Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpërndan temën e hutbes së xhumasë
- Krijuar : 26-09-25
- / 6783 Lexime
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shpërndarë temën e hutbes së kësaj jave për të gjitha xhamitë e vendit. Tema e trajtuar këtë të premte është “Familja, vatra më e rëndësishme e shoqërisë”. Në vijim gjendet teksti i plotë i hutbes së përgatitur për besimtarët myslimanë.
𝗛𝘂𝘁𝗯𝗲𝗷𝗮 𝗲 𝘅𝗵𝘂𝗺𝗮𝘀𝗲̈ ✅
Tema: 𝗙𝗮𝗺𝗶𝗹𝗷𝗮, 𝘃𝗮𝘁𝗿𝗮 𝗺𝗲̈ 𝗲̈ 𝗿𝗲̈𝗻𝗱𝗲̈𝘀𝗶𝘀𝗵𝗺𝗲 𝗲 𝘀𝗵𝗼𝗾𝗲̈𝗿𝗶𝘀𝗲̈
يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُمْ مِنْ نَفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالًا كَثِيرًا وَنِسَاءً ۚ وَاتَّقُوا اللَّهَ الَّذِي تَسَاءَلُونَ بِهِ وَالْأَرْحَامَ ۚ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبًا
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra...” (Nisa, 4:1)
Të nderuar vëllezër e motra!
Familja nis me një burrë dhe një grua, pastaj plotësohet në mënyrën më të dëshiruar me fëmijët. Ajo është sistemi më i vjetër shoqëror, sepse arrin deri te familja e parë e Ademit (paqja qoftë mbi të), e cila ishte bërthamë e tërë shoqërisë njerëzore. Ndër qëllimet dhe funksionet e familjes, gjejmë vazhdimësinë e brezave.
Familja është një komb i vogël, kurse kombi, një familje e madhe. Kombi formohet prej elementeve në shtëpi. Kështu, po qe se shtëpitë janë mirë, edhe kombi është mirë, si dhe e kundërta. Në këtë drejtim, familjet e ngritura mbi logjikën dhe gjykimin, duke u mbështetur qysh në hapat e para te Zoti, sigurojnë vazhdimësinë e kombit që i përkasin, si dhe vënë në garanci qetësinë dhe lumturinë e brezave të ardhshëm.
Ashtu siç Krijuesi caktoi Ademin dhe Nuhun si zanafillës të individualitetit njerëzor dhe besimit të kulluar, po ashtu Allahu i Gjithëditur përzgjodhi mes njerëzisë familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit, si përfaqësueset më të mira të modelit të familjes – vatër e besimit. (Kur’an, 3:33-34) Ato janë familje tërësisht besimtare, që shërbejnë me përkushtim për fenë e Zotit dhe që janë përkujdesur e kanë lënë pasardhës të kapur fort pas besimit të pastër. Ismaili, Is’haku, Jakubi, Jusufi dhe Isai, (paqja e Zotit qoftë mbi ta) qenë disa nga Lajmëtarët e dalluar, pasardhës të këtyre dy familjeve të nderuara.
Përmes ajeteve kur’anore, që përshkruajnë copëza domethënëse nga jeta e këtyre dy familjeve, Allahu na orienton në rrugën më të mirë të modelimit hap pas hapi të një vatre familjare të shëndetshme. I Gjithëdituri, nëpërmjet Kur’anit, na përkujton lutjet e shumta të profetit Ibrahim apo edhe të bashkëshortes së Imranit, për të na mësuar se prindërit, që në krye të herës dhe vazhdimisht, duhet t’i luten me sinqeritet Lutjepranuesit Allah për fëmijët. Lutjet duhet të jenë si për zhvillimin shpirtëror individual e familjar, ashtu edhe për përparimin material e civilizues. “Zoti ynë! Na bëj të dyve (babë e bir) besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë njerëz të bindur ndaj Teje. Na i mëso rregullat e adhurimit dhe na fal. Vërtet Ti je që fal shumë dhe je Mëshirues!” (Kur’an, 2:128) “Zoti im! Bëje këtë një qytet të sigurt dhe më mbro mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve!” (Kur’an, 14/35) “Zoti im! Më dhuro mua (fëmijë) prej punëmirëve!” (Kur’an, 37:100) Kështu lutej, ndër të tjera, profeti Ibrahim (a.s.). Të njëjtën esencë besimi përmbante edhe lutja e gruas së nderuar të Imranit për foshnjën ende të palindur (Merjemen): “Zoti im! Këtë që është në barkun tim, vendosa ta kushtoj vetëm për shërbimin Tënd. Pra, pranoje këtë prej meje!” (Kur’an, 3:35)
Të nderuar vëllezër e motra!
Feja Islame shumë shpesh fokusohet te rëndësia e familjes dhe e konsideron atë si kala mbrojtëse përballë jetës boheme, sepse familja është vendi ku natyra njerëzore mund ta shprehë veten në mënyrën më të mirë, ku mund t’i realizojë dhe kthejë në praktikë vlerat e larta si: dashuria, respekti, dhembshuria, sakrifica, besnikëria dhe bindja. Afërsisht një e treta e rregullave juridike të Kur’anit kanë të bëjnë me familjen dhe rregullimin e harmonisë së saj.
Sistemi i familjes Islame i vendos të drejtat e burrit, gruas, fëmijëve dhe të afërmve në një ekuilibër të përsosur dhe këto marrëdhënie nga aspekti juridik dhe moral janë të shpjeguara deri në detajet më të imëta. Ai ushqen tek individi bujarinë, dashurinë dhe sjelljet joegoiste në kuadrin e një familjeje të organizuar mirë. E gjithë kjo, ka për qëllim që shoqëria myslimane të ndërtohet mbi themele të shëndosha, pasi qetësia dhe siguria e ofruar nga një familje e stabilizuar, ka vlerë të jashtëzakonshme dhe është thelbësore për anëtarët e saj. Pa ekzistencën dhe përkrahjen e një familjeje të shëndoshë, nuk mund të realizohet harmonia në një shoqëri.
Tashmë të gjithë e pranojmë se familja shqiptare po pëson transformime strukturore dhe konceptuale. Shikojmë e përjetojmë sfidat, problemet dhe sëmundjet e saj, që drobitin dhe çojnë drejt vdekjes një e nga një qelizat vitale të kombit. Përkundër shumë e shumë problemeve, duhet theksuar se kurrsesi nuk mund të vihet në pikëpyetje ekzistenca e familjes, si njësi bazë e shoqërisë njerëzore. Zhvillimi i njerëzimit është projektuar dhe ndodh vetëm mbi strukturën familjare. Ky është një nga ligjet e Allahut.
Të gjitha fetë dhe të gjithë sociologët, pavarësisht besimit dhe rrymave të mendimit filozofik, janë të unifikuar në domosdoshmërinë e njësisë familjare, të bazuar në dy gjinitë biologjike: burrë dhe grua. Kjo është sanksionuar me konsensus ndërkombëtar si në Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, ashtu edhe në Kodet e Familjes që aplikohen në sistemet juridike të të gjithë shteteve në botë.
Familja e ngjizur nëpërmjet besimit në Zot përbën modelin më të natyrshëm, më të përshtatshëm e më të konsoliduar për të siguruar vazhdimësinë e shoqërisë njerëzore. Historia e gjatë e njerëzimit e ka dëshmuar më së miri këtë. Më së pari, prindërit duhet të mbushen me besim në Zotin Krijues, Mëshirues e Bamirës. Pastaj, ata duhet ta falënderojnë pareshtur Allahun për dhuratën e çmuar jetësore. Dhe, pa rënë në harresë e neglizhencë, këtë besim të natyrshëm duhet t’ua transmetojnë me mençuri edhe fëmijëve përgjatë procesit të edukimit.
Feja islame ka për qëllim të krijojë familje të shëndosha në shoqëri. Këto familje të shëndosha nuk mund të shkatërrohen lehtë dhe nuk bien lehtë nën ndikimin e streseve shoqërore dhe morale. Që mos shkojmë deri te shkatërrimi i familjes prej shtresave ideologjike, të cilat mundohen të depërtojnë në familjet tona, ne duhet ta mbrojmë dhe ta forcojmë vazhdimisht strukturën familjare.
Lusim Allahun (xh.sh.) të na ndihmojë në rrugën e përçimit të vlerave fetare e morale, në kuadër të ruajtjes së dinjitetit të lartë njerëzor, si dhe të na ruajë familjet tona e familjet e reja që krijohen nga të gjitha rreziqet që i kanosen shoqërisë shqiptare. Zot, bëje sistemin e pastër të vlerave fetare, bashkë me shembullin e lartë të moralit të profetëve, e në veçanti atë të Profetit Muhamed (a.s.), sistemin triumfues për ngritjen e vlerave njerëzore drejt horizonteve të larta, dhe ruana ndaj çdo ideje të paqenë e që në thelb ka cytje djallëzore dhe shthurjen e prishjen!
Amin!
Instituti për Studime Islame “Hafiz Sabri Koçi”
www.insi.al
"Për të vazhduar punën tonë dhe për të sjellë më shumë përmbajtje të vlefshme për ju, ju lutemi të merrni në konsideratë dhurimin e një shume të vogël. Çdo kontribut është i çmuar për ne dhe do të shkojë në përhapjen e përmbajtjes sonë dhe promovimin e vlerave të shumta dhe të bukura të Islamit në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni."
DHURO
Share News
-
Të fundit
-
Më të lexuarat






