Wednesday 12-03-2025
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Kryetari i KMSH, H. Bujar Spahiu, përcjell urimet e tij për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazani

admin
  • Krijuar : 28-02-25
  • / 88 Lexime

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, përcjell urimet e tij për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Në mesazhin e tij, ai thekson rëndësinë e këtij muaji si kohë reflektimi, përkushtimi dhe pastrimi shpirtëror. Ai fton besimtarët të shprehin mirënjohje ndaj Zotit, të forcojnë lidhjen me Kuranin, të tregojnë solidaritet dhe bujari ndaj të tjerëve. Duke cituar një ajet nga Kurani, ai nënvizon se agjërimi nuk është vetëm një sakrificë fizike, por një udhëtim shpirtëror që kultivon devotshmërinë dhe vlerat morale. Në fund, ai lutet për një Ramazan të begatë, me paqe dhe harmoni për të gjithë besimtarët.

Urimi i plote : 

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare,
 
Nesër, më 1 mars, fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, një muaj i bekuar reflektimi, përkushtimi dhe pastrimi shpirtëror.
 
Me zemrën plot mirënjohje ndaj Krijuesit të gjithësisë, i Cili na mundësoi ta arrijmë sërish këtë muaj të shenjtë, ju përcjell urimet më të përzemërta për një agjërim të lehtë dhe të pranuar, si në emrin tim personal, po ashtu edhe në emër të institucionit që unë drejtoj.
 
Ky muaj na fton të ndalemi dhe të reflektojmë mbi mirësitë e panumërta që Zoti na ka dhuruar. Është një mundësi e artë për të shprehur falënderim ndaj Tij, për të kultivuar durimin, për të rivitalizuar lidhjen tonë me Kuranin Famëlartë dhe për të rrezatuar dashuri ndaj të tjerëve.
 
Ramazani është gjithashtu muaji i solidaritetit dhe i vëllazërisë. Ai na kujton përgjegjësinë tonë ndaj atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe na fton të tregojmë bujari, dhembshuri dhe kujdes për më të dobëtit.
 
Në këtë muaj të shenjtë, le të forcojmë jo vetëm lidhjet tona me familjen dhe të afërmit, por edhe me shoqërinë në tërësi, duke e bërë komunitetin tonë më të ndjeshëm dhe më të bashkuar.
Allahu (xh.sh.) thotë në Kur’an: "O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu siç u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat."
(Sureja El-Bekare, ajeti 183)
 
Ky mesazh hyjnor na rikujton se agjërimi nuk është vetëm një sakrificë fizike, por një proces i thellë shpirtëror, që synon ndërtimin e një personaliteti të qëndrueshëm, të devotshëm dhe të mbushur me vlera të larta morale.
 
Të dashur besimtarë shqipfolës, kudo që jetoni e punoni, uroj që ky muaj i shenjtë të sjellë begati, paqe dhe harmoni në familjet tona dhe në mbarë shoqërinë.
Lusim Allahun Fuqiplotë që të na japë forcë, përkushtim dhe sinqeritet për ta jetuar këtë muaj në mënyrën më të mirë të mundshme, duke përfituar nga mirësitë dhe begatitë e tij të shumta.
Gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit!

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2025 All rights reserved - Bota Islame