Pas 23 viteve të ndalimit të fesë me ligj, Zoti bëri të mundur që me datë 16 nëntor 1990, të rihapet xhamia e parë në Shqipëri, ajo e Plumbit në Shkodër. Hapja e xhamisë së Plumbit ishte shkëndija e parë, që dha sinjalin fatlum se Islami jo vetëm që nuk ish harruar, por vazhdonte të ishte i gjallë e i freskët në zemrat e shqiptarëve.
Në këtë ditë të shënuar, ne kujtojmë me respekt dhe nderim ata bijë e bija shqiptare, të cilët morën iniciativën e guximshme për të hapur xhaminë dhe për të rifituar të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit fetar. Rreziku ishte shumë i madh, por zemrat e besimtarëve nuk mund të rezistonin më ndalimin e praktikimit të fesë.
Në këtë ditë të shënuar, ne kujtojmë me respekt Haxhi Hafiz Sabri Koçin, pishtarin e ringjalljes së Islamit në Shqipëri, i cili në praninë e afro 55 mijë vetave do të shprehej: “Gëzimi më i madh imi ka qenë më 16 nëntor... sikur linda përsëri... E pashë veten aq të lumtur, saqë nuk kisha gajle edhe sikur të bija kurban. Nuk kishte gëzim më të madh!” Në fjalën e hapjes, hirësia e tij Haxhi Hafiz Sabri Koçi, më pas kryetar i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas komunizmit, vuri në dukje nevojën e ushtrimit të fesë nga çdo njeri dhe në çdo kohë.
Ngjarja e 16 nëntorit nuk ishte thjesht një ceremoni fetare. Ajo krahas vlerës së vet të ringjalljes së fesë, ishte një dritë shprese për të ardhmen e Islamit në Shqipëri. Po atë ditë u vendos rithemelimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili me ndihmën e Zotit, me shumë mund dhe sakrifica, arriti të ngrihet së bashku me myftinitë, medresetë dhe Universitetin Bedër, një institucion që i shërben mbarë popullit shqiptar në shumë drejtime.
Vlerësim dhe mirënjohje për të gjithë ata njerëz, që me përkushtim kontribuuan me shpirtin dhe pasurinë e tyre në skalitjen e datës 16 Nëntor 1990 në kujtesën historike të kombit tonë, si dita e lirisë së besimit.