Në shenjë të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare botërore, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (KMSH), H. Bujar Spahiu, mori pjesë me ftesë zyrtare në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të pontifikatit të Papa Leo XIV në Vatikan.
Ceremonia e zhvilluar nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar mblodhi në Selinë e Shenjtë përfaqësues të lartë shtetërorë dhe liderë fetarë nga e gjithë bota, ndër ta edhe drejtuesin e institucionit më të lartë mysliman në Shqipëri. Pjesëmarrja e z. Spahiu në këtë event të rëndësishëm vjen si një dëshmi e qartë e përkushtimit të KMSH-së për nxitjen e bashkëjetesës paqësore, mirëkuptimit dhe dialogut ndërfetar.
Gjatë vizitës, Kryetari i KMSH-së mori pjesë edhe në audiencën e mbajtur nga Papa Leo XIV me përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare nga e gjithë bota, një moment kyç për thellimin e dialogut ndërfetar në shërbim të paqes dhe bashkëpunimit global.
Në kuadër të kësaj vizite, z. Spahiu zhvilloi takime me përfaqësues të rëndësishëm të besimeve të tjera, ku u diskutuan sfidat dhe mundësitë për bashkëpunim në promovimin e harmonisë, respektit dhe solidaritetit ndërmjet komuniteteve.
Ky angazhim ndërkombëtar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë vjen si vazhdim i përpjekjeve për të ndërtuar ura dialogu dhe për të përcjellë në skenën ndërkombëtare modelin unik të bashkëjetesës fetare që karakterizon shoqërinë shqiptare, një shembull frymëzues për shumë vende të tjera.

