Namazi i Bajramit falet dy herë në vit, në Bajramin e Ramazanit dhe atë të Kurbanit. Është vaxhib. Falet në ditën e parë të Bajramit, në një afat të caktuar pas lindjes së diellit.
Namazi i Bajramit në 7 hapa:
- Ngrihemi në këmbë, drejtohemi kah kibleja (Qabja) dhe mbajmë radhën të rregullt me të tjerët.
- Bëjmë nijetin për të falur Namazin e Bajramit dhe fillojmë namazin duke thënë “Allahu Ekber”.
- Lidhim duart nën kërthizë duke e vendosur të djathtën mbi të majtën.
- Lexojmë Subhaneken në heshtje.
- Imami merr tekbir (thotë “Allahu Ekber”) dhe ngrit duart tek veshët. Të gjithë bëjmë njëjtë pas imamit dhe pastaj i lëshojmë duart poshtë. Herën e dytë marrim përsëri tekbir dhe i lëshojmë duart. Në herën e tretë lidhim duart.
- Imami lexon Fatihanë dhe një sure, të tjerët dëgjojnë. Imami shkon në ruku duke thënë Allahu Ekber, të gjithë bëjnë njëjtë dhe pastaj në sexhde dhe ngrihemi në rekatin e dytë.
- Imami lexon Fatihanë dhe një sure. Pastaj marrim tre tekbire. Në tekbirin e katërt biem në ruku e pastaj në sexhde. Ulemi në uljen e fundit, lexojmë Ettehijjatu, Salavatet dhe Rabbena dhe japim selam.
Pas faljes së namazit të Bajramit dëgjojmë hutben (ligjeratën) e imamit dhe bëjmë tekbiret e teshkrikut.
Si bëhen Tekbiret e Teshrikut?
Gjatë Kurban Bajramit këndojmë tekbire pas çdo namazi farz duke filluar pas faljes së namazit të sabahut ditën e parë të Bajramit deri pas faljes së namazit të ikindisë në ditën e katërt. Këto quhen Tekbiret Teshrik dhe janë vaxhib. Bëhen duke thënë:
“Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il’lallahu uallahu ekber, Allahu ekber ue lil’lahil hamd”.