Myftiu i Madh i Egjiptit, Nazir Ayyad, ka refuzuar ashpër një fetva të lëshuar nga Unioni Ndërkombëtar i Dijetarëve Muslimanë (IUMS), e cila i bënte thirrje të gjithë myslimanëve të aftë të shpallnin “xhihad” kundër Izraelit për shkak të mizorive të tij në Gaza.
IUMS kishte deklaruar se të gjitha vendet myslimane kanë një detyrim ligjor që të “ndërhyjnë menjëherë ushtarakisht, ekonomikisht dhe politikisht për të ndalur këtë gjenocid dhe shkatërrim të gjithanshëm”, duke kërkuar edhe vendosjen e një bllokade ndaj Izraelit. Sekretari i përgjithshëm i Unionit, Ali al-Qaradaghi, theksoi se dështimi i qeverive arabe dhe islame për të mbështetur Gazën konsiderohet, sipas Sheriatit, si një krim i madh ndaj vëllezërve të shtypur në Gaza.
Në kundërpërgjigje, Nazir Ayyad theksoi se “asnjë grup apo organizatë nuk ka të drejtë të lëshojë fetva mbi çështje kaq të ndjeshme dhe vendimtare pa respektuar parimet dhe objektivat e larta të Sheriatit”. Ai paralajmëroi se një veprim i tillë mund të rrezikojë sigurinë e shoqërive dhe stabilitetin e shteteve myslimane.
“Mbështetja për popullin palestinez dhe të drejtat e tij legjitime është një detyrë fetare, njerëzore dhe morale,” tha Ayyad. “Por kjo mbështetje duhet dhënë në mënyra që shërbejnë realisht interesat e palestinezëve, jo për të ndjekur agjenda të caktuara apo veprime të papërgjegjshme që mund të çojnë në shkatërrim e katastrofë edhe më të madhe.”
Ai sqaroi se në Islam shpallja e xhihadit është përgjegjësi e një autoriteti legjitim. “Në kohën tonë, ky autoritet përfaqësohet nga shteti dhe udhëheqja zyrtare politike, jo nga organizata që nuk kanë legjitimitet ligjor dhe nuk përfaqësojnë myslimanët as fetarisht, as praktikisht.”
“Thirrjet për xhihad pa marrë parasysh kapacitetet politike, ushtarake dhe ekonomike të një kombi janë akte të papërgjegjshme që bien ndesh me parimet e Sheriatit,” shtoi ai, duke theksuar se udhëheqësit myslimanë duhet të përpiqen për deeskalim të situatës dhe jo për përshkallëzim.
Edhe predikuesi pro-qeveritar salafist në Egjipt, Yasser Burhami, e refuzoi fetvanë e IUMS, duke e quajtur të paarritshme dhe në kundërshtim me traktatin e paqes që Egjipti ka nënshkruar me Izraelin në vitin 1979. Burhami është një nga mbështetësit kryesorë të Presidentit Abdel Fattah el-Sisi dhe ka përkrahur grushtin e shtetit të vitit 2013 ndaj presidentit të zgjedhur Mohamed Morsi.
Fetva - është një opinion juridik islam jo detyrues, i bazuar në Kuran dhe Sunet, që lëshohet nga dijetarë të respektuar. Deklarata e Qaradaghi-t, e mbështetur nga 14 dijetarë të tjerë të njohur, kërkonte që vendet islame të rishikonin traktatet e paqes me Izraelin dhe që myslimanët në SHBA t’i bënin presion presidentit Donald Trump për të ndaluar agresionin izraelit dhe për të sjellë paqe.
Që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, Izraeli ka vrarë mbi 50,000 palestinezë, ka shkatërruar infrastrukturën e enklavës dhe ka detyruar shumicën e banorëve të shpërngulen, ndërkohë që ka bllokuar furnizimet me ushqim dhe ndihma mjekësore. Ndaj Izraelit është ngritur një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndërsa Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arrest për kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant. / meaddleeasteye.net