Tuesday 03-12-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

100 vjet Medreseja e Tiranës

admin
  • Krijuar : 01-06-24
  • / 294 Lexime

Në vitin 1924, u hap një  dritare e rëndësishme për arsimin dhe besimin në Shqipëri, u hap Medreseja e Tiranës. Sot, kur ky institucion shënon 100-vjetorin e tij, krenohemi me kontributin e vyer që ka dhënë për shumë breza: në formimin e shumë intelektualëve, liderëve fetarë dhe akademikëve të njohur. Gjatë këtyre viteve, ajo ka qenë një frymëzim dhe pikë referimi për shumë breza të shkolluarish, ka shërbyer si një shkollë ku nxënësit janë përgatitur jo vetëm për sfidat e një bote të ndryshme, por edhe për të ruajtur e promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe fetare.

Modeli i qytetarit që medreseja synon të ndërtojë, duhet të perceptojë shumë mirë botën në të cilën jetojmë, duke ndjekur teknologjinë më të fundit dhe të jetë i vetëdijshëm për shkencën e fesë, duke përfaqësuar praktikat morale islame në mënyrën më të mirë, ndërkohë që është i lidhur thellësisht me Krijuesin. Duke mos u dhënë pas kënaqësive tokësore, komoditetit ose luksit, por pas Zotit, ai do të punojë për të mirën e njerëzimit dhe do të mbjellë farën për një të ardhme të lumtur, duke qenë i ndershëm dhe i çliruar nga ndikimet e jashtme të modernizmit. I pavarur me të vërtetë nga çdo forcë tokësore, ai do të mendojë dhe veprojë lirisht, ndërkaq që liria e tij do të jetë në proporcion të drejtë me robërinë te Zoti, domethënë, sa më të robëruar ndaj Zotit, sa më të lidhur pas Tij, aq më të fuqishëm në personalitet dhe në jetesë të rrugës së drejtë.

Duke u mbështetur mbi arsyen, përvojën dhe ndërgjegjen, ky model qytetari kërkon përsosjen në çdo gjë, vënien në ekuilibër të kësaj bote dhe asaj që vjen më pas. Duke qëndruar i patundur në këto vlera të përjetshme, duhet të vështrojë gjithmonë të ardhmen dhe të ndriçojë errësirën që ka mbuluar botën.

Kurrë nuk do të jenë të kënaqur me dijet e tyre, ata vazhdimisht do të jenë në kërkim të dijeve të reja, dije për veten, natyrën dhe për Zotin. Me një këndvështrim të drejtë për kohën në të cilën jetojnë dhe për kushtet që i rrethojnë, me përkushtimin ndaj vlerave esenciale të tyre dhe me besimin më të lartë te Zoti, ata do të jenë në gjendje për të vazhduar vetëpërtëritjen.

Pavarësisht sfidave dhe ndryshimeve në rrugën e saj 100-vjeçare, Medreseja e Tiranës ka mbetur një qendër e arsimit të lartë dhe e ndërgjegjshme për nevojat e shoqërisë së saj. Ajo sot funksionon si gjimnaz i përgjithshëm, aktualisht me 329 nxënës, nga të cilët 75 janë në ciklin e mesëm të ulët dhe pjesa tjetër janë në arsimin e mesëm të lartë. Meqenëse ofrohet akomodimi si shërbim, nxënësit vijnë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, duke e bërë atë një vatër ku kultura të ndryshme shkrihen për të krijuar një kulturë të amalgamuar që karakterizon çdo medresist që e përvetëson atë. Shkolla ka një infrastrukturë moderne, me klasa digjitale, me të gjithë laboratorët përkatës, me salla sportive, salla multimediale dhe sallë konferencash. Nxënësit e diplomuar nga kjo shkollë, në fund të shkollimit të tyre, janë të aftë të konkurrojnë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, brenda dhe jashtë vendit. Fakti që lëndët shkencore bëhen në gjuhën angleze, ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e nxënësve të ndjekin studimet universitare jashtë vendit. Suksesi i kësaj shkolle është kthyer në traditë; duke e bërë atë ndër shkollat më të veçanta, si për nga cilësia e mësimdhënies dhe nga arritjet e nxënësve.

Ky 100-vjetor shënon një moment të rëndësishëm për të reflektuar mbi kontributin e madh të Medresesë së Tiranës në historinë dhe arsimin shqiptar, si dhe për të shprehur respektin dhe vlerësimin për të gjithë ata që kanë punuar dhe kontribuar në këtë institucion gjatë dekadave.

Ndërsa shënon këtë ngjarje të rëndësishme, le të përqafojmë trashëgiminë e Medresesë së Tiranës dhe të përkujtojmë angazhimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një shoqëri më të arsyeshme dhe më tolerante për të gjithë! 
/ nga Ndriçim Gjimi, Drejtor i Medresesë së Tiranës/ Zani i Naltë

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame