E martë 19-05-2026
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Sulm tragjik në xhami në SHBA: Tre besimtarë myslimanë humbin jetën në San Diego, FBI e trajton si krim urrejtjeje

admin
  • Krijuar : 18-05-26
  • / 1207 Lexime

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin mysliman në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi një sulm me armë zjarri në Islamic Center of San Diego ka lënë të vdekur tre persona, ndërsa dy autorët e dyshuar janë gjetur të pajetë pranë vendit të ngjarjes. 

Sipas autoriteteve amerikane, policia e San Diegos iu përgjigj raportimeve për një sulm aktiv me armë rreth orës 11:43 sipas kohës lokale, në zonën Clairemont të qytetit. Në vendngjarje, oficerët gjetën tre viktima të pajeta përpara qendrës islame, ndërsa pak minuta më vonë u raportua edhe për të shtëna në një zonë aty pranë. 

Shefi i Policisë së San Diegos, Scott Wahl, deklaroi se dy të dyshuarit – të moshës 17 dhe 19 vjeç – u gjetën të vdekur brenda një automjeti pranë xhamisë, me plagë që dyshohet se janë vetëshkaktuar. Ai theksoi se nuk ka pasur shkëmbim zjarri me policinë dhe se “kërcënimi është neutralizuar”. 

Një nga viktimat ishte roja e sigurisë së qendrës islame, i cili shërbente në mbrojtje të objektit fetar. Autoritetet bënë me dije se numri total i viktimave është pesë, duke përfshirë tre viktimat civile dhe dy autorët e dyshuar. 

FBI-ja dhe policia lokale kanë nisur hetime intensive, ndërsa ngjarja aktualisht po trajtohet si “krim urrejtjeje” ndaj komunitetit mysliman. Agjenti special i FBI-së, Mark Remily, deklaroi se të gjitha burimet federale janë angazhuar për të zbardhur motivet dhe rrethanat e sulmit. 

Ngjarja ka shkaktuar panik të madh në zonë. Shkollat përreth u vendosën në izolim sigurie, ndërsa pamjet ajrore tregonin fëmijë duke u evakuuar nga kampusi i qendrës islame nën shoqërimin e forcave të rendit. Dëshmitarët thanë se dëgjuan deri në 30 të shtëna arme, që sipas tyre tingëllonin si armë gjysmë-automatike. 

Imami i qendrës islame, Taha Hassane, u shpreh i tronditur nga tragjedia, duke deklaruar se komuniteti “nuk ka përjetuar kurrë më parë një ngjarje të tillë”. Ai e cilësoi sulmin si “jashtëzakonisht të tmerrshëm”, sidomos për faktin se objektiv ishte një vend adhurimi. 

Sulmi ndodhi vetëm pak ditë përpara festës së Kurban Bajramit dhe gjatë ditëve të para të muajit Dhul Hixhe, që konsiderohen ndër ditët më të shenjta për myslimanët në mbarë botën. Kjo ka shtuar edhe më shumë dhimbjen dhe ndjeshmërinë e komunitetit mysliman në SHBA. 

Kryetari i Bashkisë së San Diegos, Todd Gloria, deklaroi se “urrejtja nuk ka vend në qytetin e San Diegos”, duke premtuar mbështetje të plotë për komunitetin mysliman dhe hetim të plotë të ngjarjes. 

Islamic Center of San Diego është xhamia më e madhe në qarkun e San Diegos dhe shërben për mbi 5 mijë besimtarë myslimanë. Kompleksi përfshin gjithashtu shkollën “Al Rashid”, ku zhvillohen mësime fetare dhe gjuhësore për komunitetin lokal. / BBC

 

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2025 All rights reserved - Bota Islame