Fill pas Ramazanit dhe gëzimit të bajramit fillon “vazhdueshmëria e besimtarit” të devotshëm.Si ta kuptojmë “vazhdueshmëria e besimtarit të devotshëm”?
Si tha Ebu Bekri (r.a.) kur ndërroi jetë Muhamedi (a.s.): “Kush e adhuronte Muhamedin, ta dijë se ai (a.s.) sot ka vdekur. Ndërsa kush e adhuronte Allahun, Ai është i Gjallë dhe nuk vdes.”
Edhe ne me këtë rast mund të themi, Ramazani iku, padyshim që Allahu është i Gjallë dhe nuk vdes kurrë.
Të nderuar besimtarë!Duhet të ndalemi dhe të mendojmë: ne, adhurues të kujt ishim dhe kë adhuronim?Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë:
“Ai që e agjëron Ramazanin dhe agjëron gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval, është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”.
Atmosfera e një muaji të tërë, nuk mund të ndërpritet menjëherë!Pas ditëve të gëzueshme të Bajramit, pas vizitave dhe urimeve të shumta, është e pëlqyeshme që të agjërohet dhe për gjashtë ditë të tjera brenda muajit Sheval.
Mund të agjërohet në ditë të njëpasnjëshme ose të veçuara. Secili zgjedh atë mënyrë që është më e përshtatshme për të.E rëndësishme është që këto ditë të plotësohen brenda afatit.
Kjo është një tjetër përpjekje e besimtarit, si shenjë mirënjohjeje ndaj Zotit dhe argument për dashurinë dhe bindjen ndaj Tij.
Agjërim të lehtë e të pranuar!
kmsh.al