në punimin e tyre janë krejtë-sisht të ndryshme. Ndonjëherë ato janë të barabarta; në disa raste materiali është më i çmueshëm; nganjëherë ndodh që një vlerë arti prej pesë monedhash ari të gjendet në materiale si hekuri i cili vlen pesë qindarka dhe në raste të tjera ndonjë vepër antike arti mund të vlejë miliona, ndërkohë që materiali prej të cilit përbëhet nuk kap vlerën e pesë qindarkave.

Atëherë, në qoftë se një vepër antike e tillë arti, një punë e një mjeshtri të përkryer e virtuoz i kohëve të lashta, do të ekspozohej në një treg antikash dhe të bëhej e njohur duke përmendur piktorin dhe artin e tij, pa dyshim ajo mund të shitej me miliona dollarë. Ndërsa po të dërgohej ajo vepër arti për t’u ekspozuar tek një tregtar hedhurinash industriale apo kovaçhane, ndoshta askush nuk do të shkonte për ta blerë, ose çmimi me të cilin do të vlerësohej, do të ishte i barabartë me vlerën e saj materiale, pra jo më tepër se pesë qindarkat e metalit në të cilin vepra do të ishte punuar.

Kështu pra, njeriu është një vepër antike e përkryer arti, i punuar nga Krijuesi i Gjithëditur. Ai është mrekullia më e hijshme dhe e hollë e të Gjithëfuqishmit, i Cili e krijoi që t’i shfaqë tek ai të gjithë Emrat e Tij së bashku me mbishkrimet dhe skalitjet e tyre në formën e një modeli të zvogëluar të universit.

Në qoftë se drita e besimit do të futej në qënien e njeriut, atëherë të gjitha skalitjet kuptimplote tek ai do të mund të lexoheshin me atë dritë. Pasi ai që e ndien pulsin e besimit nëpërmjet kësaj lidhje, i lexon me vetëdije ato duke i bërë edhe të tjerët që t’i lexojnë. Kjo do të thotë se arti Hyjnor tek njeriu bëhet i dukshëm nëpërmjet kuptimit të të vërtetave si: “Unë jam krijesa dhe produkti i Krijuesit të Gjithëlavdishëm. Shikoni se si shfaqet tek unë mëshira dhe bujaria e Tij.” Me fjalë të tjera, besimi i cili përbëhet nga të qënit i lidhur me Krijuesin, bën të qartë të gjithë artin Hyjnor tek njeriu dhe me këtë përcaktohet vlera e njeriut e cila është në harmoni me atë art dhe me shkëlqimin e asaj pasqyre të Krijuesit Absolut. Nga ky këndvështrim, ky njeri i parëndësishëm shndërrohet duke zënë vendin më të lartë midis krijesave; duke u bërë i denjë për të marrë mesazhet Hyjnore dhe të arrijë nderin e të qënit mysafir i parajsës.

Ndërsa në qoftë se hyn mosbesimi tek qënia e njeriut, që do të thotë prishje e marrëdhënieve me Krijuesin, atëherë të gjitha mbishkrimet kuptimplote të Emrave Hyjnorë do të zhyteshin në errësirë dhe nuk do të mund të lexoheshin, sepse po të harrohet Krijuesi, atëherë aftësitë shpirtërore që e perceptojnë Atë dhe që janë të orientuara drejt Tij, nuk do të kuptoheshin, madje ato do të përmbyseshin. Shumica e atyre arteve sublime dhe skalitjeve të bukura kuptimplote do të fshiheshin dhe pjesa tjetër, domethënë ato që mund të kapen me sy, do t’u atribuoheshin shkaqeve të rëndomta, natyrës dhe rastësisë duke u zhvlerësuar kështu krejtësisht. Në një kohë kur secila nga ato është një diamant brilant, ajo do të bëhej si një copë e zezë dhe e errët qelqi dhe që i ka humbur shkëlqimi. Kështu, rëndësia e tij do të kufizohej vetëm tek qënia fizike e shtazore. Ashtu siç thamë, qëllimi dhe rezultati i qënies së tij fizike apo materiale është vetëm kalimi i një jete të shkurtër e të pjesshme, të cilën njeriu e jeton si më i pafuqishmi, më nevojtari dhe më i dëshpëruari nga të gjitha krijesat. Pastaj ai kalbet e mbaron. Shiko pra se si mosbesimi e shkatërron natyrën njerëzore dhe si e transformon atë nga diamanti në qymyr.

Marre nga Zell.al

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame