Tuesday 04-02-2025
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Kmsh i jep titull vlerësimi ambasadorit të Arabisë Saudite në Tiranë

admin
  • Krijuar : 03-02-25
  • / 46 Lexime

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) organizoi një ceremoni të veçantë për të nderuar Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Shqipëri, Sh.T.Z. Faisal Ghazi Hifzi, për kontributin e tij të çmuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

 

Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, dorëzoi personalisht një medalion dhe një çertifikatë vlerësimi Ambasadorit Hifzi, duke theksuar rolin e tij të rëndësishëm në mbështetjen e projekteve fetare, sociale dhe kulturore në Shqipëri. Në motivacionin e këtij vlerësimi u shpreh:
“Për kontributin e çmuar në forcimin e marrëdhënieve dhe mbështetjen e projekteve për zhvillimin fetar, social dhe kulturor, si dhe promovimin e solidaritetit dhe miqësisë midis dy popujve.”

Ceremonia mblodhi personalitete të njohura, përfshirë përfaqësues të trupës diplomatike të vendeve arabe, Kryetarin e Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Klodjan Bulku, Drejtorin e Zyrës Rajonale të Ligës së Botës Islame (Rabita) në Bosnje-Hercegovinë, z. Abdullah Qari, dhe drejtues të tjerë të rëndësishëm nga KMSH dhe organizata të ndryshme.

Në hapje, Drejtori i Arsimit në KMSH, z. Elton Karaj, lexoi disa ajete kuranore. Pas tij, Kryetari Spahiu shprehu mirënjohjen e tij ndaj Ambasadorit Hifzi, duke vlerësuar përkushtimin dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme për Komunitetin Mysliman dhe popullin shqiptar.
“Ambasadori Hifzi ka qenë një partner i vyer për KMSH-në dhe ka ofruar çdo ndihmë për zhvillimin e projekteve tona në shumë fusha,” deklaroi Spahiu.

Nga ana e tij, Ambasadori Hifzi falënderoi përzemërsisht KMSH-në për këtë vlerësim dhe ndau disa nga përvojat e tij më të veçanta gjatë shërbimit në Shqipëri. Ai përmendi vizitat e personaliteteve të larta të Arabisë Saudite dhe rëndësinë e projekteve të realizuara në bashkëpunim me KMSH-në ndër vite.

Kjo ceremoni vlerësimi nënvizon marrëdhëniet e shkëlqyera mes Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, si dhe përkushtimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin në fushat fetare, arsimore dhe humanitare./bota-islame.com

May be an image of 10 people, people studying and text that says '2 මරේ CEREMONI CEREMONIVLERESIMI VLERỄSIMI எழு 03.02.2025'

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame