Wednesday 08-01-2025
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Namazi i parë i xhumasë!

admin
  • Krijuar : 07-01-25
  • / 48 Lexime

Të mblidhesh me njerëzit, të përzihesh me ta, të shqetësohesh për hallet e të tjerëve dhe të gëzohesh edhe ti me gëzimet e tyre është një domosdoshmëri e të qenit i qytetëruar. Prandaj ensarët, që para se të vinin në Medine muhaxhirët, patën folur kështu mes tyre: “Hebrenjtë dhe të krishterët mblidhen çdo shtatë ditë. Ejani të caktojmë edhe ne një ditë dhe le të mblidhemi rregullisht. Të përmendim Allahun, ta adhurojmë dhe ta falënderojmë Atë.” Dhe, më pas, në ditën që caktuan, u mblodhën në shtëpinë e Esad ibn Zurares (r.a.) dhe falën namaz. Esadi (r.a.) i priu ata në faljen e namazit. Kab ibn Malik (r.a.), gjuha e të cilit ishte po aq e mprehtë dhe ndikuese sa shpata e tij, në kohët kur do të humbte shikimin, atëherë kur nipi i tij do ta kapte për dore dhe do ta shoqëronte sa herë të kishte dëshirë për të shkuar në mesxhid, do të kujtonte këtë moment në çastet e këndimit të ezanit të xhumasë dhe do të thoshte: “Allahu (xhel’le xheláluhu) e mëshiroftë Esad ibn Zuraren (r.a.). Pasi Musabi (r.a.) u bë shkak që ne të bëheshim myslimanë në Medine – nuk e di nëse kishte ardhur ndonjë lajm nga i Dërguari i Allahut – ai përveshi mëngët dhe, duke lëvizur nëpër sokakët e Medines, mblodhi pas vetes dyzet (sipas një transmetimi tjetër, dymbëdhjetë) veta. Pastaj na priu në faljen e namazit të xhumasë. Mandej theri një cjap dhe shtroi për ne një gosti. Kështu, Esad ibn Zurare (r.a.) qe ai që na përgëzoi për herë të parë me namazin e xhumasë. Allahu e mëshiroftë atë deri në fund të jetës së tij.”314 Më vonë, pasi i erdhi urdhri me shkrim i Profetit tonë (s.a.s.), Musab ibn Umejri (r.a.) filloi të printe faljen e namazeve të xhumasë.

Nga të gjitha këto, ne kuptojmë këtë: Të mbledhurit së bashku qoftë edhe vetëm një herë në javë, adhurimet e përbashkëta, bashkëbisedimet me ndërgjegje të pastra dhe ndarja e halleve me njëri-tjetrin përbëjnë një nevojë dhe një çështje të rëndësishme shoqërore. Edhe në një kohë kur Islami sapo kishte hapur flatrat për t’u ngritur në fluturim, besimtarët e ndërgjegjshëm e patën kuptuar nevojën e diçkaje të këtillë, i patën besuar domosdoshmërisë së xhumasë dhe, edhe pse nuk kishte ardhur ende ndonjë urdhër nga Profeti ynë (s.a.s.) në lidhje me këtë çështje, patën falur namazin e xhumasë. 

Sipas asaj që thotë Ibn Haxheri, Profetit tonë (s.a.s.), obligimi i namazit të xhumasë i ka ardhur që kur ishte në Mekë.315 Ky imam i madh sigurisht që është bazuar diku në lidhje me këtë që thotë; mirëpo, është e pamundur të kuptohet kuptimi i propozimit të Allahut të Madhëruar për faljen e namazit të xhumasë në një vend ku kushtet për kryerjen e saj nuk ishin plotësuar akoma. Pra, ishte e sigurt që Pejgamberi ynë (s.a.s.) nuk do të ishte në gjendje ta falte namazin e xhumasë gjatë asaj periudhe, sepse kushtet nuk ishin të përshtatshme. E, në fakt, ajo që ne dimë në lidhje me këtë çështje është se Profeti ynë (s.a.s.) nuk ka falur as edhe një namaz xhumaje në Mekë. Namazi i xhumasë është namaz xhemati; ai kërkon një imam përpara, të përkushtuar ndaj së drejtës dhe që merret edhe me punët e popullit, dhe, pas tij, një xhemat, që i bindet atij imami dhe ia vë veshin të drejtës e të vërtetës. Ngaqë këto kushte nuk ishin plotësuar të gjitha, do të thotë se Profeti ynë (s.a.s.) nuk ishte obliguar me faljen e namazit të xhumasë që kur ndodhej në Mekë. Vetëm pasi u urdhërua për të bërë hixhret, pra, pasi iu hap rruga për në Medine, vajti në Kuba fillimisht; pastaj, brenda katër-pesë ditëve që qëndroi atje, ndërtoi mesxhidin e Kubas. Xhibrili i solli lajmin e faljes së xhumasë pasi qe larguar nga Kuba, kur kishte ardhur në luginën e djemve të Salim ibn Aufit. Kështu që, aty u fal namazi i parë i xhumasë. Sepse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e kishte gjetur një popull tashmë dhe mund ta shpallte haptazi faljen e namazit të xhumasë, që është një nga simbolet e Islamit. Për më tepër, Ai kishte hyrë brenda kufijve të qytet-shtetit që do të themelonte së shpejti. Për rrjedhojë, Ai do ta kishte në dorë vulën tanimë, Ai do të ishte imami, dhe xhemati Atë do të dëgjonte.

Pasi u futën në Medine, të gëzuar e të lumtur për shkak të pranisë së Pejgamberit tonë në mesin e tyre dhe të myzhdesë në lidhje me namazin e xhumasë, gjëja e parë që bënë besimtarët qe marrja e një gërmadhe dhe ndërtimi i një mesxhidi në vendin e saj. Më vonë, aty filluan të faleshin namazet e xhumasë. Sido që ta quajmë ne sot atë vend, Mesxhid Nebeuí (Mesxhidi i Profetit) apo Rauza Táhire (Bahçja e Pastër), nuk do të jemi kurrë në gjendje ta shprehim me fjalë natyrën e tij të vërtetë. Sepse dheu i vendit ku shtrihet trupi i të Dërguarit të Allahut nuk mund të krahasohet me asnjë dhe tjetër të botës. A ka ardhur nga Xheneti, apo është krijuar në një mënyrë të veçantë nga nuri hyjnor, këtë nuk mund ta dimë. Por dimë se Profeti ynë (s.a.s.) ka thënë kështu: “Tre janë mesxhidet që duhen vizituar pavarësisht largësisë së madhe: Mesxhidi Haram, Mesxhidi Aksá dhe mesxhidi im.”316 Sepse Mesxhidi Nebeuí është ndërtuar nga mësuesi i njerëzimit, Muhamedi Famëlartë (s.a.s.). Bashkë me sahabët si Bilali dhe Amari, edhe Ai pati përzier llaçin me duar, pati mbajtur mbi shpinë qerpiçë, pati thyer gurë me qysqi... Dhe, në këtë mënyrë, qe bërë e mundur hedhja mbi hair e themeleve të këtij mesxhidi. Kjo është arsyeja pse një rekat namaz i falur në atë vend konsiderohet sa qindra rekate namaz të falura në vende të tjera.

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame