Friday 22-11-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

SESIONI SHKENCOR: MËSIMBESIMI NËPËR MEKTEBE DHE SFIDAT BASHKËKOHORE

admin
  • Krijuar : 22-11-21
  • / 2137 Lexime

Të enjten më 18 Nëntor 2021, Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në ambientet e Rijasetit të BFI në Shkup, mbajti sesionin shkencor me temë: “Mësimbesimi nëpër mektebe dhe sfidat bashkëkohore”, të organizuar nga Sektori Fetaro-arsimor pranë Rijsetit të BFI në RMV.
Ky sesion shkencor u transmetua drejt për drejt në rrjetet sociale të BFI dhe në TV Ikre.Në këtë sesion ishin prezent figurat më eminente të BFI, si myftinjtë e myftinive të BFI, Dekani i FSHI, Drejtori i Medresesë Isa Beu, Drejtorët e sektorëve të Rijasetit të BFI, profesorë dhe mysafirë nga vendi e nga jashtë.

Sesioni u hap me leximin e ajeteve Kuranore nga hfz. Irfan ef. Sulejmani, referent i sektorit fetaro arsimor pranë Myftinisë së Shkupit.

Fillimisht Drejtori i Sektorit Fetaro-arsimor pran Rijsetit të BFI në RMV, prof. Jusuf ef. Zimeri pasi përshëndeti të pranishmit dhe përshkroi rrjedhën e këtij sesioni shkencor, shkurtimisht foli rreth rolit që ka BFI në kujdesin e posaçëm dhe maksimal në krijimin e kushteve për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve që në moshë të hershme, duke u bë investimi më i sigurt dhe më i vlefshëm nga BFI.
Ai përmendi nevojat për reformim në arsimim duke qenë në hap me kohën dhe teknologjitë si dhe praktikat e suksesshme, nga të cilat duhet marrë shembull.
Fjalën kryesore e pati Kryetari i BFI Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili përgëzoi këtë sesion shkencor, dhe shprehu mbështetjen e tij dhe të BFI në organizimin e sesioneve të ngjashme shkencore në avancimin e mësim besimit dhe edukimin e gjeneratave të ardhshme. Ai përgëzoi panelistët të cilët iu qasën seriozisht në aspektin shkencor këtij sesioni dhe falënderoi ata për kontributin e dhënë në këtë drejtim, i cili në të ardhmen do të ndihmojë shumë në procesin e përgatitjes dhe përforcimit të gjeneratave të reja.
“Procesi edukativ islam është baza e formimit të shëndoshë të individit, të familjes dhe shoqërisë së shëndoshë” tha Reisul Ulemaja, i cili më tej shtoi se: “Marrë parasysh se në kohën në të cilën jetojmë mbi supet tona qëndron amaneti hyjnor – prezantimi i islamit në ardhmëri. Është koncept i shenjtë se nuk ka ardhmëri të shëndoshë, pa edukim të pastër dhe të shëndoshë. Andaj, përgatitja e gjeneratave të reja për të qenë të aftë të bartin këtë amanet është përgjegjësi institucionale e Bashkësisë Fetare Islame e RMV, konkretisht e jona si bartës të rrjedhave institucionale. “

Si panelist i parë në këtë sesion shkencor, me temë “Impakti i Mektebit në formimin e personalitetit”, Dr. Qani ef. Nesimi – Myfti i Myftinisë së Tetovës, foli rreth detyrës së përgatitjes së gjeneratave të reja dhe aplikimit të metodave moderne nëpër mektebet e vendit.

Edhe Dr. Naser ef. Ramadani – Profesor në Fakultetin e Shkencave Islame, në paraqitjen e tij me temë: “Aspektet didaktiko-metodike të mësimleximit në mektebe” bëri një analizë mbi metodat didaktiko-metodike që janë aplikuar deri më tani dhe ofroi vizionin e tij për të ardhmen, në këtë drejtim.
Në elaborimin e tij, me temë: “Nevoja e aplikimit të mjeteve dhe metodave bashkëkohore të mësimdhënies në mektebe”, Dr Qenan ef. Ismaili, Myfti i Myftinisë së Shkupit, foli rreth aplikimit të mjeteve dhe metodave bashkëkohore për të qenë në hap me kohën.

Duke marrë parasysh përgjegjësinë para Zotit dhe para shoqërisë, BFI vendosi që të ftohet ky sesion shkencor me temën “MËSIMBESIMI NËPËR MEKTEBE DHE SFIDAT BASHKËKOHORE” me qëllim që edukimi dhe arsimimi i fëmijëve të jetë mbrojtja më e mirë e tyre nga devijimet, nga ekstremizmi ndaj të tjerëve në shoqërinë njerëzore, e në të njejtën kohë të zgjon dhe ruan ndjenjat dashurisë, humanizmit, altruizmit dhe durimit. Edukimi dhe arsimimi i mirë i gjeneratave është mundësia e vetme për të reformuar të ardhmen, sepse ata janë e ardhmja e jonë, e ardhmja e islamit në trojet tona por edhe e ardhmja e kombit dhe shtylla e tij.

BFI


Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame