Kur u hedhim një sy qytetërimeve të kaluara, shohim se shembja pothuajse e të gjithave ka lidhje me një brejtës moral. Disa herë mund të mos ndjehet asgjë ndërsa vlerat e shoqërisë gërryhen nga poshtë heshturazi me anë te imoralitetit. Ndërkaq, kur ta ndjejmë, çdo gjë do të ketë marrë fund, ashtu siç nuk e kuptojmë se jemi sëmurur nga kanceri gjersa të ketë lëshuar metastaza gjer në pikat tona më të ndjeshme.
Asisoj, që kur e marrim vesh, udhëtimi për matanë ka kohë që ka nisur…
Ashtu siç është kanceri rrënues për trupin e njeriut, edhe imoraliteti është rrënues për jetën e popujve. Nëse drejtuesit e shtetit, pastaj kryetarët e familjeve, edukatorët dhe shoqëria janë mospërfillës ndaj një shthurjeje morale të tillë, kombi shembet me zhurmë e potere pa e marrë vesh kush këtë gjë, e pa i rënë askujt në sy germadhat. Kush e di, mbase disa, ashtu si qeniet që strehohen nën germadha, e shohin këtë si diçka të natyrshme, duke menduar se ja, kjo qenka jeta!
Po, nëse do të zbresim tek shkaktarët më të medhenj të shkatërrimit të popujve, do të shohim se kanë qenë të njëjtë: bohemizimi i të rinjve dhe, në këta shpirtra të shkujdesur, dëshira për përjetimin e ndjenjave shtazore, shtënia pas ndjenjave epshore, cilësimi i kësaj jete si synim i vetëm, ndërkohë që nxitet harrimi i tjetrës, të përtejshmes. Largimi nga Allahu dhe kthimi i shpinës Kur’anit, fshirja nga zemrat e ndjenjave të frikës dhe ndjeshmërisë për ta lidhur çdo gjë vetëm me lëndësoren e saj.
Gjer te osmanët, të gjitha këto elemente janë te pranishme në shembjen e shumë shteteve. Mbi vorbullat e krijuara nga boshllëqet moralo-shpirtërore është shkuar me interesa materiale që do t’i harbonin me keq, duke hyrë sakaq në një rreth vicioz. Kurse lëngata buronte ngaqë populli e kishte humbur botën e tij shpirtërore, ishte larguar nga Kur’ani dhe parimet islame, e kishte harruar Allahun.
Atyre që kërkonin shpëtim për lëngatën e ndjenjave, u ofrohej shpëtim nga burimi i lëngatës! Kurse çështja qëndronte ndryshe: nëse njerën anë të njeriut e përbën ajo çka është materiale, e kësibotshme, anën tjetër, madje esencën e tij, e përbënte dhe e përbën kuptimi dhe bota tjetër, e përjetshmja. Pika e thyerjes ishte e qartë: çdo gjë buronte nga shtënia pas formës dhe nënvleftësimi i kuptimit, përmbajtjes.
Mbyllja e një mangësie të tillë përsëri me lëndën apo materien ishte e pamundur. Në fakt, po të trajtoheshin të dyja së bashku dhe sipas dimensioneve të veta, domethënë, po të zbatohej drejtësia (e drejta) e Allahut sipas madhështisë së vetë Allahut, po të pranohej e drejta e Kur’anit po në atë masë, po t’i jepej vlerë botës sa dimensioni i saj dhe përjetësisë sa përjetësia, çdo gjë do të gjente ekuilibrin e nevojshëm.
Kurani shprehet: “Kërkoje vendin e përjetësisë me atë që të ka dhënë Allahu (duke e shpenzuar në udhën e Tij), por mos e harro as pjesën që të takon nga kjo botë!“1. Po, duhet përgatitur për jetën e pasme duke i vlerësuar shëndetin, vitalitetin, pasurinë dhe mendjen të favorizuara nga Allahu, por duke mos e harruar edhe pjesën që i takon nga kjo botë! Ky është kriteri i Kur’anit. Nëse ekuilibri botë-përjetësi do të rregullohej sipas këtij parimi, ndoshta nuk do të shkatërroheshim dhe merreshim nëpër këmbë gjer në këtë masë. Ja pra, në ditët tona, kur gjërat materiale të tërheqin më së tepërmi kah vetja janë të shumta, individi privohet nga kujtimi i Allahut, është e domosdoshme që, duke e zhvilluar çështjen e edukimit në familje, para së gjithash, të përcaktohen specifikat që do të çonin drejt një marrëveshjeje mbi parimet moralo-etike.
Çdo komb ka pasur ngritjen dhe rënien e tij. Kombi është lartësuar me anë të parimeve lartësuese dhe është përmbysur me anë të faktorëve rrënues. Sepse ligjet e natyrës veprojnë brenda një detyrimi të kushtëzuar. Edhe natyrën si një pjesë të gjithësisë, Allahu (xh.xh.) e ka krijuar formalisht të varur nga këto ligje të detyruara. Prandaj duhen respektuar ligjet e natyrës dhe argumentet e krijimit. Nëse duke pasur siguri në mirëkuptimin e tyre, krijoni të meta në një sërë detyrash tuajat, ateherë rrezikoni të shkatërroheni, madje të eliminoheni prej tyre. Ato janë ligje që nuk të falin. Allahu ju fal, por ligjet dhe argumentet e krijimit, e thënë ndryshe, ligjshmëria e krijimit, është diçka që nuk të fal kurrë. Po qe se metoda përcaktohet drejt sipas këtyre ligjeve, Allahu ju ngjit në shtresën më të lartë qiellore, por nëse shkaqet respektohen me mangësi (kur nuk bëhet fjalë për një trajtim të veçantë), ju rrëzon në gjendjen më të fëlliqur që mund të mendohet për qenien njerëzore.
Nëse do t’i kthehemi problemit të kreut, duhet t’u gjejmë përgjigje këtyre pyetjeve: A jeni të bindur se ekzistojnë disa faktorë seriozë dhe disa shkaqe objektive që çojnë në prishjen e moralit? A mendoni me të vërtetë se ka nje vorbull morali? Kjo jetesë e trazuar aktuale, a është një imoralitet apo shfaqje e një gjendjeje normale? / pjesë e shkëputur nga libri “ Nga fara tek lisi” – zell.al