Saturday 23-11-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Kryerja e haxhit nga shqiptarët e Kosovës gjatë periudhës osmane

admin
  • Krijuar : 24-06-24
  • / 310 Lexime

Nga: Agron Islami

Vizita e Qabesë përbën shtyllën e pestë të islamit – pas shehadetit (dëshmisë së Njëshmërisë së Zotit dhe profetësisë së Muhamedit), namazit, agjërimit dhe zeqatit (dhënie e një pjese të pasurisë për bamirësi). Sipas parimeve të islamit, edhe vizita e Qabesë është obligim vetëm për ata/ato besimtarë/e që plotësojnë kushtet e parapara në ligjet të cilat burojnë nga libri i shenjtë Kurani dhe nga tradita e pejgamberit (profetit Muhamed).

Mbi këtë parim, çdo mysliman që plotëson kriterin e pjekurisë, të shëndetit dhe të fuqisë ekonomike për të përballuar shpenzimet gjatë rrugëtimit – pa lënë anash edhe gjendjen ekonomike të familjes së vet (duhet të sigurohet që familjaret të kenë ushqime të mjaftueshme deri sa ai të kthehet) – obligohet me plotësimin e këtij kushti të islamit.

Shqiptarët të cilët kush më herët e kush më vonë e njohën dhe e pranuan islamin për fe, u bënë pjesë e vizitorëve të vendeve të shenjta të myslimanëve (Mekës dhe Medinës). Megjithëse nuk kemi të dhëna të sakta mbi haxhiun e parë shqiptarë të trevës së Kosovës që vizitoi Qaben, nga të dhënat e epitafeve të skalitura në gurë mund të konstatohet se që nga shekulli XVII (1600 e tutje), në mesin e haxhilerëve të botës bënin pjesë edhe shqiptarët të cilët në mënyrë të organizuar merrnin këtë rrugë disa mujore.

Rruga nëpër të cilën kalonte karvani i haxhilerëve fillonte në Yskydar të Stambollit, kalonte në Gebze, Eskishehir, Konja, Adana, Antakja, Halep (të Sirisë) për të shkuar drejtë Shamit/Damaskut i cili ishte edhe pikëtakim me haxhilerët e zonave tjera të Arabisë. Ndërsa, kafilja (bashkësia) e haxhilerëve që vinin nga Afrika veriore, pushimin e bënin Kajro të Egjiptit dhe më pas kalonin nëpër shkretëtirën arabe për të arritur në Hixhaz.

 

 

 

Sipas një traktati anonim të shkruar në vitin 1780, haxhilerët që vinin nga zonat e Rumelisë osmane (tokat osmane në Evropë), apo të hapësirës së Ballkanit të sotëm, ndiqnin rrugën deri në Stamboll dhe nga aty kalonin nëpër Damask drejt Hixhazit. Në këtë traktat janë përmendur 76 menzile që përdoreshin për pushime gjatë udhëtimit të gjatë rreth tremujor që realizohej nga pelegrinët.

Rrugëtimi deri në Sham/Damask bëhej me kafshë personale të pelegrinëve apo të kandidatëve për haxhinj. Ndërsa, nga këtu e tutje vazhdonin me deve të cilat i merrnin me qira. Kjo bëhej edhe për shkak të klimës, meqenëse deveja ishte kafshë e zonës dhe i përshtatej kësaj klime të nxehtë. Njëherësh duhet theksuar se studiues të ndryshëm kanë sjell dëshmi se pushimet e pelegrinëve deri në Damask bëheshin nëpër hane dhe menzile të veçanta që ishin ngritur pikërisht për këtë qëllim, teksa nga Damasku e deri në vendet e shenjta këto pushime mund të jenë bërë nëpër çadra e shatorë të ndryshëm personalë.

Pas hapjes së kanalit të Suezit më 1869, udhëtimi për në vendet e shenjta mund të realizohej edhe me anije. Kjo bëhej nga Stambolli nëpërmjet Detit të Kuq në limanin e Xhides. Një formë tjetër e udhëtimit ishte edhe ajo me tren – përmes hekurudhës e cila ishte projektuar nga ana e Sulltan Abdulhamitit të Dytë (1876-1909). Projekti i Sulltan Abdulhamitit synonte që hekurudha të bëhej deri në Mekë. Më pas të lidhet me Xhiden dhe si rrugë alternative të bëhet edhe rruga hekurudhore nga Meka për në Akabe, Jemen, Nexhid dhe Bagdad.

Kështu, me 1 shtator të vitit 1900, në Damask filluan punimet për ngritjen e hekurudhës ku merrnin pjesë zyrtarë të shumtë osmane, kori i huaj diplomatik dhe shumë media. Kjo hekurudhë, e cila ishte emëruar si Hekurudha e Hixhazit meqë bashkonte gjithë myslimanët e zonës, përbënte rrezik të nivelit të lartë për fuqitë e huaja evropiane të cilat kishin hartuar politika koloniale për këtë zonë. Karshi lëvizjeve për të penguar këtë projekt, Sulltani kishte paraparë që hapësirat nga do të kalonte rruga e trenit, të popullohej vetëm me banorë të besimit islam.

Kështu, pas punimeve të vazhdueshme, me datë 27 gusht 1908, me prezencë të burokratëve osmanë dhe shumë mysafirëve nga diplomacia dhe media, u lëshua treni i parë nga Damasku për në Medine. Si rezultat i kësaj hekurudhe, rruga e cila merrte rreth 40 ditë me deve, tani arrihej me vetëm 72 orë. Por, me rrëzimin e Sulltanit nga pushteti më 1909, projekti mbeti i parealizuar, madje u pasivizua edhe rruga Damask-Medine si rezultat i luftërave dhe bombardimit të një pjesë të hekurudhës nga ana e anglezëve.

Si rezultat i mungesës së defterëve të kadinjve të qyteteve të Kosovës – një pjesë e të cilave u dogjën gjatë Luftës së Dytë Ballkanike – deri tash nuk kemi informacione të sakta mbi numrin e hanxhinjve të Kosovës apo për formën se si ishin organizuar. Megjithatë, nga informacionet e defterëve të zonave të tjera osmane, nënkuptohet se kandidati për haxhi, para nisjes për në Qabe hartonte një testament te kadiu i qytetit ku specifikohej nisja për haxh dhe, në rast të vdekjes gjatë rrugës, jepeshin detajet se çfarë do bëhej me pasurinë e tij. Meqenëse Suraiya Faroqhi – njëra nga studiueset më të njohura të jetës sociale në kohën osmane – për evidentimin e hanxhinjve të qyteteve të Anadollit ka marrë për bazë edhe titullin haxhi të skalitur në gurë të varreve (përveç testamenteve), edhe ne, nga hulumtimet në terren kemi arritur që të identifikojmë disa emra të hanxhinjve të cilët e kanë kryer haxhin në kushtet e sundimit osman, siç është rasti me Haxhi Mustafa Tashollin, të birin e Alitashit nga Gadimja (viti i vdekjes 1726); Haxhi Mehmetin, të birin e Ademit nga Prishtina (vd. 1879); Haxhi Sylejmanin, të birin e Shabanit nga Shtutica e Drenasit (vd. 1887); pastaj, Haxhi Mehmetin nga Sadovina e Çerkezëve të Vitisë (vd. 1876); Haxhi Bajram Efendiun nga Ferizaj (vd. 1886); Haxhi Ahmedin, të birin e Munish Agës nga Reçaku (vd. 1902) etj. / alkig.at

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame