Parma po shënon një zhvillim të rëndësishëm për komunitetin mysliman shqiptar dhe për jetën fetare në Itali. Myslimanët shqiptarë të Parmës, nën kujdesin dhe mbështetjen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (KMSH), po udhëheqin një iniciativë të jashtëzakonshme: ndërtimin e Xhamisë së Parmës, një projekt ambicioz dhe modern që synon të bëhet një pikë referimi për të gjithë komunitetin mysliman të qytetit, por edhe më gjerë.
Xhamia e Parmës parashikohet të ndërtohet si një kompleks modern, me një arkitekturë që ndërthur stilin vendas italian me elemente të arkitekturës islame. Përveç xhamisë, projekti përfshin edhe salla konferencash, ambiente për fëmijë dhe të rinj, fokus mbi rolin e gruas dhe familjen, hapësira rekreative, bar-restorant, sallë eventesh dhe shërbime të ndryshme në funksion të komunitetit besimtar.
Bota Islame ka siguruar foto nga projekti–ideja e kompleksit, të cilat mund t’i shikoni në albumin e bashkëngjitur më poshtë, duke ofruar një pasqyrë të qartë të vizionit arkitekturor dhe funksional të kësaj nisme.
Në kuadër të këtij projekti madhor, më 07 shkurt 2026 do të organizohet në Parma aktiviteti zyrtar i prezantimit të projekt-idesë, i shoqëruar me një fundraising për realizimin e etapës së parë të ndërtimit të projektit.
Ky event i rëndësishëm do të mbledhë krerë komunitetesh dhe personalitete të shumta. Të pranishëm do të jenë kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, drejtues institucionesh dhe komunitetesh islame nga diaspora, hoxhallarë dhe referues të nderuar, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal të Parmës dhe personalitete të jetës publike e shoqërore. Organizatorët ftojnë të gjithë besimtarët në Parma edhe më gjerë të jenë pjesë e kësaj mbrëmjeje të paharrueshme.
Programi do të shoqërohet me lexim Kurani dhe ilahi, duke i dhënë aktivitetit një dimension të veçantë shpirtëror.
Të dhënat e aktivitetit:
-
Data: 07 shkurt 2026
-
Ora: 15:00 (hyrja nga ora 14:00)
-
Vendi: Paganini Congressi, Via Toscana 5/a, 43122 Parma, Itali
Aktiviteti është i hapur për të dyja gjinitë dhe do të transmetohet LIVE në RTV Pendimi, për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të jenë fizikisht të pranishëm.
Organizatorët njoftojnë që kontributi për këtë projekt mund të bëhet përmes kartave bankare, PayPal apo llogarive zyrtare, duke u bërë pjesë e një sadakaje rrjedhëse me vlerë të qëndrueshme për brezat që vijnë.
Xhamia e Parmës mbetet një dëshmi konkrete se kur besimi, vizioni dhe angazhimi bashkohen, lindin projekte që forcojnë komunitetin dhe lënë gjurmë pozitive në shoqëri.
Album fotografish:
