Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në Tiranë përfaqësues të Këshillave Ndërfetarë të Evropës, të cilët ndodhen në Shqipëri në kuadër të Forumit Evropian “Shared Sacred Flourishing”.
Gjatë takimit, Presidenti Begaj vlerësoi rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe rolin e tij në promovimin e paqes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fetare në Evropë.
Kreu i shtetit e cilësoi Shqipërinë si një shembull të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare, duke theksuar se këto vlera, së bashku me mikpritjen, janë pjesë e identitetit të shqiptarëve.
“Shqipëria përbën një model të harmonisë, bashkëjetesës ndërfetare si dhe mikpritjes. Këto vlera janë pjesë e identitetit tonë dhe uroj që, gjatë qëndrimit tuaj, t’i prekni nga afër”, u shpreh Presidenti Begaj gjatë bashkëbisedimit me përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë.
Një pjesë e veçantë e diskutimit iu kushtua periudhës së diktaturës komuniste dhe përpjekjes së regjimit për të zhdukur fenë nga jeta publike dhe shoqërore e vendit. Presidenti kujtoi se gjatë kësaj periudhe Shqipëria u shpall shtet ateist, ndërsa shumë objekte kulti u shembën ose iu ndryshua destinacioni.
“Megjithëse regjimi diktatorial e shpalli Shqipërinë vendin e parë ateist në botë, shembi objektet e kultit apo ndryshoi destinacionin e tyre, ai nuk arriti dot të zhbënte besimin e shqiptarëve në Zot”, deklaroi Presidenti Begaj.
Kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu kontributin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fetare në vend.
Sipas Presidentit, në një periudhë kur bota po përballet me polarizim, konflikte dhe sfida të shumta, dialogu ndërfetar merr një rëndësi të veçantë si instrument për ndërtimin e besimit, solidaritetit dhe paqes ndërmjet njerëzve dhe komuniteteve.
Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj në këtë drejtim, duke promovuar edhe në arenën ndërkombëtare modelin shqiptar të harmonisë fetare dhe bashkëjetesës paqësore.