Thursday 21-11-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

H.Bujar Spahiu Uron Vitin e Ri Hixhri (1443).

admin
  • Krijuar : 08-08-21
  • / 2049 Lexime

Të dashur vëllezër dhe motra besimtarë, nesër është dita e parë e vitit hixhri (1443).

Viti i parë i numërimit në kalendarin islam është zgjedhur viti i emigrimit të Profetit (a.s.) dhe ndjekësve të tij të parë (sahabëve), nga Meka në Medine.

Hixhri është kalendar hënor.

Hixhreti (shpërngulja) i myslimanëve është një nga ngjarjet më të rëndësishme në islam.

Hixhreti ndryshoi dhe vulosi njëherë e përgjithmonë rrjedhën e ngjarjeve, ishte pika e kthesës nga ku më pas do të plotësohej përcaktimi i Allahut (xh.sh.), për islamin si fe universale dhe Profetin Muhamed (a.s) si vulën e profetëve.

Po çfarë simbolizon Hixhreti?

Hixhreti nuk është vetëm një dimension fizik, shpërngulje nga një vend në një vend tjetër, hixhreti është edhe dimension shpirtëror, është largim nga e pa drejta dhe rendje drejt së drejtës, është veprim i së mirës dhe largim i së keqes. Është siguri, shpëtim, bindje dhe besim.

Kuptimin dhe vlerën veprave në islam ia jep nijeti. Nijeti dhe hixhreti i Profetit (a.s.) dhe myslimanëve ishte për hir të Allahut, për përhapjen e Fjalës së Tij.

Hixhreti është frymëzim dhe motiv i fuqishëm për besimtarët e sinqertë.

Ai bart në vetëvete idenë e aksionit, ndryshimit dhe rimëkëmbjes, idenë e sendërtimit të porosive të Kuranit dhe Sunetit në çdo kohë.

Hixhreti është lëvizje.Lëvizje e madhe shpirtërore, materiale, intelektuale, edukative e sociale. Është mësim nga e kaluara, meditim dhe veprim për të tashmen dhe planifikim drejt së ardhmes. Kjo ngjarje i bëri me dije njerëzimit se respektimi i dinjitetit njerëzor, pa dallim race, gjuhe, vendi, klase, nacionaliteti e fisi, është ardhmëria e vetme e botës.

Kohërat ndryshojnë, nijeti jo!

Hixhreti i ditëve tona është të ndryshosh zemrën tënde, ta pastrosh atë dhe ta mbushësh me besim e bindje ndaj Allahut (xh.sh.).Të shpërngulësh nga ajo zilinë, smirën, urrejtjen.

Ta mbushësh zemrën me dashuri për Allahun, për Profetin (a.s.), për prindërit, për bashkëshorten/in, për fëmijët, për farefisin, për vendin.

T’i shërbesh me devotshmëri fesë dhe përhapjes së mesazhit të drejtë e paqësor të islamit. Ne duhet ta përkujtojmë Vitin e Ri Hixhri si retrospektivë, për të kujtuar jetën e Profetit Muhamed (a.s.), dhe ta marrim mënyrën e jetesës së tij si udhërrëfyese të jetës sonë.

Prandaj, hixhreti është shans që të rishqyrtojmë nëse e jetojmë frymën e hixhretit, i cili ishte dhe vazhdon të jetë inspirimi më i fuqishëm për besimtarët e sinqertë.

Ky duhet të jetë prioriteti i hixhretit tonë në ditët e sotme, qëndrimi në frymë e përkushtim me hixhretin e Profetit Muhamed (a.s.).

E lusim Allahun që Viti i Ri Hixhri të jetë ripërtëritje e qenies sonë shpirtërore dhe të forcojë vetëdijen tonë, në mënyrë që kuptimi i hixhretit të jetë kuptimi i jetës sonë.

Gëzuar!

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame