Wednesday 04-12-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Çfarë është Namazi?

admin
  • Krijuar : 03-12-24
  • / 102 Lexime

Namazi është miraxhi i besimtarit; namazi është drita, buraku i tij në rrugën drejt miraxhit; namazi është anija, sateliti, aeroplani i shpirtrave besimtarë në udhëtim; ai është vendqëndrimi më i afërt me të përtejmen, vendstrehimi i fundit i udhëtarit që synon afrimin me Zotin dhe takimin me Të; namazi është një nga mjetet më të mëdha në shërbim të përmbushjes së qëllimit e që ndan me të të njëjtin cak.

Rruga e të qenit faqebardhë e me sy shkëlqimtarë në Ditën e Kiametit, me duar e fytyra krejtësisht të pastra, me një ndërgjegje të dëlirë sa botët e brendshme të atyre në qiell, rruga e të qenit edhe para të parëve, me shenjat e sexhdes dhe të abdesit nëpër trup, kalon nga namazi dhe nga veprimet që bëhen para namazit. Në të njëjtën kohë, këtij adhurimi, i cili konsiderohet edhe një gradë e veçantë e afrimitetit me Allahun dhe që përfshin thellësi shumë të ndryshme, nëse marrim parasysh kuptimin e kalimit të jetës para Zotit duke u përqendruar në idenë e të qenit rob i Tij, mund të quhet edhe “ribat” (lidhje). 

Abdesi – ruaj mendimin e shqyrtimit të temës së abdesit veçmas në vazhdim – është paralajmërimi i parë dhe përgatitja më e parë në rrugën drejt namazit; kurse ezani – edhe kjo çështje duhet shpjeguar më vete – është paralajmërimi i dytë dhe një mënyrë e rëndësishme “tendosjeje metafizike”. Njeriu, trupi i të cilit pastrohet nga gjërat e papastra dhe negativitetet e dukshme e të padukshme në sajë të abdesit, nëpërmjet ezanit dëgjon ndërgjegjen dhe përfytyrimet e mundësuara prej tij, kurse me namazin e parë që fal, përpiqet të gjejë zërin, frymën thellë brenda vetes dhe, mandej, vihet në pritje të startit të lëvizjes së madhe, e cila mund të realizohet vetëm nëpërmjet faljes me xhemat.

Ky adhurim i bekuar në dimensionet e miraxhit, që e bën njeriun të endet në qiejt e pafundësisë dhe të arrijë gjer në botën e engjëjve, është si një lumë brenda të cilit hidhemi e lahemi pesë herë në ditë dhe që, në çdo zhytje, na pastron edhe një herë tjetër nga gabimet tona; na merr dhe na çon në oqeane, na shëtit vazhdimisht mes fillimit e fundit, dhe kjo, në vetvete, bart kuptimin e ushtrimeve të përjetshmërisë dhe përshpirtshmërisë jashtë dimensioneve tona.

Nëpërmjet namazit, dita dhe nata e njeriut i nënshtrohen një ndarjeje plot të fshehta. Jeta organizohet sipas një kuptimi të kohës me në qendër adhurimin dhe, në këtë mënyrë, bëhet e mundur vazhdimësia e sjelljeve tona të bukura nën kontrollin dhe mbikëqyrjen e Zotit. Ndërkohë, veprimet tona jashtë adhurimeve shndërrohen gjithashtu në adhurime, marrin ngjyrën e tyre dhe jeta jonë e përkohshme në këtë botë fillon të valëvitet me ngjyrën e atyre në qiell.

Kur çasti i vërshimit të ezanit mes zhurmëve të kësaj bote apo edhe nga mesi i një heshtjeje të përgjithshme të bëhet i qartë nëprmjet akrepave të orës, lëvizjes së diellit, shtimit të zërave dhe frymëmarrjeve rreth e rrotull xhamisë, përjetimit të emocionit të pafundësisë në çdo anë, kontrollit të fytit nga ana e muezinëve dhe tingujve të parë fishkëllyes e të zhurmshëm të altoparlantëve, do të fillojnë të dëgjohen bisedat e heshtura nëpër zemra, përçartjet e njerëzve brenda turbullirës të të qenit të sapozgjuar nga gjumi dhe fjalët që i kapërcejnë dimensionet tona sikur të ishte duke u përjetuar një botë e ndërmjetme mes dynjasë dhe botës së përtejme. Për më tepër, me manovrat e mendimeve në kërkim të një shtegu të ri dhe me marrjen në konsideratë të rrugës së namazit edhe pse ende nuk është bërë hyrja brenda tij, dalin në pah një sërë ndjenjash të tjera, mërmëritet një botë e tërë gjërash dhe, në emër të adhurimit që planifikohet të realizohet pak më pas, kërkohet përqendrimi dhe tendosja metafizike e nevojshme në përpjekjen për të arritur qëndrueshmërinë me të gjitha aftësitë shpirtërore.

Ecja drejt mesxhidit, mendimet gjatë rrugës, tendosja e parë dhe akordimi, që realizohen përmes abdesit, mund të konsiderohen si përpjekje për të arritur qëndrueshmërinë e duhur. Ezani është si një ftesë për në dhomën e haremit, një tingull hyjnor që na përgatit për përqendrimin deri në thellësitë e shpirtit tonë, një penzë që ulet e ngrihet mbi ndjenjat tona. Edhe pse veshët tanë janë mësuar me të për shkak se përsëritet çdo ditë, edhe pse logjika jonë e thjeshtë e merr si të mirëqenë atë, ezani shfaqet papritmas pas kodrave, që janë gjithmonë të pranishme mes nesh dhe së përtejmes, si një hënë. Ezani gjëmon si rrufetë dhe, brenda një çasti, bën që shikimet tona tokësore t’i kthehen qiellit. Ndërkohë, fillon një kapitull krejt i ri hyjnor, që vërshon si uji i burimeve, që shpërthen madhërishëm si një ujëvarë dhe që zbraz në shpirtrat tanë melodinë më të këndshme në botë, atë më mahnitësen, më gjallëruesen. Por nuk mbetet me kaq, na tërheq drejt atmosferës së atllastë të konotacioneve dhe i pëshpërit zemrave tona magjitë e epokave të ndritshme, na entuziazmon duke na i gjetur dhe kthyer sërish ëndrrat tona të hapura drejt përjetësisë dhe gjërat që kemi humbur nëpër kthesat e ndryshme të historisë, na dhuron një tufë zërash të freskët, një tufë poezish dhe harmoni. Sikur të jemi duke marrë një dush muzikor, ne ezanin e ndiejmë gjithmonë me gjithë qenien tonë dhe, në çdonjërën nga këto ndjesi, zgjohemi ndaj një magjie të papërshkrueshme, një shijeje, hijeshie dhe kënaqësie tjetër. Kjo ndjenjë dhe intuitë, shumë herë na ngre drejt qiellit nëpërmjet një spiraleje të magjishme ose na jep ndjesinë e fluturimit me balonë në lartësi shumë të mëdha. Aq më shumë kur ezani këndohet në përshtatshmëri të plotë me thelbin e tij, si zëri e fryma e ndërgjegjes. Sa të shndritshme dhe përtëritëse janë minutat e ezanit; kur qiejt mbushen me dritë, shpirti Muhamedan hap flatrat dhe gjuha Ahmedane i bën qiejt dhe tokën të kumbojnë! Në ato minuta, nëse njeriu do të zbriste në thellësitë e shpirtit, nëse do t’i vinte veshin ndërgjegjes së tij, kushedi ç’kuptime të pazbuluara më parë do të ndiente, kushedi ç’asociacione ndjesish do t’i ngjalleshin në thellësitë e tij! 

Ndërgjegjet e gjalla, të cilat, duke rinovuar vazhdimisht veten, janë në gjendje të ruajnë freskinë e tyre përsa i përket zemrës dhe shpirtit, në çdo kohë ezani ndiejnë ëmbëlsinë dhe gjallërinë e çasteve kur ai zbriti për herë të parë nga qielli, kurse brenda zërit që lartësohet nga minaret dëgjojnë thirrjet e pejgamberëve. Mandej arrijnë korin e tekbireve, tehlileve (të thënit “Lá iláhe il’lallah”) dhe shehadetit të engjëjve në zemrat e tyre, dhe, në fund, bëhen sikur po dëgjojnë frymën ringjallëse të Xhibrilit, frymëmarrjet jetëdhënëse të Israfilit. 

Pasi arrihet tendosja dhe ngopja jashtë namazit nëpërmjet ezanit, akoma pa filluar hapja drejt thellësive të afrimitetit të vërtetë përmes namazit farz, me namazin e parë nafile dhe ikametin, të cilët konsiderohen pjesë të fazës së rrethimit të shpirtrave nga flladet e mëshirës hyjnore, kontrollohet edhe një herë tjetër përqendrimi i thelluar hap pas hapi deri në atë minutë. Mbasi rishikohen edhe një herë vëmendja dhe kujdesi, që i përkasin qetësisë dhe paqes përfundimtare, fillon ecja drejt namazit sikur të ishte një ecje për në miraxh. Zërat, tingujt, fjalët dhe veprimet që përplasen me zemrën tonë deri në atë moment, që bëhen shkak për kalimin e anëve tona njerëzore në një gjendje alarmante dhe që na bëjnë të drejtohemi për nga mihrabi ynë i përjetshëm, janë si një proces akordimi për gjetjen e melodisë së vërtetë të zemrës sonë në telat e ndërgjegjes. Zëri i vërtetë në adhurim, para atij mihrabi unik, fillon me veprimet e përbashkëta të pjesëtarëve të xhematit, ndjenjat dhe mendimet e të cilëve janë bërë një, që, të përulur e me duart të lidhura para vetes, qëndrojnë pas një imami, që përkulen për të shprehur respektin dhe nderimin e tyre, që ngrihen e i bëjnë temena të Vërtetit (xhel’le xheláluhu), që ulen në tokë dhe, duke bashkuar kokë e këmbë në të njëjtën pikë, ecin drejt Allahut. Në atë masë që e ndiejmë në ndërgjegjet tona vetëdijen e xhematit, po në atë masë bëhemi sikur po ndiejmë dhe dëgjojmë të gjitha bukuritë, gëzimet, harénë e epokave të ndritura, dikur të përjetuara nga profetët.

Po, për ata që janë bërë njësh me harmoninë e namazit në qiej, çdo lëvizje dhe çdo fjalë pas imamit lëshon tingujt e mallit të qenies njerëzore për parajsën e humbur dhe valëvitet me një ndjenjë shprese, atë të shpresës për t’u ribashkuar me të. Pothuajse për të gjithë ata që e lëshojnë veten në atmosferën e namazit, këtij adhurimi në dimensionet e miraxhit, ai ngjason me agimet e ditëve lozonjare e plot ëndrra të periudhave tona parajsore të dikurshme dhe të xheneteve përtej kësaj bote. Ne, në masën e botës sonë emocionale, sa herë qëndrojmë në namaz, gjerbim dëlirësinë dhe qetësinë e një brezi të tërë drite, që 19 shtrihet nga bukuritë e xhenetit deri në epokat tona të arta dhe shtriqemi gjithë haré. Në këtë mënyrë, mendjet tona, të shthurura e të pështjelluara nga një mijë e një rropama të botës, vijnë në vete; shpirtrat tanë çlirohen nga atmosfera e zymtë dhe shtrënguese e trupores dhe bota jonë e zemrës fillon të flluskojë edhe një herë me dëshirën e zjarrtë të ribashkimit. Njerëzit e shpirtit dhe zemrës, edhe nëse jo në çdo kohë namazi dhe në çdo kryerje të farzeve, të paktën disa herë në ditë bëjnë vajtje-ardhje mes parapërjetësisë dhe përjetësisë; shumë herë mendojnë njëkohësisht për të kaluarën dhe të ardhmen; pjesët e arta të kohës, të cilat duken sikur kanë kaluar, i soditin bashkë me majat e smeraldta të së ardhmes që valëvitet gjithë shpresë; ndiejnë e jetojnë në të njëjtën kohë jetën e tyre bashkë me jetën që kanë jetuar të tjerët dhe, sikur të jenë duke pirë nga uji i keutherit, gjejnë brenda vetes kujtime të një mijë e një kënaqësive dhe lumturive. Ashtu si në ëndrra, kapërcejnë distancat, enden nëpër botë të pakufizuara nga koha, ndiejnë të gjitha kënaqësitë e gjërave të jashtëzakonshme, kalojnë nga njëra ndjenjë në tjetrën e nga ideja në ide dhe çdo moment e përjetojnë brenda një tufani të veçantë njohjeje, dashurie dhe kënaqësie. (Këto konsiderata janë për ata që kanë arritur në këtë pikë të horizonteve të mendimit dhe dijes.)

Sidomos kur shpirti dhe zemra bëhen njësh me namazin, kjo cilësi ndriçuese i transformon veprimet tona të zakonshme duke i zëvendusuar ato me poezinë e saj dhe duke i mbështjellë me harmoninë dhe natyrën e saj qiellore.

Lëvizjet misterioze dhe magjike të namazit, të cilat ushqejnë mendimet, imagjinatën dhe ëndrrat tona disa herë në ditë, gjithmonë e gjejnë një mënyrë dhe një shteg që do të mundësojnë kalimin në botët e përtejme e që do t’i bëjnë zemrat tona të thonë:

“Vendi im në hapësirë u zëvendësua,

I tërë trupi në shpirt m’u shndërrua,

Vështrimi i Zotit qartaz u dallua,

Veten e pashë të dehur në bashkim!”

(Nesímí)

Dhe, në këtë mënyrë, me thellësitë e tij edhe përtej dimensioneve, adhurimi vë në dukje edhe një herë atë bukuri të pafillim, të fshehur nëpër zemra si një thesar, dhe burimin e të gjitha përfitimeve. Për këtë arsye, më shumë se sa çështjet e njohura dhe që duken qartë, në namaz përjetohen një tufan ndjenjash dhe një vorbull emocionesh madhështore, që i kapërcejnë rrethanat dhe çështjet si sasia apo cilësia. Në namaz, horizontin tonë të të shprehurit e mbështjellin gjëra që nuk mund të thuhen gjithmonë. Ndjenjat e pamundura për t’u shprehur i pëshpërisin shpirtit tonë një melodi të çuditshme. Ndjesi e mendime të thella, që vështirë të përfshihen nga gjuha jonë e përditshme, pushtojnë qenien tonë. Dhe hapen dyert e një zgjuarsie në ngjyra të padukshme, të një mendimi thuajse në vijën e atij të profetëve, të cilat i kalojnë kufijtë e mendjes materiale dhe të logjikës abstrakte. Nga ky këndvështrim, mund të themi se, për robin, nuk ka një adhurim më të madh se namazi dhe nuk ka një gjendje më të shëndetshme dhe më të thellë se ato të shoqëruara nga përfytyrimet dhe mendimet që flluskojnë në namaz.

Horizonti i namazit, që arrihet nga shpirti i njeriut duke kapërcyer me ndjenjat dhe perceptimet e tij ekzistencën dhe çdo gjë tjetër që mund të shihet me sy dhe duke mbërritur në pikën e të padukshmes dhe të panjohurës, shpreh përmallimin, pikëllimin dhe mallin për vendlindjen e të gjithë shpirtrave që janë në gjendje ta dëgjojnë atë. Në të njëjtën kohë, shpreh edhe qetësinë e zemrës, këndshmërinë e ndjenjave njerëzore, soditjen e sipërfaqes së tokës nga ana e yjeve, sekretet e qiejve, rrezatimet e botës së përtejme, shpatet e xhenetit, pemët që lëkunden nëpër ato shpate, lumenjtë që rrjedhin nën ato pemë... I shpreh të gjitha këto me çdo pjesë të tyren, me Kuranin brenda tij, me lutjet... I shpreh të gjitha këto dhe, me një mënyrë krejtësisht të re, i përsërit sikur të ishte duke u shërbyer ujë keutheri shpirtrave tanë...

Pas kijamit, këta robër besnikë e të mbërthyer tek adhurimet dhe robëria ndaj Zotit, emocionet e shpirtrave të tyre të dëlirë dhe ngazëllimin e mendimeve të tyre të drejta dëshirojnë t’i ulërasin edhe një herë nga podiumi i rukusë. Me një ndjenjë që buron nga përzierja 21 e madhështisë me mëshirën e hirësinë dhe me një sjellje dinjitoze, përkulen si një shkop; përkulen dhe, me një vetëdije të thellë të të qenit robër të Zotit, mërmërisin në çdo çast madhështinë hyjnore, përpiqen të hapin dyert e “Bahçes së Shenjtë” nëpërmjet rukusë, kësaj mënyre të një pjese të banorëve të qiellit për t’iu drejtuar Allahut, dhe arrijnë thellësitë e botëve të tyre shpirtërore në masën e hapjes së atyre dyerve. Ashtu si në haxh apo edhe në udhëtime të tjera, ku ngjitja drejt majave dhe arritja në rrafshnalta pas kapërcimit të majave shoqërohet me këndim të tekbireve dhe tehlileve, edhe gjatë miraxhit, këtij udhëtimi shpirtëror nën titullin ‘namaz’, kalimi nga një pjesë e tij në tjetrën shoqërohet me të njëjtat ndjenja e mendime të dëlira dhe shprehet gjithmonë nëpërmjet të njëjtave fjalë të bekuara. Me tekbiret, tahmidet dhe mendimet që rrjedhin nga këto fjalë, të cilat, për të shprehur në mënyrën më të mirë të mundshme respektin ndaj Allahut, thuhen pothuajse në çdo pjesë të namazit, preken tokmakët e portës së Divanit të Lartë dhe, mandej, me vëmendjen, vigjilencën dhe kujdesin për ta vlerësuar në mënyrën më të përsosur një çast të volitshëm, kalohet në pritje të asaj ore të nderuar; kalohet në pritje dhe, me ndjeshmërinë e një maceje që pret gjahun e saj, me durimin e një merimange, bëhen përpjekje për të kapur përfitimet dhe pasqyrimet hyjnore.

Rukuja lëshon mbi ne flladet e saj në një hap më tej kijamit dhe u pëshpërit shpirtrave tanë rreth një ëndrre më të bukur se jeta, më joshëse se kënaqësitë trupore dhe të pamundur për t’u bërë realitet në këtë botë të kufizuar. Na pëshpërit sa e sa gjëra rreth kësaj ëndrre, të cilën ne nuk jemi në gjendje as që ta bëjmë pjesë të imagjinatës sonë. Zemrave tona i premton ditë, orë dhe minuta të smeraldta, përtej objekteve që dëshirojmë dhe presim. Në fund të fundit, a nuk jemi të gjithë nga pak fëmijë të shpresave, idealeve, ëndrrave dhe pritshmërive tona? Pothuajse të gjithë ne, kur zgjohemi ndaj realitetit pasi jemi rrahur nga mbrapshtitë e ditëve të sotme, e kapërcejmë kohën brenda së cilës ndodhemi dhe, me shpresën e jetës dhe lumturisë që do të arrijmë më tej, themi “e ardhmja” dhe kundrojmë livadhet e xhenetit me buzën në gaz. 

Rukuja, me dimensionet në kuptimin e saj të përkuljes para Zotit, merr zërat e të gjithë të përkulurve dhe, herë duke thënë “Zoti im, mua më ka prekur e keqja” e herë “Vetëm Ty t’i shpreh hallet e mia dhe rrëmujën brenda kokës sime”, na bën të ndiejmë një gurgullimë nga lumi i jetës dhe një aromë këmishe nga krahina e Jusufit (a.s). Në këtë mënyrë, nëpërmjet sihariqit të mrekullive që do të vijnë nga përtej të vërtetave, na bën të shpërthejmë në haré. Madje na emocionon në një mënyrë të atillë, saqë drejtojmë belin në shoqërinë e një tufani falënderimesh dhe i servirim Atij edhe një moment tjetër mirënjohjeje. Ky qëndrim i shkurtër në këmbë është një liman i veçantë nisjeje drejt të Vërtetit dhe ndryshe nga ai i pari. Në këtë liman të shndritshëm, kijamin, leximin e ajeteve të Kuranit dhe tesbihet e rukusë i kalojmë edhe një herë nëpër thellësitë e zemrës sonë, përpiqemi të ndiejmë pafundësinë e ndjenjave, imagjinatës dhe ëndrrave tona duke i ngjeshur ato brenda kësaj ndalese fare të shkurtër, mobilizojmë të gjitha forcat tona ndjenjësore për të përfituar sa më shumë dhe, me pamjet e “thesareve të fshehtë” që kemi kapur, lëshohemi në një rrjedhë të re ndjesish, më të gjerë, më të thellë dhe në ngjyrat e një afërsie më të madhe me Zotin. Është e vështirë të kuptosh se ç’lloj gëzimi dhe kënaqësie arrijnë ata që e ndiejnë namazin në ruku dhe e dëgjojnë në kijam, se me ç’tmerr dhe respekt përpëliten, me çfarë shpresash tendosen dhe se me ç’lloj frike dridhen. Kjo mënyrë të ndieri, ky dëgjim, është i pari i hapave më seriozë të ndërrmarë drejt arritjes tek i Dashuri, ndërsa hapi i dytë është sexhdeja.

Sexhdeja është terreni i falënderimeve dhe mirënjohjes për dhuratat e shpërblimet e mundësuara brenda namazit; ajo është ena refraktare e frikës dhe respektit, brenda së cilës derdhen plotësisht zemrat e shkrira, për të marrë trajtën e të qenit robër të Zotit. Sexhdeja ndodhet mes lutjeve dhe pranimit të tyre nga ana e të Vërtetit. Ajo është vija e drejtë mes dy pikave. Sexhdeja është vendi ku mbizotërojnë mendimet dhe ndjenjat e zjarrta të mallit ndaj të Dashurit që duhet njohur dhe dashur, është vendi i takimit me Të. Ne, duke e provuar sexhden në vendndodhjen e saj të vërtetë, ndiejmë një esencë të filtruar nga imani, Islami dhe ihsani të rrjedhë në majat e smeraldta të zemrave tona, duke kaluar nëpër kijamin, 23 rukunë dhe qëndrimin në këmbë pas rukusë të namazeve tona.

Në sexhde, duke bashkuar në të njëjtën pikë kokën dhe këmbët, marrim një formë të rrumbullakët; tendosemi si një hark; bëhemi një zë, një frymë, dhe rënkojmë. Bashkojmë me imanin tonë pafundësinë e shpresave tona të mjaftueshme për çdo vepër dhe paradhënien e mëshirës që shfaqet te çdo gjë. Përpiqemi të ndryshojmë fatin tonë duke kaluar nën këtë brez shumëngjyrësh, që i ngjan një ylberi me njërin skaj në këtë botë dhe skajin tjetër në botën e përtejme.

Në këtë pikë, në këtë majë të fatit të tij, tek e cila e kanë ngritur ndjesitë e përjetuara në sexhde dhe nga ku shikon e mediton të vërtetën, duke përdorur gjuhën e zemrës, duke derdhur të gjitha fjalët e ndjenjave të tij, duke e kthyer pak dynjanë drejt anëve të botës së përtejme dhe duke lejuar që bota e përtejme të reflektohet pakëz në botën e tij shpirtërore, njeriu mund të ndiejë dhe përjetojë një privilegj të atillë, thua se është duke lexuar eposin e adhurimeve dhe robërisë së tij ndaj Zotit.

Po, kur duatë, që shpërthejnë me vetëdijen e të qenit rob i Zotit, ndeshen me ujëvarat e mëshirës dhe begative të Tij dhe vërshojnë brenda njëra-tjetrës, kur lutja dhe përgjigjja e saj takohen me shoqishoqin, ndjenjat tona fillojnë të rrjedhin po aq bukur sa jeta parajsore, po aq gjerësisht sa malli i ritakimit. Për ata që kuptojnë, shija e këtyre bukurive është aq e mprehtë, theksi i tyre është aq magjepsës, saqë, pasi i kanë ndier dhe përjetuar ato një herë, nuk dinë si të falënderojnë e të jenë mirënjohës ndaj Pronarit të mirësive për gjithë këto mirësi.

Një rob i Zotit, që, i përulur dhe me një spirale drite, ngjitet në majat më të paarritshme dhe i jep nëpërmjet këtij udhëtimi qiellor një tjetër thellësi afrimitetit me të Vërtetin, me ndjenjën, vetëdijen dhe dehjen e arritjes së “Bahçes së Xhenetit” dhe duke paraqitur respektin e lavdërimet ndaj Allahut për ta larmuar edhe me një dimension tjetër takimin me të Dashurin, ngre kokën gjithë respekt dhe, duke thënë “ettehijjátu...” me edukatën dhe moralin e të gjendurit para Tij, kalon në ekstazë, në një gjendje të magjishme, të mbinatyrshme, sikur të mos jetë më një qenie tokësore.

Aq sa heroi i namazit, i entuziazmuar nga këto kënaqësi të pafund dhe me një ndjenjë që nuk di të ngopet, përtej kufijve të sasisë dhe cilësisë, kthehet drejt shlyerjes së borxhit të mirënjohjes ndaj të Vërtetit në emër të pasurisë, jetës dhe të gjitha dhuntive hyjnore, të cilat i bën më të thella e të pafundme nëpërmjet nijetit dhe i përjetëson duke i lidhur me të Vërtetin përmes besimit e sinqeritetit të tij... Kujton Allahun me gjithë ndjeshmërinë e zemrës së tij dhe rënkon... Sjell në mendje Profetin (s.a.s.), qetësohet përbrenda... Mendon për njerëzit që ndajnë me të të njëjtën lumturi, gjëmon me lutje të hairit... Dhe këtë udhëtim të miraxhit, që e nisi me tekbire, e përfundon me shehadetin, i cili konsiderohet themeli i fesë...

Njerëzit e mësuar me namazin dhe që ushqehen nëpërmjet tij, nuk ngopen kurrë me të. “A nuk ka më?” – janë fjalët e tyre në fund të çdo namazi dhe vrapojnë nga njëri namaz nafile në tjetrin. Nëpërmjet namazit të duhasë ngrihen lart si dielli, shkojnë e prekin tokmakun e derës së afrimitetit përmes namazit eu’uábín, me namazin e natës (tehexhxhud) i dërgojnë rreze drite errësirave të jetës së varrit dhe, në këtë mënyrë, përpiqen të thurin jetën e tyre si një dantellë mbi shallet e adhurimit, duke mos dashur të ndahen aspak nga drita brenda së cilës po jetojnë e nga kuptimet që u kanë mbështjellur shpirtrat. Nuk e dëshirojnë aspak një ndarje të këtillë, përkundrazi, vrapojnë pareshtur drejt bukurive që premton adhurimi.

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame