Besnik Sinani ka kryer doktoraturën në “Frei Universität” të Berlinit në Gjermani. Ai është studjues i historisë, shoqërive, kulturave dhe religjionit islam. Studimet e masterit i ka kryer në Universitetin e New York-ut në degën e studime të Lindjes së Mesme. Kohë më parë, ai ishte ligjërues në Universitetin e Mbretit Abdulaziz në Arabinë Saudite. Botimi i tij më i fundit është kontributi i një kapitulli në një volum rreth sufizmit bashkëkohor, i titulluar Global Sufism nga Shtëpia Botuese “Hurst” në Londër.
Pyetja se çfarë është islamofobia merr një nuancë të re pikërisht sot, kur pasi më shumë se njëzet vjet nga formulimi dhe përkufizmi i termit “Islamofobi” nga akademikë dhe aktivistë në Angli, kemi vitin e kaluar një riformulim të përkufizimit po në atë vend nga All Party Parlamentary Group on British Muslims. Ndryshimet në përkufizime atëherë edhe sot janë tregues i ndryshimit të gjeneratave, por edhe i llojit të sfidave politike, që sollën nevojën e këtyre rishqyrtimeve.
Shkurtimisht, në vitet ’90-të rasti i Selman Ruzhdi-t solli për popullsinë muslimane në dritë çështjen e pabarazisë ligjore, që për ta u bë i dukshëm në dallimin e aplikimit të ligjit kundra blasfemisë, ligj që mbronte fenë dominante, por jo fenë e qytetarëve me besim Islam. Për arsye të mendimit filozofik të formuluesve të asaj kohe, përkufizimi i “islamofobisë” kërkoi të veçohej nga forma më sekulare të aktivizmit anti-racist, pasi e pa atë si reduktues në kontekstin e debateve politike të kohës dhe vuri theksin tek dimensioni anti-musliman i “islamofobisë”, pa e mohuar lidhjen me racizmin.
Përkufizimi më i fundit, në të kundërt, reflekton një tjetër lloj realizimi politik dhe ardhjen e një gjenerate të re aktivistësh e akademikësh, që sheh e anti-muslimanizmin të ndërlidhur me forma të tjera të racizmit dhe kërkon të ndërveprojë, të reflektojë e mësojë nga lëvizje të tjera anti-raciste. Ky transformim na tregon më së miri se, përtej karakteristikave të përbashkëta, manifestimet dhe aplikimet e islamofobisë dallohen nga veçori që lidhen me kontekstin politik të vendeve të ndryshme.
Gjithashtu, dy kategoritë kryesore në kuptimet e mësipërme të islamofobisë, ajo e “Islamit” dhe ajo e “racës” na tërheqin vëmendjen për nga historitë e konstrukteve të këtyre koncepteve në perëndim, të formësimit të përfytyrimit të “Islamit”, si dhe të nocioneve racore. Si e tillë, në shumicën e vendeve perëndimore islamofobia ka origjina në shtresime kulturore, përfshirë origjina të mirë-dokumentuara koloniale. Termi mund të jetë rezultat i reflektimeve të akademikëve e aktivistëve, por realiteti që kërkon të evidentojë është produkt politik me origjina më të hershme se vetë termi “islamofobi”.
A mund të jetë islamofobia një lloj vetëviktimizimi dhe ekzagjerim i disa mendimtarëve modernë myslimanë?
Ka kaq shumë literaturë, raporte e dokumentim të islamofobisë në struktura ligjore, institucione shtetërore e qëndrime politike, saqë mohimi i islamofobisë është tregues edhe më i qartë i verbërisë ideologjike të atyre që e mohojnë ekzistencën e saj. Mohimi i islamofobisë është në vetvete manifestim i islamofobisë. Një nga akuzat e ngritura ndaj nocionit të islamofobisë është se kërkon të kufizojë lirinë e shprehjes, një vlerë kjo e prezantuar si esenciale në shoqëri të lira. Formuluesit e përkufizimit më të fundit të islamofobisë e kanë bërë të qartë në raportin e tyre se nuk është për qëllim të kufizohet liria e shprehjes, por të adresohet shprehja e urrejtjes, paragjykimeve, e nxitjes së tyre ndaj grupe njerëzisht mbi baza të identitetit të tyre real ose të supozuar fetar, racor ose etnik.
Të gjitha shoqëritë që emulojnë shprehjen e lirë, si vlerë e tyre esenciale, kanë legjislacione që e kufizojnë gjuhën e urrejtjes ose nxitjen e paragjykimeve ndaj bashkësive të caktuara. Mënyrat se si shoqëri të ndryshme reagojnë ndaj islamofobisë janë njëkohësisht tregues të trashëgimisë historike koloniale, që përmendëm më sipër, sidomos në marrëdhënie me ish-subjektet koloniale, por edhe konceptet mbi qytetarinë, mbi atë se kush konsiderohet anëtar e kush i huaj në bashkësinë kombëtare. Kjo është arsyeja, fjala vjen, që vende si Britania e Madhe, Franca e Gjermania kanë politika shumë të ndryshme qoftë në pranimin ose jo të ekzistencës së islamofobisë: nga mohim i saj në Fra