Libani njoftoi se ka marrë garanci ndërkombëtare se një sulm i mundshëm izraelit në përgjigje të sulmit me raketa në qytetin Druze do të jetë "i kufizuar", siç do të jetë përgjigjja nga Hezbollahu, transmeton Anadolu.
Teksa Izraeli ka fajësuar Hezbollahun për sulmin e së shtunës, grupi libanez mohoi përgjegjësinë.
"SHBA-ja nuk e mbështet zgjerimin e luftës, por nëse Izraeli dëshiron ta bëjë këtë, SHBA-ja nuk do ta ndalojë atë dhe nuk do të ndalojë furnizimin e saj me armë", tha ministri i Jashtëm i Libanit, Abdullah Bou Habib, në një intervistë për kanalin libanez Al-Jadeed.
"Ne kemi marrë garanci nga vendet e interesuara se reagimi izraelit do të jetë i kufizuar, ashtu si edhe përgjigjja e Hezbollahut", shtoi Bou Habib.
Ai vuri në dukje se Hezbollahu është ai që lufton kundër Izraelit, jo shteti libanez.
"Është për të qeshur dhe tragjike që Izraeli, i cili ka kryer masakra në Gaza, dëshiron të mbrojë civilët në Golanin e pushtuar sirian. Ne dënojmë çdo agresion kundër civilëve kudo", tha Bou Habib.
Lartësitë e Golanit ndodhen në Sirinë jugperëndimore dhe kanë një rëndësi të madhe strategjike. Izraeli e ka pushtuar këtë zone që nga lufta e vitit 1967 dhe e ka aneksuar në vitin 1981, një veprim që nuk është njohur nga Kombet e Bashkuara, të cilat e konsiderojnë këtë tokë pjesë të Sirisë.
Pas një takimi urgjent katërorësh, kabineti izraelit i sigurisë autorizoi dje kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për të përcaktuar mënyrën dhe kohën e sulmit ndaj Hezbollahut.
Frika është rritur për një luftë të plotë midis Izraelit dhe Hezbollahut në mes të një shkëmbimi të sulmeve ndërkufitare midis dy palëve. Përshkallëzimi vjen në sfondin e një sulmi vdekjeprurës izraelit në Gaza, në të cilin janë vrarë më shumë se 39.300 palestinezë që nga tetori i kaluar, pas një sulmi nga grupi i rezistencës palestineze Hamas./aa