Gjatë një deklarate për mediat, Donald Trump ka ndarë mendimin e tij për zhvillimet në Siri dhe rolin e Turqisë në rajon. Ai deklaroi se Turqia ka një ndikim të madh në rrëzimin e regjimit të Bashar al-Assadit dhe lavdëroi presidentin turk Recep Tayyip Erdogan si një udhëheqës “shumë të zgjuar” dhe “të fortë”.
Sipas Trump, rrëzimi i Assadit është rezultat i një “marrjeje jomiqësore” të udhëhequr nga Turqia, por ai theksoi se kjo është bërë pa humbje të mëdha jetësh. “Ata njerëz që hynë janë të kontrolluar nga Turqia, dhe kjo është në rregull. Është një mënyrë tjetër e të luftuarit,” u shpreh ai.
Trump shtoi se askush tjetër nuk e di saktësisht kush qëndron pas këtyre zhvillimeve, por sipas tij, “Turqia qëndron pas kësaj”. Ai vazhdoi duke thënë: “Ata e kanë dashur këtë për mijëra vjet, dhe Erdogan e arriti”.
“Assadi ishte një kasap”
Në komentin e tij, Trump gjithashtu e përshkroi Bashar al-Assadin si një “kasap” për atë që, sipas tij, ka bërë ndaj popullsisë siriane dhe fëmijëve në veçanti. Ai nuk dha detaje të tjera për këtë deklaratë, por duket se i referohej viteve të luftës civile dhe krimeve të shumta të raportuara gjatë regjimit të Assadit.
Një perspektivë për të ardhmen e rajonit
Sipas Trump, askush nuk e di rezultatin përfundimtar që e pret rajonin pas këtyre zhvillimeve, por ai beson se Turqia është tani lojtari kryesor që do të përcaktojë të ardhmen e tij. “Unë besoj se Turqia është fitimtarja dhe ajo që do të vendosë tani e tutje të ardhmen aty,” tha ai.
Deklaratat e Trump kanë ngjallur reagime të ndryshme në arenën ndërkombëtare, veçanërisht për vlerësimin e tij për Erdoganin dhe rolin e Turqisë në Lindjen e Mesme. Disa zyrtarë kanë shprehur shqetësimin për rritjen e ndikimit turk në rajon, ndërsa të tjerë e shohin këtë si një dinamikë të re në politikën globale.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Trump nuk ka ofruar ndonjë plan konkret për mënyrën se si do të angazhohet SHBA në rajon pas këtyre ndryshimeve, duke lënë shumë pikëpyetje mbi të ardhmen e marrëdhënieve mes vendeve të përfshira./bota-islame.com