Thursday 21-11-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

A lejohet birra, vera dhe shampanja pa alkool?

admin
  • Krijuar : 20-11-24
  • / 263 Lexime

Në radhë të parë duhet të jemi të vetëdijshëm për disa detaje të rëndësishme në lidhje me këto produkte:

  1. Birra dhe vera pa alkool zakonisht përgatiten duke përdorur një proces të veçantë që heq pjesën më të madhe të alkoolit. Pra këto produkte në radhë të parë alkoolizohen dhe pastaj i aplikohet procesi i dealkoolizimit. Megjithatë, disa sasi të vogla alkooli mund të mbeten pas këtij procesi.[1]
  2. Pjesa më e madhe e pijeve që reklamohen si “pa alkool” përmban sasi të vogla alkooli, zakonisht më pak se 0.5% përqind. Kjo është ndryshe nga pijet alkoolike që përmbajnë më shumë se 5% alkool.[2]
  3. Në disa vende, ligjet dhe rregulloret kërkojnë që produktet që quhen “pa alkool” të përmbajnë më pak se 0.5% alkool. Në vende të tjera, ky standard mund të ndryshojë.[3]

Në anën fetare konsumimi i produkteve të alkoolizuara nëpërmjet fermentimit apo duke i injektuar alkool më pas, është haram. Përjashtohen ushqimet, të cilat përmbajnë një përqindje të ulët alkooli si 0.2-0.3% në mënyrë të natyrshme, gjë e cila gjendet në shumicën e tyre.

Ajetin kuranor në suren Maide ndalon rreptësisht konsumimin e alkoolit (Maide, 5/90). Në hadithet e Profetit (a.s), përcaktohet edhe kriteri i të qenit i ndaluar, që është përmbajtja e alkoolit, pavarësisht se pak, duke thënë: Çfarë të deh në sasi të mëdha, është haram edhe në sasi të vogla (Muslim, Eshribe, 74; Ebu Daud, Eshribe, 5, Tirmidhi, Eshribe, 3). Nga ky hadith janë përvetësuar dy interpretime:

1 – Nëse një produkt ka aq pak alkool, saqë një njeri sado që të pijë kurrë nuk do të dehet, atëherë lejohet të konsumohet.

2 – Çdo produkt me veçori dehëse është haram, pavarësisht nga sasia.

Nisur nga këto parime ka disa qasje në lidhje me temën e birrës, verës apo shampanjës pa alkool.

Qasja e parë është që nuk ka asnjë problem të konsumosh produktet e mësipërme, duke qenë se ato pavarësisht se nuk janë 100% të dealkoolizuara, lejohet të konsumohen për shkak se kanë një përmbajtje aq të ulët alkoolike, saqë njeriu kurrë s’mund të pijë aq sa të dehet. Madje Ibn Uthejmin në një material lehtësisht të gjendshëm në mediat sociale shprehet se edhe nëse birra përmban 1-3% alkool, ajo është e lejuar, sepse sado që njeriu të pijë kurrë s’ka për tu dehur me të.[4]

Qasja e dytë është më konservatore. Sipas kësaj qasjeje në përputhje me parimet fetare, siç është haram kryerja e veprave të ndaluara, është haram edhe të përgatisësh terrenin për to duke ndihmuar, inkurajuar ose mbështetur në ndonjë mënyrë.

Sipas kësaj, edhe nëse birra quhet “pa alkool”, për shkak të natyrës së saj si një pije që ndihmon në prodhimin dhe konsumimin e alkoolit dhe për shkak se ajo mund të nxisë përdorimin e tij, konsumimi i saj nuk është i lejuar.[5] Në anën tjetër vetë përdorimi i alkoolit është i ndaluar në ushqime. Këtu, diçka që është nexhis (e papastër fetarisht), përfshihet në ushqim, duke mos u eliminuar plotësisht. Kjo e bën përsëri të ndaluar.

Qasja e tretë është se përderisa ka dijetarë që i thonë hallall, duke e argumentuar në mënyrë të logjikshme dhe bazuar në argumente, minimalisht nuk mund t’i thuash haram në formë të prerë. Duke pasur parasysh që ana e ndaluar rëndon më shumë, më së pakti arrihet në konkluzionin që konsumimi i birrës, verës apo shampanjës pa alkool nuk mund të konsiderohet si një vepër çfarëdo, në lejimin e të cilës s’ka asnjë dyshim. Dyshime ka dhe janë të shumta.

Ndër to mund të përmendim: fakti që birra pa alkool prodhohet nga të njëjtat firma që prodhojnë birrën me alkool, përdorimi i diçkaje nexhis (e papastër fetarisht) duke mos u pastruar plotësisht prej saj, simbolizimi i emrave “birrë, verë dhe shampanjë” pijet alkoolike të cilat mund të hapin derën e nxitjes së konsumimit të pijeve alkoolike, ngjyra dhe shija është e njëjtë me versionin alkoolik të tyre, etj.

Sipas kësaj, nëse diçka ka potencialin për të çuar në haram, nëse nxit njerëzit drejt tij, ose nëse ndihmon në eliminimin e barrierave që ndajnë individët nga harami, atëherë kjo nuk mund të konsiderohet e pafajshme dhe e lejuar. Duhet të merren masa për të parandaluar këtë situatë. Individët dhe shoqëria myslimane duhet të ndërtojnë barriera të forta për të mbrojtur veten nga harami dhe të shmangin ndonjë veprim që mund t’i afrojë ata me kufijtë e të ndaluarës.

Profeti (a.s) ka thënë: “Vërtetë, hallalli është i qartë edhe harami është i qartë, e mes këtyre dyjave ekzistojnë gjëra të dyshimta, që shumë njerëz nuk i njohin. Kushdo që ruhet prej gjërave të dyshimta, ka ruajtur fenë dhe nderin e tij. E kushdo që nëpërkëmb e nënvlerëson dyshimet, ka mundësi që të bjerë në haram, porsi një bujk i cili ruan kopenë rreth kufijve. Ai ka frikë se mos kopeja tejkalon kufijtë. Të dini se çdo sundimtar ka një hapësirë të veçantë që nuk lejon të hyhet në të. Hapësira e veçantë e Allahut janë haramet e Tij.” (Buhari, Iman, 37; Muslim, Musakat, 107) Allahu di gjithçka më së miri./insi.al/

———

[1] Artikuj nga BBC Good Food përshkruajnë se birra pa alkool prodhohet duke përdorur procese të ndryshme për të hequr alkoolin, duke përfshirë distilim të nxehtësisë dhe filtrimin e membranës (https://www.bbcgoodfood.com/glossary/non-alcoholic-beer).

Ky burim ofron informacion mbi mënyrat se si prodhohet birra pa alkool, duke përfshirë heqjen e alkoolit gjatë procesit të fermentimit (https://www.brewersassociation.org/statistics-and-data/craft-brewing-statistics/).

[2] Sipas standardeve të FDA-së (Administrata e Ushqimeve dhe Ilaçeve në SHBA), për një pije të etiketuar si “pa alkool”, përmbajtja e alkoolit duhet të jetë më pak se 0.5% përqind (https://www.fda.gov/food/food-labeling-nutrition/non-alcoholic-beverages).

Kjo është një praktikë e zakonshme në shumë vende. Në Bashkimi Evropian, për produktet që quhen “pije pa alkool” përmbajtja e alkoolit duhet të jetë nën 0.5% përqind (Rregullorja e BE-së 1169/2011 për etiketimin e ushqimeve).

[3] Në SHBA, TTB (United States Alcohol and Tobacco Tax and Trade Bureau) specifikon se një pije duhet të ketë më pak se 0.5% alkool për t’u klasifikuar si pa alkool (https://www.ttb.gov/beverages/non-alcoholic-beverages).

Në BE (European Commission), rregullorja e etiketimit kërkon që produktet që janë etiketuar si “pa alkool” të përmbajnë më pak se 0.5% alkool (Rregullorja 1169/2011 mbi informacionin për konsumatorët në lidhje me ushqimin).

[4] Shih (https://www.youtube.com/watch?v=ho6jHnSQJPk).

[5] Shih (https://kurul.diyanet.gov.tr/Cevap-Ara/1210/alkolsuz-bira-icmek-caiz-midir#:~:text=Buna%20göre%2C%20dinen%20necis%20sayılması,dahi%20bira%20tüketimi%20caiz%20değildir).

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame