Wednesday 15-01-2025
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Gogësitja, një sinjal misterioz në shëndetin e njeriut

admin
  • Krijuar : 14-01-25
  • / 73 Lexime

    Njeriu është krijuar për të njohur dhe kuptuar realitetin që e rrethon dhe për të qenë i vetëdijshëm për të. Ne i kuptojmë ngjarjet që ndodhin rreth dhe brenda nesh nepërmjet sinjaleve që lëshon organizmi ynë. Çdo gjallesë ka një gjuhë të veten të trupit dhe, duke lëshuar sinjale si teshtima, të dridhura apo gogësitja, ajo shpreh një gjendje të caktuar.

Është shumë e rëndësishme të dëgjohet kjo gjuhë dhe t'i kushtohet vemendje në mënyrë që të merren masa për të parandaluar sëmundje ose çrregullime të ndryshme. Për shembull, kur dikush ka ftohtë duhet të ngrohet, kur është i inatosur duhet të qetësohet, kur është i lodhur duhet të pushojë etj.

Gogësitja është një nga sinjalet kryesore të trupit tonë. Ajo fillon që në barkun e nënës dhe vazhdon përgjatë gjithë jetës. Ajo nxitet nga shkaqe si lodhja, mungesa e motivimit, mërzitja, dëgjimi i diçkaje monotone, të qenët në një ambient të paoksigjenuar, duke parë një person tjetër që gogësin, mungesa e gjumit ose nga shkaqe patologjike si epilepsia, infeksione të trurit, sëmundje vaskulare të trurit dhe tumore të tij.

Disa substanca janë përgjegjëse për transmetimin e sinjaleve nervore që nxisin gogësitjen, ndërsa disa të tjera për frenimin e saj. Për shembull, kur nivelet e endorfinave rriten, gogësitja frenohet, ndërsa kur nivelet e dopaminës dhe serotoninës rriten, gogësitja nxitet. Disa medikamente gjithashtu mund

të nxisin gogësitjen. Edhe gogësitja e vazhdueshme ose kronike, gogësitja jo e plotë ose pamundësia për të gogësitur konsiderohen jo normale dhe simptoma të sëmundjeve të ndryshme.

Është një fakt tashmë i ditur se personi që përpiqet të qëndrojë zgjuar gogësin më shumë se një person që është përgjumësh. Përderisa gjatë gogësitjes rrahjet e zemrës rriten dhe frymëmarrja po ashtu, atëherë sasia e gjakut dhe oksigjenit që i dërgohet trurit është më e madhe. Përderisa truri është organi që ka më shumë nevojë për oksigjen se çdo organ tjetër, funksioni i tij përmirësohet gjatë gogësitjes.

Gjatë gjumit njeriu rifreskon trupin nga stresi dhe lodhja. Gogësitja është një sinjal alarmi që i tregon trupit tonë se duhet të pushojë. Nëse një person nuk bën gjumë aq sa duhet, atëherë ai ka ulje të përqëndrimit, bëhet nervoz dhe gogësin shpesh. Për më tepër, veshjet sintetike dhe këpucët prej gome janë ndër shkaqet që çojnë në gogësitje të shpeshtë, sepse izolojne trupin elektrikisht dhe nuk e lejojnë të shkarkohet. Kjo ngarkesë elektrike e grumbulluar çon në stres dhe lodhje të parakohshme duke nxitur gogësitjen.

Në një studim u tregua se persona të ndryshëm kanë referenca të ndryshme gjatë ditës sa i përket gogësitjes. 75% e njerëzve gogësijnë në mëngjes, 50% në fund të ditës, 30% pas vakteve të të ngrënit dhe 47% kur shtriqen. Shkencëtarët gjithashtu zbuluan një lidhje ndërmjet gogësitjes dhe temperaturës së trurit. U vu re se gogësitja frenohej kur personi merrte frymë me hundë, gjë e cila ftoh temperaturën e trurit në zonën e ballit. Në këtë aspekt, truri i ngjan një kompjuteri, i cili punon më mirë kur ftohet. Vetë gogësitja e ftoh trurin duke e ndihmuar atë të punojë në mënyrë më efikase, ashtu si një kompjuter punon më mirë kur ventilatori punon mirë. Lodhja dhe pagjumësia nxisin gogësitje sepse ato rrisin temperaturën e trurit.

Ka edhe faktorë të tjerë që nxisin gogësitjen, si pirja e tepruar e kafesë dhe çajit, të cilët kanë stimulues nervorë, e nxisin trurin të konsumojë më shumë energji. Për pasojë edhe gjumi pengohet, temperatura rritet nga puna e tepërt dhe ndodh gogësitja. Dehidratimi gjithashtu është shkak i gogësitjes, për pasoje ekspertët rekomandojnë pirjen e lëngjeve rregullisht. Bërja e një banje me ujë të nxehtë gjithashtu nxit gogësitjen sepse stimulon prodhimin e hormoneve që japin gjumë. Prandaj rekomandohet që të bëhet banjë në darkë dhe jo në mëngjes, për arsye se personi rrezikon të përgjumet gjatë ditës.

Edhe të folurit me telefon celular për një kohë të gjatë e lodh trurin dhe nxit gogësitjen.

Gogësitja nxitet edhe nga konsumimi i pijeve acidike pa kriter, nga ekspozimi në zhurma të mëdha për një kohë të gjatë, gjatë stërmundimit ose nga ekspozimi në dritë fluoreshente për kohë të gjatë.

 

Hipotalamusi dhe gogësitja

Hipotalamusi është një pjesë shumë e rëndësishme e trurit, i cili gjendet në pjesën e poshtme të tij. Ai formon lidhje dhe kontrollon funksionin e hipofizës, e cila nga ana tjetër kontrollon sistemin endokrin përmes gjëndrave që prodhojnë hormonet përkatëse.

Ndër funksionet e tjera të tij janë kontrolli i emocioneve, i agresivitetit, urisë, etjes, gjumit, presionit të gjakut dhe temperaturës trupore.

Trupi përgjigjet ndaj këtyre problemeve duke gogësitur. Për shembull, në rastet kur kërkesat e organizmit për oksigjen janë të rritura, hipotalamusi nxit mushkëritë që të marrin frymë më shumë dhe personi gogësin.

Për këtë arsye, mund të thuhet se qendra përgjegjëse për gogësitjen besohet të jetë e lokalizuar në hipotalamus

A është gogësitja ngjitëse?

Gogësitja është ngjitëse, ashtu siç është edhe e qeshura. Tashmë është e ditur se një

person gogësin kur sheh, dëgjon,  mendon ose lexon për një person tjetër duke gogësitur. Një psikolog vuri re duke bërë një eksperiment me studentët e tij, se kur ata panë dikë duke gogësitur, 50% e tyre filluan të gogësinin pas disa minutash. Ekspertët kanë thënë se ngjitja e gogësitjes ka të bëjë me ndjenjë empatisë ndërmjet njerëzve dhe është formë refleksi.

Shprehja e fytyrës së personave që gogësijnë mendohet se ka efekt mbi një person që po i vëzhgon ata dhe kjo nxit gogësitje. Kjo ndodh kur aktivizohen neuronet pasi të cilat stimulojnë te një person ato gjëra që ai vëzhgon tek dikush tjetër.

Neuronet pasqyrë janë qeliza të cilat ndikohen nga vëzhgimi i sjelljeve të caktuara të anëtarëve, sidomos ndërmjet vertebrorëve të të njëjtit lloj. Është vënë re, se te fëmijët nën moshën 5 vjeç nuk ndodh gogësitja kur ata shikojnë dikë tjetër të gogësijë, sepse tek ata neuronet pasqyrë nuk janë zhvilluar ende plotësisht dhe ndjenja e empatisë nuk ekziston. Zonat e trurit përgjegjëse për empatinë dhe gogësitjen janë te një i rritur. Sidoqoftë, tek disa persona që nuk ndikohen nga gogësitja këto zona janë inaktive. Prandaj gogësitja është më e theksuar tek personat që kanë më të zhvilluar ndjenjën e empatisë.

Gogësitja dhe larja

Trupi i njeriut ka një ekuilibër elektrostatik të vetin. Mbajtja e këtij ekuilibri konstant është jetike për shëndetin tonë. Gogësitja është një simptomë e rëndësishme që tregon për sëmundje psikosomatike që mund ta prishin këtë ekuilibër. Kontakti me ujin ose dheun është një mënyrë me të cilën organizmi ynë rregullon këtë ngarkesë elektrostatike të brendshme. Kjo shpjegon pse marrja e abdesit ose e guslit e rifreskon lëkurën dhe sistemin nervor, duke ndihmuar rivendosjen e këtij ekuilibri. Në rastin e abdesit, personi lag pjesët më ekstreme të trupit, aty ku ngarkesat elektrostatike mblidhen më së shumti gjatë ditës, duke ndihmuar që këto të shkarkohen nëpërmjet ujit ose gjatë faljes së namazit, kur personi bie ne sexhde në kontakt me tokën. / nga revista Drita Islame

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame