Thursday 21-11-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Për çfarë po ndodhin përplasjet në OpenAI dhe ku po shkon inteligjenca artificiale

admin
  • Krijuar : 03-12-23
  • / 3947 Lexime

Diçka befasuese po ndodh në Silicon Valley. Përplasja e ashpër për fatin e OpenAI përfundoi me kthimin e Sam Altman në rolin e CEO, por ajo që kemi parë ka një rëndësi shumë më të madhe: përshkruan sfidën e fortë, për të përcaktuar natyrën dhe perspektivat e inteligjencës artificiale. Prandaj është një pikë kthese në revolucionin teknologjik që i jep formë shekullit të 21-të dhe hyn edhe në jetën tonë.

Në krye të atyre që duan të ecin më shpejt është Sam Altman, 38 vjeç, ndërsa lideri i frontit kundërshtar është Emmett Shear, 40 vjeç, bashkëthemelues i Twitch, të cilin bordi i OpenAI do ta kishte dashur si pasardhës. Teza e Shear është se nëse shpejtësia e zhvillimit të inteligjencës artificiale (IA) tani është 10, ajo duhet të reduktohet në 1-2.

Ilya Sutskever, bashkëthemelues i OpenAI, qëndroi në mbështetje të Shear, dhe për këtë arsye kur bordi i kompanisë shkarkoi Altmanin, ishte teza e “ngadalësimit për arsye sigurie” ajo që mbizotëroi. Por revolta masive e menaxherëve dhe punonjësve të OpenAI – 700 nga 770, me një mobilizim pothuajse të paprecedentë në Silicon Valley – e përmbysi situatën, duke çuar në rikthimin e Altmanit dhe duke bërë që të mbizotërojë pozicioni i atyre që duan të ecin më shpejt. Deri në atë pikë sa vetë Sutskever ndryshoi mendim, duke nxituar për të mbështetur përsëri Altmanin.

Për të patur një ide mbi ndikimin e rezultatit të kësaj përplasjeje, duhet mbajtur parasysh se Microsoft, i cili investoi 13 miliardë dollarë në OpenAI, ishte gati të merrte Sam Altmanin, dhe për këtë arsye do ta kishte bërë të vetën edhe qasjen e Altmanit, duke nënkuptuar se nuk i kishte dyshimet për çështjet e “sigurisë”. Drejtori i Përgjithshëm i Microsoft, Satya Nadella, ishte i qartë në zgjedhjen e tij: është koha për të përshpejtuar, jo për të ngadalësuar zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Prandaj, kthimi i Sam Altmanit shënon një rezultat domethënës në lidhje me drejtimin që po mbizotëron në Silicon Valley. Dhe ndikimi në tregun global mund të jetë i rëndësishëm sepse ballafaqimi mbi shpejtësinë e rritjes së IA, fsheh një nivel të dytë përplasjeje: midis atyre investitorëve që favorizojnë mundësinë e të ardhurave marramendëse të krijuara sa më shpejt, për të optimizuar avantazhin ndaj konkurrencës, dhe atyre studiuesve që shohin me kini frikë nga zhvillimi i teknologjive, të cilat teorikisht mund të eliminojnë lloje të tëra punësh si dhe të gjenerojnë sisteme që janë aq autonome, sa të mund t’i shpëtojnë çdo forme kontrolli nga cilido.

Por nuk është kjo e gjitha, sepse Larry Summers, ish-sekretari i Thesarit i Bill Clintonit, ish-drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar të Barack Obamës dhe ish-rektor i Universitetit të Harvardit, qëndron në bordin e ri të OpenAI, së bashku me Sam Altman. Me pak fjalë, një nga emrat më të njohur në Wall Street, pavarësisht polemikave të së shkuarës së afërt për fyerjet ndaj grave.

Teza e Summers është që ChatGPT “ka mundësinë të krijojë terrene të reja lojërash” duke ripërcaktuar vetë idenë e fuqisë punëtore, sepse do të ndryshojë mënyrën se si mjekët bëjnë diagnoza, botuesit punojnë me libra dhe investitorët operojnë në tregje. Prandaj, ekziston një pikë takimi midis “përshpejtuesve” të Sam Altmanit dhe një prej mendimtarëve të pavarur më të njohur në Wall Street: po përballemi me një kufi të ri për zhvillimin njerëzor dhe nuk është koha për t’iu dorëzuar tundimit për të pasur frikë, duke u kthyer mbrapsht.

Prandaj, tani mund të bëhemi dëshmitarë të një rritje të konkurrencës me OpenAI nga konkurrentët më të fortë në inteligjencën artificiale. Ashtu si Mustafa Suleyman, CEO i Inflection, i cili nxitoi të thoshte “Ejani të garoni me ne!”, apo “kryeshkencëtari i IA” tek kompania e Zuckerbergut, Meta, Yann LeCun, i sigurt se ekipi i tij do të befasojë të gjithë dhe do të mposhtë çdo rival.

Për të mos përmendur Anthropic dhe Google, të cilët po ringjallin motorët e tyre me besimin se ajo që ndodhi brenda OpenAI shënon një pikë kthese pothuajse ideologjike për inteligjencën artificiale: sfida tani është harmonizimi i përshpejtimit dhe sigurisë, pa hezituar. Në pritje të debutimit të produkteve të reja “të pabesueshme” të Sam Altman, të cilat të gjithë i presin tani në Silicon Valley, siç ndodhi dikur për iPhone-ët e Steve Jobs. / la repubblica – bota.al/ bota-islame.com

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame