Thursday 21-11-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

KNFSH/ Deklaratë për shtyp mbi projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”

admin
  • Krijuar : 10-05-24
  • / 269 Lexime

Deklaratë për shtyp

Bazuar në të drejtat e tij statutore, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, pasi u njoh nëpërmjet medias me projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, në datën 29 prill 2024 mblodhi Bordin e Presidencës, së bashku me një grup pune të miratuar nga pesë komunitetet fetare, të përbërë nga specialistë: juristë, sociologë, teologë dhe mjekë. Gjatë këtij takimi, Këshilli Ndërfetar ngriti shqetësimin për mungesën e përfshirjes së komuniteteve fetare në dëgjesën publike të këtij ligji, si palë e interesit dhe për mungesën e një relacioni, që duhet ta shoqërojë këtë projektligj në faqen zyrtare. Grupi i punës ka paraqitur para Bordit të Presidencës argumentet profesionale në lidhje me projektligjin në fjalë dhe efektet negative që ai mund të ketë për shëndetin e individit, familjes dhe shoqërisë.

Kuvendit të Republikës së Shqipërisë – Kryetares, znj. Lindita Nikolla dhe Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë; Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama; Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministres znj. Albana Koçiu; Avokatit të Popullit, znj. Erinda Ballanca dhe për dijeni Presidentit të Republikës, SH.T.z. Bajram Begaj.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, si grup interesi, kërkon të ndërpritet shqyrtimi i projektligjit në fjalë pa pjesëmarrjen e tij në seancat konsultative në Ministrinë e Shëndetësisë; t’i njihet e drejta të paraqesë vëzhgimet, prapësimet dhe kundërshtitë lidhur me projektligjin; si dhe të bëhet pjesë e dëgjesave publike të këtij projektligji. Në rast të kundërt, Këshilli Ndërfetar kërkon që projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” të mos kalojë në Kuvendin e Shqipërisë.

Me dëshirën që kërkesat tona, të cilat përfaqësojnë vullnetin dhe qëndrimet e të gjithë besimtarëve tanë, pjesë e pesë komuniteteve fetare zyrtare dhe shoqërisë shqiptare, të marrin vëmendjen e duhur nga ana e institucioneve ligjzbatuese dhe të gjithë së bashku, të punojmë për një të ardhme më të mirë e më të sigurt për brezat e rinj, me besim te Zoti e te ligji për të mirën e përbashkët.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj!

Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

 

Haxhi Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Imzot Gjergj Meta, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë

Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Kryegjyshatës Bektashiane

Pastor Ergest Biti, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë 

 

Letra e Bordit të Presidencës:

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame