Kupa e Botës 2034 në Arabinë Saudite nuk do të lejojë tifozët e futbollit të blejnë ose konsumojnë alkool gjatë ndeshjeve, kanë zbuluar zyrtarë të lartë të FIFA-s.
Javën e kaluar, FIFA i dha Arabisë Saudite të drejtën për të pritur Kupën e Botës 2034, duke shënuar herën e dytë që një vend i Lindjes së Mesme organizon turneun më të madh të futbollit në botë. Megjithatë, për shkak të vendndodhjes dhe ligjeve të saj të rrepta që kufizojnë shitjen dhe konsumimin e alkoolit, ka pasur spekulime të mëdha nëse do të lejohet alkooli në stadiume për tifozët dhe spektatorët nga mbarë bota.
Tani, sipas gazetës The Guardian, zyrtarë të lartë të FIFA-s, të paemëruar, kanë konfirmuar se ndalimi i alkoolit do të jetë në fuqi gjatë atyre ndeshjeve pas një dekade.
Arabia Saudite i jep përparësi sporteve mbi projektin gjigant NEOM, pasi kostot rriten, thonë burime.
Ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga FIFA për këtë çështje, por zyrtarët kanë pohuar se vendimi për t’u pajtuar me rregullat e qeverisë saudite vjen si rezultat i “mësimeve të nxjerra” nga Kupa e Botës e mbajtur në Katar dy vite më parë.
Para fillimit të ndeshjeve të Kupës së Botës atë vit, qeveria e Katarit fillimisht kishte lejuar shitjen e alkoolit dhe zona të dedikuara për të brenda stadiumeve, më pas e ndryshoi rregullin duke lejuar tifozët të sillnin alkool në stadiume, përpara se të ndalonte plotësisht shitjet dy ditë para ndeshjes së parë.
Thuhet se kjo çoi në humbje të mëdha financiare për një kompani birre që është sponsore dhe partnere kryesore e FIFA-s. Organi drejtues i sportit duket se dëshiron të shmangë përsëritjen e këtij gabimi në Arabinë Saudite./bota-islame.com