Çështjes së martesës feja i jep rëndësi më shumë se sa mund të merret me mend. Paralel me këtë, edhe juristët islamë e kanë trajtuar kurorën si një çështje të rëndësishme, kanë shkruar vëllime të tëra rreth saj duke qëndruar mbi të posaçërisht. Juristët e kanë ndarë kurorën në kategoritë detyrim (farz), domosdoshmëri (vaxhib), traditë (sunnet), ndalim, shkelje (haram) dhe papëlqyeshmëri (mekruh) si dhe e kanë kushtëzuar pak edhe me gjendjen specifike të personave. Kjo do të thotë kështu: Askush nuk mund të martohet si t’i vijë për mbarë; personi i ardhur në një nivel të caktuar, është i detyruar të martohet; madje, ndërsa martesa e disave është domosdoshmëri (vaxhib), martesa e disa të tjerëve, për shkak të gjendjes së tyre të posaçme, është e papëlqyeshme, e shëmtuar (mekruh).
Martesa e detyrueshme (farz)
Personi që ka rrezik të bjerë në situata të ndaluara fetarisht (haram), e ka të detyruar (farz) të martohet nëse ka mundësi ta paguajë garancinë e kurorës (mehr) dhe të sigurojë mjetet për mbajtjen e familjes. Sipas disave, duhet të martohet edhe nëse nuk agjëron dot (me qëllim për të mposhtur dëshirat seksuale).
Me fjalë të tjera, martesa për të mos rënë në faj (haram) është parim dhe martesa duhet të jetë zgjidhja e vetme për dikë që përballet me rrezikun.
Martesa e domosdoshme (vaxhib)
Martesa e personit që ka mundësi ta paguajë garancinë e kurorës dhe ta mbajë familjen, ndërkohë që nuk ndodhet para ndonjë rreziku imediat për të rënë në faj me përjashtim të një dyshimi, është e domosdoshme
Martesa traditë (sunnet)
Eshtë traditë (sunnet), domethënë normale dhe e mundshme martesa e personit që nuk ka asnjë rrezik apo shqetësim dhe që ka dëshirë dhe është i interesuar të martohet.
Martesa e palejueshme, e ndaluar, e dënueshme (haram)
Eshtë e palejueshme, e ndaluar dhe e dënueshme martesa për personin që do ta shtynte në veprime të fajshme, që do ta detyronte të përdorte rrugë të ndaluara e të dënueshme për ta mbajtur familjen. Një martesë e tillë është, më e pakta, e papëlqyeshme dhe e shëmtuar (mekruh). Ka juristë që e quajnë të ndaluar ose të papëlqyeshme edhe martesën e një mashkulli me çekuilibër mendor-shpirtëror të tillë që do ta kaqtrajtonte të shoqen.
Martesa e papëlqyeshme (mekruh)
Sipas disave, është e papëlqyeshme edhe martesa e dikujt për të cilin rreziqet për të rënë në faj, për të përdorur dhunën nuk janë kategorike por vetëm paraqiten si mundësi.
Martesa e zakonshme (mubah)
Martesa e një personi të matur e serioz i cili fiton me të drejtë (hallall), për të cilin nuk ekziston mundësia të bjerë në haram, i cili ka mundësi ta japë garancinë e kurorës dhe të mbajë familje, është e pëlqyeshme (memduh) ose e zakonshme, asnjanëse (mubah).
Imam Shafiiu (r.a.) thotë se martesa është, në vetvete, një akt i zakonshëm, domethënë një akt neutral (mubah). Ndërkaq, është e domosdoshme (vaxhib) të shmanget nga fajësia (haram). Në të vërtetë, këtu, edhe shkolla shafiite parashtron një pikëpamje të afërt me konsideratat hanefite. Imami Ahmed b. Hanbel mbron pikëpamjen se, përballë rrezikut për të rënë në haram, martesa është e detyrueshme për çdo njeri, pavarësisht nëse ai mundet apo jo ta sigurojë jetesën e familjes e ta japë garancinë e kurorës. Në fakt, kur këto pikëpamje shqyrtohen me hollësi, kuptohet se nuk janë shumë larg njëra-tjetrës./urtesi.al