Brazili, i cili mban presidencën e radhës të grupit ndërkombëtar BRICS për vitin 2025, ka njoftuar se Indonezia është bërë zyrtarisht anëtare e këtij blloku.
Presidenca e Brazilit në BRICS filloi më 1 janar dhe do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2025. BRICS, themeluar në vitin 2009, përfshin fillimisht pesë vende: Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, por tashmë po zgjerohet.
Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Punëve të Jashtme e Brazilit përgëzoi Indonezinë për anëtarësimin në bllok dhe vuri në dukje rëndësinë e këtij bashkëpunimi. "Indonezia, me popullsinë dhe ekonominë më të madhe në Azinë Juglindore, ndan me anëtarët e tjerë të BRICS mbështetjen për reformimin e institucioneve globale të qeverisjes dhe kontribuon në forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të Jugut Global," thuhej në deklaratë.
Procesi për pranimin e Indonezisë filloi në Samitin e Johannesburgut në gusht 2023, kur liderët e BRICS miratuan kandidaturën e saj. Megjithatë, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme në shkurt 2024, Indonezia zyrtarizoi anëtarësimin vetëm pasi formoi qeverinë e re.
Sot, BRICS përfaqëson 40% të popullsisë botërore dhe 35% të prodhimit të përgjithshëm global, duke e pozicionuar si një fuqi të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Anëtarësia e tij është zgjeruar ndjeshëm, me 13 vende të reja partnere që iu bashkuan deri në tetor 2024, përfshirë katër vende të Azisë Juglindore: Malajzinë, Indonezinë, Vietnamin dhe Tajlandën./bota-islame.com