Parlamenti i Kosovës nuk e miratoi në parim të mërkurën në mbrëmje Kodin Civil mes kundërshtimesh dhe debatesh të rrepta për shkak të mospajtimeve me një pjesë të këtij Kodi që synon t’i hap rrugë rregullimit të martesave edhe ndërmjet personave të gjinisë së njejtë.
Këto nene nxitën kundërshtime të forta gjatë debatit në parlamentin e Kosovës, ku 29 deputetë votuan kundër, 28 pro ndërsa katër abstenuan.
“Unë jam pro familjes së natyrshme, ashtu siç jemi rritur në gjirin e prindërve, motrave dhe vëllezërve. Familja është e shenjtë dhe duke mos përkrahur këtë ligj e ruaj shenjtërinë e familjes. Ruajtja e llojit njerëzor nuk mund të bëhet nga lidhjet tjera”, tha deputeti Burim Meta nga lëvizja Vetëvendosje.
Labinotë Demi Murtezi nga po e njejta parti, tha se mosvotimi i këtij kodi është “ruajtje e moralit publik”.
“Standardi i moralit shoqëror në vendin tonë e dikton si të pranueshme vetëm martesën ndërmjet gjinive të kundërta, çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral”, tha ajo.
Por këto deklarata nxitën reagimin e kryetarit të parlamentit të Kosovës, glauk Konjufca i cili bëri thirrje që deputetët të përmbahen nga paragjykimet në fjalimet e tyre.
“Duke u nisur nga principet bazë të Kushtetutës sonë duhet të kemi kujdes që në këtë parlament të mos shprehemi në mënyrë paragjykuese dhe stereotipike”, tha zoti Konjufca.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kjo pjesë e Kodit Civil po keqkuptohet dhe keqinterpretohet meqë nuk bëhet fjalë për lejimin e martesave ndërmjet gjinive të njejta.
“T’i heqim të gjitha dilemat sa i përket ligjit 1138, nuk bëhet fjalë për martesë, adoptim të fëmijëve ose funksione të tjera të familjes. Bëhet fjalë vetëm për paralajmërimin për ligj për bashkësi civile, pra ne po paralajmërojmë që do të ketë një ligj të veçantë për këtë gjë”, tha kryeministri Kurti.
Edhe partitë opozitare ishin të ndara në mbështetje të Kodit Civil.
Partia Demokratike e Kosovës tha se nuk mund të votohet për një dokument të rëndësisë së tillë, pa e pasur qëndrimin e qartë të qeverisë pas reagimit të bashkësive fetare.
“Si grup parlamentar i Partisë Demokratike pa prezencën e kryeministrit dhe pa deklarimin e tij për këtë çështje që ka ngjallur një debat jashtëzakonisht të madh në vendin tonë, ne përmbahemi nga votimi dhe shpresojmë që kryeministri do të gjejë kohë për këtë dokument të vijë në seancë plenare”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratikee, Abelard Tahiri.
Driton Selmanaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se është fatkeqësi që për shkak të kësaj çështje janë lënë anash shumë çështje të tjera me rëndësi të cilat i rregullon Kodi Civil.
Zoti Selmanaj tha se para votimit të një dokumenti të tillë duhet të ketë guxim politik për trajtim të të gjitha çështjeve sado të ndjeshme që janë ato.
“Në Kushtetutë është përcaktuar apo pak a shumë e ka lënë të hapur këtë mundësi. Prandaj në Kod Civil do të duhej të përcaktohej shumë më qartë ‘bashkësia civile’ dhe nëse ka ide që të ketë ligj të veçantë si është menduar ai? Sepse këtu pastaj do të ketë debat shumë të thellë. A është menduar edhe për çështje të tjera ta zëmë adoptimit të fëmijëve”, tha ai.
Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se trajtimi i çështjeve të ndjeshme i takon shumicës parlamentare duke nënvizuar se në formën aktuale, Kodi Civil nuk e ka mbështetjen e kësaj partie politike.
Edhe deputetët e partive politike të minoriteteve jo serbe kundërshtuan votimin e Kodit Civil duke theksuar se verzioni aktual që rregullon “bashkësitë