Ademi (a.s), si filloi jeta njerëzore në Tokë!
- Krijuar : 05-08-24
- / 3490 Lexime
Çdo ngjarje ka kohën e vet që përjetohet. Dhe heroi kryesor është në pergjithësi një njeri. Zakonisht nisin njëlloj, “Njëherë…, Në një vend të largët…, Para shumë kohësh…
Por kjo histori është disi ndryshe. Sepse zë fill atëherë kur njeriu ende nuk ishte krijuar. Kur nuk njihej as koncepti vend dhe as koncepti kohë.
Para se të ekzistonte koha… Para se të ekzistonte vendi.
Atëherë ekzistonte vetëm Zoti… Asgjë tjetër veç Tij.
Një qetësi dhe madhështi e pafund, një bukuri dhe lartësi e pakufi, që i përkiste vetëm Atij. Nuk ekzistonte as bota jonë, as hëna, as dielli dhe as yjet. Vetëm Drita e Tij.
Zoti (xh.sh.) dëshiroi të krijonte gjithësinë. Botën, diellin, hënën dhe yjet. Të krijonte detërat e kaltër, peshqit që notonin ndër ta, erërat që frynin, lulet ngjyra-ngjyra e fluturat që përkëdheleshin me ta, qiejt, retë e zogjtë që i jepnin gjallëri.
Që bota të dukej më e bukur, më e gëzueshme.
Kur Zoti (xh.sh.) dëshiron të krijojë diçka, mafton që t’i thotë asaj: “bëhu!” Dhe ajo menjëherë krijohet. Zoti urdhëroi kozmosin, botën me të gjithë gjallesat që kishin brenda të krijoheshin për gjashtë ditë; kështu u krijua gjthësia. Po këto gjashtë ditë ishin krejt ndryshe nga ditët tona. Sepse dita jonë formohet me rrotullimin e tokës rreth boshtit të vet. Po atë kohë nuk kishte ende as tokë, as diell, e natyrisht edhe koncepti ‘ditë’ ishte ndryshe. Ne i quajmë ato ditë, “ditë hyjnore” dhe këto ditë kanë veçoritë e tyre. Ndoshta, po ta krahasonim një prej atyre ditëve me ditët e sotme, mund të jetë e barabarte me vite, ndoshta me shekuj.
Të vërtetën nuk e di askush, sepse këto gjëra u përkasin mistereve, të panjohurës për ne, asaj që e di vetëm Zoti e që i kapërcen kufinjtë e mendjes njerëzore. Këto gjëra ne i njohim me aq sa na tregon Zoti (xh.sh).
Zoti (xh.sh) na shpjegon si i krijoi qiejt, tokën dhe gjithë gjallesat për gjashtë ditë dhe si i administron ato me forcën, fuqinë, pushtetin e Tij unik dhe se si çdo krijesë përkulet me nderim para forcës së Tij dhe mrekullohet para perfektshmërisë së Tij.
Çdo krijesë ia ka nevojën Atij për të mbijetuar, Ai nuk ka nevojë për asgjë. Sepse Ai është pronari i gjithçkaje, i çdo pasurie pafund.
Çdo krijesë në gjithësi pret para derës së bujarisë së Tij.
Zoti (xh.sh.) krijoi në qiej krijesa prej drite. I quajti ‘engjëj’. Ata ishin më të bindurit, nuk dinin ç’ishte mosbindja, ishin gjithmonë të gatshëm për çdo urdhër, të dëgjueshëm për çdo fjalë.
Pastaj Zoti krijoi krijesa prej zjarri. I quajti ‘xhinde’, dhe i bëri të tillë që të mos shihen. I lejoi që të banonin në qiej e në tokë. Mes tyre kish edhe të mirë, edhe të pabindur.
Ndërkohë, Vullneti Hyjnor dëshiroi të krijonte Ademin, njeriun e parë!
Zoti u tha engjëjve:
“Do të krijoj në tokë një qenie të tillë, që do të jetë përfaqësuesi im atje.”
Engjëjt kthyen sytë nga toka. Krijesat gjigande që jetonin atje ishin të tmerrshme, luftonin e derdhnin gjak. Pastaj kthyen sytë nga vetja. Ishin aq të mirë, aq të bindur! Gjithë kohën falenderonin Zotin, adhuronin pa pushim madhështinë e Tij dhe lavdëronin bukurinë e Tij. Engjëjt u çuditën. Edhe për të shuar kuriozitetin, edhe për të mësuar diçka të re nga dituria e pafund e Zotit, pyetën:
Prapë ndonjë tjetër që do derdhë gjak e do përhapë urrejtje? Po ja, na ke ne, që gjithë kohën të bindemi e të adhurojmë, që ta njohim pushtetin e bukurinë.
Engjëjt janë krijesa shumë të pastra dhe të sinqerta. Karakteri i tyre nuk i lejon të mendojnë asgjë të keqe. Mendonin se shkaku i vetëm i krijimit është adhurimi i Zotit e të bërit mirë. Dhe këtë e bënin fare mirë, ekzistenca e tyre mjaftonte për këtë. Dituria e tyre nuk e kalonte dot këtë kufi, nuk mund t’i mendonin dot misteret që qëndronin nën shkaqet e krijimit. Zoti u dha përgiigje engjëjve kështu: “Unë di atë që ju nuk e dini. E di unë arsyen e krijimit të Ademit. Ka shumë gjëra, shumë arsye krijimi që ju nuk mund t’i dini.
Ademi (as.) nuk do të ishte si gjallesat e tjera mbi tokë. Nuk do të derdhte gjak si ata. Por nuk do ishte as si engjëjt. Ai ishte ndryshe, ishte një krijesë krejt e re. Ishte krijuar për të vërtetuar logjikën e pafund të Krijimit dhe të Krijuesit.
Zoti (xh.sh.) u shpjegoi engjëjve se si do të krijonte një njeri nga balta, si do t’i jepte atij formën më të bukur dhe si do i frynte pastaj shpirt nga shpirti i Vet. Ja, atëherë, ata duhet të përkuleshin para njeriut. Jo përkulje për adhurim, por përkulje për të shprehur respekt e admirim.
Krijuesi i Madh mori nga Toka një grusht dhé. Ai grusht dhé përmbante brenda çdo ngjyrë, të verdhë, të zezë, të bardhë. Ky ishte sekreti i ngjyrave të ndryshme të njerëzve.
Kur i shtoi dheut ujë dhe ai mori formën e argjilës së pastër, së cilës Zoti i dha formën e njeriut, pastaj i fryu nga fryma e Vet.
Kështu trupit të Ademit i erdhi jeta. Levizi… nisi të merrte frymë, hapi sytë dhe pa rreth vetes engjëjt të përkulur.
Syri i zuri njërin që nuk ishte përkulur, ishte në këmbë.
Ademi akoma nuk e njihte atë, as emrin nuk ia kishte mësuar ende.
Zoti pyeti krijesën që ishte në këmbë.
Po ti Iblis, përse nuk iu përkule kësaj krijese që e bëra me duart e mia?
Iblisi u përgjigj me zë të lehtë:
Po unë jam më lart nga ai. Atë e krijove nga balta, kurse mua më krijove nga zjarri.
Ik që këtej, të kam dëbuar! Dhe gjer Ditën e Gykimit, je i mallkuar! – i tha Zoti, Iblisit.
Me të vërtetë Iblisi u dëbua nga Vendi i Mëshirës Hyinore, por nuk hoqi dorë nga mendjemadhësia e tij e nga inati karshi Ademit. Vazhdoi ta kërcënonte e t’i thërriste, duke i thënë se ai vetë ishte më i lartë.
Ademi (a.s.) vështronte me habi ato çka ndodhnin përreth tij dhe zemrën ia trazonin turli ndjenjash. Dashuri, frikë, tmerr. Një dashuri e madhe për Krijuesin e Tij që i kishte dhenë jetë dhe e kishte vënë në vendin më të lartë mes krijesave të tjera, duke i urdhëruar dhe engjëjt të përkuleshin para tij…
Frikë nga zemërimi hyjnor që kishte përzënë Iblisin nga Vendi i Mëshirës… Dhe tmerr, nga sjellja e Iblisit përballë tij, një qëndrim plot urrejtje, krenari dhe keqdashje që donte t’i bënte keq me çdo kusht Ademit…Ai ishte niohur me armikun e tij më të frikshëm që në çastet e para të jetës së tij. Iblisi ishte mes engjëjve kur ishin urdhëruar të përkuleshin. Por ai nuk ishte engjëll, ishte nga xhindet. Kur nuk iu bind urdhrit të Zotit, u dëbua. Kështu që Ademi (a.s.) e kuptoi se engjëjt ishin simbol i mirësisë. Iblisi: simbol i së keqes. Po ai vetë? Kë përfaqësonte ai? Ende nuk kishte asnjë njohuri mbi këtë gjë.
Pastaj Zoti (xh.sh.) ia shpjegoi atij të gjitha, qëllimin e krijimit, misteret e konstruktit të tij dhe arsyet pse ishte më lart se krijesat e tjera. Ademi (a.s.) dëgjonte me vëmendje. Kështu Zoti i mësoi atij emrat e çdo sendi. I mësoi mënyrën për të emërtuar çdo gjë. E njohu me shprehjen e çdo krijese me simbole. Ç’ishte zogu, ç’ishte ylli, ç’ishte pema… Ademi mësoi emrat e gjërave. Por mos mendoni se ai mësoi vetëm emrat. Zoti i mësoi atij edhe njohuritë e tjera në lidhje me çdo gjë. Dhe misteri i krijimit të njeriut dhe të qenurit e tij më lart se krijesat e tjera ishte pikërisht dija.
Pasi i mësoi emrat dhe njohuritë mbi ekzistencën, Zoti u kthye nga engjëjt.
A m’i thoni dot emrat e këtyre gjërave?
Engjëjt panë me vëmendje ato që po u tregoheshin. Po nuk u gjenin dot emra.
Të penduar pohuan para Zotit që nuk i dinin dhe kërkuan falje për ngutjen.
– O Zoti ynë, o më i Larti! Pa dyshim që nuk ka as më të mrekullueshëm, as më të përsosur se Ti! Vërtet që gjithë dija jonë është veç ajo që na ke mësuar Ti! Edhe njëherë e kuptuam dhe e mësuam se njohuria dhe dija Jote është pafund dhe në çdo veprim ke logjikën dhe misterin që vetëm Ti e di.
Këtë herë Zoti u kthye nga Ademi:
– Adem, thuaja ti engjëjve emrat e këtyre sendeve. Ademi ua shpjegoi një nga një të gjitha. Së pari u tha emrin, pastaj u tregoi njohuritë e tjera që kishte për ta, ndërsa engjëjt dëgjonin të mrekulluar. Po, ai dinte, atij i ishte shpjeguar misteri i dijes. Kjo ishte veçoria e tij që e bënte më të nderuarin e qenieve, aftësia për të mësuar dhe për të shpjeguar.
Më në fund, engjëjt e kuptuan shumë mirë arsyen pse iu përkulën Ademit, si dhe aftësitë e tij që e bënin përfaqësues të Zotit në tokë. I aftë për të administruar botën dhe për të ndërtuar qytetërime të mëdha me diturinë që i ishte dhënë.
Ademi (a.s.) nisi të jetonte bashkë me engjëjt dhe shpesh u tregonte atyre mbi gjërat që kishte mësuar, por këto gjëra nuk i tërhiqnin dhe aq engjëjt, të cilët e kishin mendjen vetëm tek mirësia dhe adhurimi. Ademi e ndiente veten të vetmuar.
Një ditë, kur hapi sytë e u zgjua nga gjumi, vuri re një grua që i rrinte te koka. Ishte shumë e bukur, sytë i ndrisnin, ndërsa e vështronte Ademin (a.s.) plot dashuri.
– Po ti kush je? Ti nuk ishe këtu kur fjeta, – e pyeti Ademi.
– Jo, nuk isha.
– Por erdhe kur po flija?
– Po.
– Po nga erdhe? Ku ishe më parë?
– Me krijoi Zoti, kur ti po flije.
– Pse të krijoi?
– Sepse nuk duhet të rrish më vetëm. Sepse duhet të jemi të lumtur sëbashku.
– Faleminderit, o Zot! Vërtetë që kam qenë shumë vetëm.
Engjëjt iu afruan Ademit (a.s.) dhe e pyetën si quhej ajo grua.
– Hava, – iu përgjigj.
– Po pse Hava? Ç’do të thotë?
– Hava, sepse atë e krijoi Zoti nga trupi im. Hava do të thotë e gjallë, plot jetë … .
Zoti i vendosi Ademin dhe gruan e tij, Hava-në, në Xhenet.
Ata hynë përdore në atë vend të mrekullueshëm dhe jetuan atje ditët më të bukura të jetës së tyre; por edhe sproven më të dhimbshme.
Jeta në Xhenet ishte si një ëndërr e bukur.
Madje më e bukur se në endrra, sepse në endrra disa gjëra vetëm mund të dëshirohen, kurse në Xhenet bëhen realitet.
Gjithçka e mrekullueshme që mund t’i kalojë ndokujt nëpërmend, është në xhenet. Të ngrëna , të pira, banesa, rehati, dashuri, qetësi, lumturi. Krijesa nga më të bukurat. Panorama të mrekullueshme, aroma marramendëse…
Në mes të këtyre pasurive fantastike, Ademit iu mbush zemra me lumturi, aq më tepër që kishte edhe Havanë afër.
Ai nuk ishte më vetëm, me Havanë kalonin kohë shumë të bukura, bisedonin së bashku, shëtisnin së bashku, nuk kishin asnjë shqetësim, asnjë hall. Zogjtë e Xhenetit, me cicërimat e tyre të mrekullueshme, ujërat e kthjellet të lumenjve dhe gurgullima e tyre e këndshme, i qetësonin shpirtin, e lumturonin. Gjithësia ende nuk e dinte se ç’është dhembja.
Zoti (×h.sh.) u kish dhënë leje të shëtisnin në çdo vend të Xhenetit. Të shijonin çdo frut, çdo gjë që iu pëlqente. Përveç një peme.
– Në asnjë mënyrë nuk duhet t’i afroheni asaj peme! – u tha. – Përndryshe do t’i bëni keq vetvetes.
Ajo pemë duhet të ketë qenë pema e vuajtjes, sigurisht!
Si Havaja edhe Ademi, e dinin shumë mirë se nuk duhej t’i afroheshin asaj peme. Por edhe Ademi, fundja, ishte njeri. Me harrimin e vet, me hutimin, me gjendjen shpirtërore gjithnjë në ndryshim, me vullnet të dobët… Ndaj dhe Iblisi vendosi të përfitonte nga këto dobësi dhe me urrejtjen dhe smirën që i vlonte përbrenda, iu afrua Ademit.
“E di pse të është ndaluar t’i afrohesh asaj peme? Sepse ajo pemë është pema e përjetësisë. Kush ha nga frutat e saj, bëhet i përjetshëm, i pavdekshëm,” – i pëshpëriste Ademit çdo ditë, çdo orë, duke u munduar t’ia merrte mendjen.
Ditët pasonin njera-tjetrën, Havaja dhe Ademi nisën të mendonin gjithnjë e më shpesh për pemën e ndaluar. Derisa më në fund, vendosën ta hanin. Për momentin, harruan se shejtani ishte armiku i tyre më i madh. Ademi zgjati dorën te frutat e pemës, këputi një dhe ia dha Havasë. E para e hëngri ajo, pastaj edhe Ademi.
Sapo kapërdiu një copë nga fruti i ndaluar, Ademi ndjeu një shtrëngim në zemër. Trishtimi dhe pendesa e pushtuan përnjëherë. Ndërkohë gjithçka përreth humbi shkëlqimin, ndjenjat e mrekullueshme që kishte në shpirt u mpinë, bukuritë u zbehën dhe çdo anë u mbështoll nga një atmosferë zie.
Padashur pa trupin e vet… O Zot! Ishte lakuriq! Po ashtu edhe Havaja. Mes turpit e shqetësimit, nisën të mbuloheshin me gjethe që i keputën nga pemët.
Pas kësaj ngjarjeje, Zoti i urdhëroi të dilnin nga Xheneti.
Kështu Havaja dhe Ademi u zbritën në tokë!
Tashmë që nuk ishin më në Xhenet, Ademi (a.s.) rënkonte me pendesë, Havaja qante me dhembje. Më pas, Zoti (xh.sh,) e pranoi pendimin e tyre dhe i fali, por që tani e tutje, vendi i tyre do të ishte në tokë. Aty do të jetonin, aty do të vdisnin dhe në Xhenet do të mund të shkonin vetëm pas fundit të kësaj bote.
Kështu nisi për ta jeta në tokë. Punë pa fund, lodhje, stërmundime… Nuk kishte më rehati dhe pasuri si në Xhenet. Këtu shtëpinë e vet i duhej ta ndërtonte vetë, ushqimin duhej ta nxirrte vetë nga toka, i duhej të punonte e të grumbullonte. I duhej të qepte rroba për të mbuluar trupin, pastaj duhej të punonte armë për t’u mbrojtur prej kafshëve të egra. Më e rëndësishmja, i duhej të ruhej nga shejtani, pa e harruar për asnjë çast rrezikun që i kanosej prej tij. Ai kishte qenë shkaku që e kishte nxjerrë nga Xheneti, kështu që edhe në tokë nuk ai nuk do të rrinte duarkryq, do të gjente hile e mashtrime për t’i gënjyer ata e fëmijët e tyre, prandaj duhej të ishte i vëmendshëm çdo moment.
Që atëherë, beteja mes të mirës e të ligës do të vazhdonte pa ndërprerje. Disa do të zgjidhnin rrugën e Zotit, e nuk do të kishte për ta as kërcenim, as frikë. Disa do ndiqnin rrugën e Iblisit, duke mos iu bindur Zotit, derisa të përfundonin bashkë me Iblisin në Xhehenem.
Ademi (a.s.) i kuptoi këto gjëra ndërkohë që mundohej të përshtatej me kushtet e vështira të jetës në tokë dhe u mërzit shumë.
E vetmja gjë që ia lehtësonte pak hidhërimin, ishte ardhja e tij në tokë si mbret. Ai ishte mbreti, i pari. Ai do ta punonte i pari tokën, do të ndërtonte i pari, do të themelonte qytete e fshatra, do t’i rriteshin fëmijët, do t’i përhapeshin nga çdo anë, do e zhvillonin dhe më tepër jetesën dhe do t’ia shtonin bukurinë faqes së dheut. Jeta ishte një sprovë dhe toka-vendi ku do bëhej ajo sprovë.
Ademit (a.s.) i lindën shumë fëmijë e nipër. Ai vazhdimisht u shpjegonte atyre Zotin dhe i këshillonte të mos binin në kurthin e shejtanit. Të dilnin fitimtarë nga kjo botë do të thoshte të mundnin shejtanin, armikun e tyre të betuar.
Secilën herë, Havaja lindte binjakë. Njëri prej binjakëve ishte djalë, tjetra vajzë. Pastaj Ademi martonte vajzën e njërit bark me djalin e barkut tjetër, duke bërë të mundur kështu vazhdimin e jetës në tokë brenda njëfarë rregulli. Por këtë rregull nuk donte ta zbatonte Kabili. Ai donte të martohej me çdo kusht me binjaken e tij, edhe pse asaj i duhej të martohej me Habilin. Kabili këmbënguli aq shumë, sa Ademi i këshilloi që të bënin një flijim për Zotin. Me vajzën do të martohej ai të cilit do t’i pranohej kurbani. Habili bëri kurban dashin e tij më të mirë, Kabili më të dobëtin.
Dhe Zoti pranoi kurbanin e Habilit.
Shejtani, duke marrë shkas nga dobësia e Kabilit, vendosi t’i sulej. E mbushi me smirë dhe urrejtje, derisa e bëri armik me të vëllain.
Do të të vras! – i thirri Kabili i mashtruar Habilit.
Habili ishte njeri shumë i mirë, i urtë dhe i moralshëm.
Edhe po ngrite dorë të më vrasësh, unë nuk do të përgigjem, sepse unë kam frikë Zotin, nuk bëj krime! – u përgjigj i qetë Habili.
Por Iblisi po luante me Kabilin sipas qejfit të vet. Krimi i parë në botë, nga dora e Kabilit do dilte…
Ishte një ditë e nxehtë. Habili kishte rënë për t’u çlodhur nën hijen e një peme, ku e kishte zënë një gjumë i thellë. Kabili doli heshturazi nga vendi ku qe fshehur, në dorë mbante një kockë të madhe të një kafshe të ngordhur. lu afrua Habilit dhe me gjithë fuqinë e qëlloi në kokë. Habilin e pafajshëm e mbuloi gjaku dhe menjëherë dha shpirt. Kabili, duke vrarë vëllain, kishte kryer edhe krimin e parë në faqe të dheut. Ishte bërë lojë e shejtanit. Megjithëse Ademi a kishte tërhequr vëmendjen me mijëra herë , duke i këshilluar që t’i ruheshin atij.
Kur pa trupin e pajetë të të vëllait, Kabili erdhi në vete. Sikur ishte zgjuar nga një makth! Habili shtrihej pa lëvizur. Kabili i thirri disa herë, e tundi dhe e shkundi që ta zgjonte, por më kot. Ishte tepër vonë. Një britmë tmerri i doli nga shpirti.
“Ç’bëra?”, klithi. Por tashmë kjo nuk kishte asnjë vlerë.
I tronditur e i trembur, mendoi se ku mund ta fshihte kufomën.
Pas pak, klithma e një sorre, çau heshtjen. Kabili u kthye dhe pa një sorrë sterrë të zezë, që rrinte pranë një sorre të ngordhur. Siç duket, dhe ajo e ka vrarë të vëllain, mendoi Kabili. Sorra e zezë klithi edhe një herë tjetër, pastaj nisi të gërmoje dheun me sqep. Pasi hapi një gropë në tokë, e shtyu me këmbë sorrën e ngordhur dhe pastaj e mbylli sërish.
“Turp, as sa një sorrë nuk vlej”, tha me vete Kabili dhe hapi edhe ai një gropë, ku varrosi të vëllain, pastaj iku larg, shumë larg.
Një ditë , profeti ynë, Muhamedi (a.s.), ishte ulur dhe po bisedonte me shokët e tij. Gjithmonë bisedat e tij ishin një burim dijesh dhe besimi për të gjithë. Kur e pyetën për krimin e parë mbi tokë, profeti (a.s.) tha kështu:
“Mekati i çdo krimi mbi tokë, i shkruhet njëkohësisht edhe Kabilit, sepse krimin e parë mbi tokë e kreu ai.”
Kur mësoi për krimin, Ademi (a.s.) u hidhërua jashtë mase.
Njërin bir e kishte humbur, kurse tjetri, me gjithë këshillat e tij të shumta, kishte rënë pre e shejanit dhe e kishte humbur provimin në tokë. Por tani e kishte edhe më të qartë qëllimin e kësaj bote: ‘Një luftë pa pushim me shejtanin, një përpjekje për Xhenetin e humbur.’
Koha rridhte…
Javët pasonin ditët, muajt javët, vitet muajt.
Një natë… Frynte një erë e rreptë. Gjethet e pemës që Ademi (a.s.) kishte mbjellë me duart e veta, u drodhën. Degët u përkulën gjer në ujërat e liqenit pranë. Sapo pushoi era, nga pema nisi të kullonte ujë , pikë-pikë.
Pemën e vjetër e kishte mundur trishtimi, dridhej me degët dhe gjethet e saja. Edhe yjet në qiell dridheshin. Hëna ishte zbehur shumë dhe shihte e përmallur nga qoshja e saj botën.
Rrezet e saj lajmëtare u derdhën mbi fusha, male, kodra, pemë, dhe u drodhën. Sepse gjithçka ishte mbështjellë në zi.
Rrëshqitën në dhomën e Ademit.
Mbi fytyrën e tij ra argjendi i rrezeve të hënës. Ishte i lodhur, por i qetë, shumë i qetë. Një dhomë e thjeshtë, një shtrat me degë e gjethe dhe një burrë me mjekër të bardhë, fisnik, shumë fisnik. Perreth i qëndronin të bijtë. Dhe Ademi (a .s.) foli.
Foli për të gjithë pasardhësit e tij, për të gjithë ata që do të lindnin e për ata që ishin aty. “Vetëm një rrugë është për shpëtimin e njerëzimit. Vetëm një armë kemi për t’u mbrojtur nga shejtani, Besimin. Mesazhet që Zoti do t’i dërgojë njerëzimit me anë të profetëve.”
Zoti nuk do ta braktiste njeriun në betejen e tij me shejtanin. Ai do t’i dërgonte njeriut profetë e të dërguar që do t’iu tregojnë rrugën për në Xhenetin e humbur. Ndoshta me emra të ndryshëm, mrekulli e dhunti të ndryshme, veçori të ndryshme, por të gjithë të mbledhur rreth një të vërtete, besimi në një Zot të Vetëm.
Me të mbaruar porosinë, Ademi (a.s.) mbylli sytë e lodhur me ngadalë. Papritur, pa engjejt që e kishin rrethuar dhe e përshëndesnin. Mes tyre vuri re edhe engjëllin e vdekjes. Zemra i rrahu fort, buzëqeshi dhe ndjeu sërish aromën e Xhenetit që e kishte përfshirë të gjithin.
"Për të vazhduar punën tonë dhe për të sjellë më shumë përmbajtje të vlefshme për ju, ju lutemi të merrni në konsideratë dhurimin e një shume të vogël. Çdo kontribut është i çmuar për ne dhe do të shkojë në përhapjen e përmbajtjes sonë dhe promovimin e vlerave të shumta dhe të bukura të Islamit në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni."
DHUROShare News
-
Të fundit
-
Më të lexuarat