Saturday 10-05-2025
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Përshkallëzohen tensionet Indi–Pakistan: Sulme ajrore dhe raketa balistike ndezin konfliktin

admin
  • Krijuar : 10-05-25
  • / 162 Lexime

Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit kanë arritur një pikë alarmante, pas raportimeve për sulme të ndërsjella ajrore dhe përdorim të raketave balistike. Një zëdhënës i ushtrisë pakistaneze deklaroi se avionë luftarakë indianë kanë goditur me raketa ajër-tokë tre baza ajrore në territorin pakistanez, Noor Khan, Murid dhe Sorkot, megjithatë, pa shkaktuar viktima apo dëme të konsiderueshme materiale.

“India tani duhet të përgatitet për përgjigjen tonë,” paralajmëroi zëdhënësi. Pak më vonë, televizioni shtetëror njoftoi nisjen e hakmarrjes nga ana e ushtrisë pakistaneze.

Ndërkohë, dhjetë shpërthime janë dëgjuar pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Srinagarit, në rajonin e Kashmirit të administruar nga India. Ngjarjet janë shoqëruar me ndërprerje të energjisë elektrike në qytetin Jammu.

Situata u tensionua më tej kur, sipas ushtrisë pakistaneze, India lëshoi gjashtë raketa balistike nga Ishujt Andaman dhe Nikobar. Pesë prej tyre goditën qytetin Amritsar në shtetin indian të Punjabit, ndërsa një tjetër ra në vetë ishujt nga ku ishte lëshuar. Pakistani e ka cilësuar këtë veprim si një “provokim ekstrem dhe të pakuptimtë”.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se dëshmitarë në Amritsar kanë dëgjuar shpërthime të fuqishme në zonë. Si masë sigurie, Pakistani ka mbyllur hapësirën ajrore për të gjitha fluturimet civile deri në mesditën e së shtunës.

Vendet anëtare të G7-ës kanë bërë thirrje për përmbajtje maksimale dhe ç’tensionim të menjëhershëm. Ndërkohë, kjo përballje, më e rënda në dekada mes dy fuqive bërthamore, ka shkaktuar deri tani mbi 50 viktima civile nga të dyja palët.

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2025 All rights reserved - Bota Islame