Saturday 07-03-2026
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

“Çdo ditë nis me Kuranin” – historia e Xhevat Çaushit, 62-vjeçarit që ia kushtoi jetën librave

admin
  • Krijuar : 17-09-25
  • / 7871 Lexime

Ky është Xhevat Çaushi, 62 vjeç. Ka filluar të shesë libra që në vitin 1997, te zona e 9-katësheve në Tiranë. Çdo ditë e nis me librin e Kur’anit, për të kërkuar mbarësi.

“Filloj me Kuranin, bëj lutjet e mia për mbarësi, dhe kjo është e trashëguar edhe nga të parët e mi — që puna duhet të fillojë me ‘bismilah’. Ky është libri i parë që marr në dorë dhe pastaj filloj sistemimin e librave”, thotë ai.
Ai ka lënë Tepelenën për të ardhur në Tiranë dhe tregon se ka pasur ëndërr të kishte një bibliotekë dhe të shkollonte fëmijët.

“Kam ardhur këtu që nga viti 1997. Që në rininë time kisha dy ëndrra të lëna përgjysmë: arsimin e fëmijëve dhe një bibliotekë. Mora gruan dhe fëmijën dhe erdha në Tiranë. Kam ardhur nga Tepelena. Jam krenar që merrem me këtë punë, sepse më realizoi ëndrrat e mia”, tregon 62-vjeçari.

Xhevati tregon se janë vajzat ato që lexojnë më shumë, ndërsa klientët e tij janë edhe mbi 90 vjeç.

“Interesi për librat ka filluar të shtohet disi, kryesisht gocat janë më të interesuara. Moshat që vijnë për të blerë janë nga më të ndryshmet. Kam dy-tre klientë që janë të moshuara, që me shkop më thonë: ‘Ma jep atë libër’. Janë të moshuara, por mendjen e kanë të freskët — mbi 90 vjeç. Po vijnë edhe fëmijët e vegjël. Femrat blejnë më shumë libra, lexojnë më shumë, janë më me këmbë në tokë dhe më me mend në kokë”, tregon ai.

Ai ndan me ne disa nga librat që nxjerr çdo ditë për të shitur, por flet edhe për rastet kur i kanë vjedhur libra në rrugë.

“Kam romane të vjetër të kohës së Enverit, libra shkollorë (tregon disa nga titujt e librave). Më ka ndodhur që më kanë vjedhur libra. Nuk i marrin për të lexuar, por për t’i shitur diku tjetër. Më ka ardhur më shumë rëndë mua sesa atij që e ka vjedhur”, shprehet ai.

Për të, kjo është një punë që mban familjen dhe i siguron disa të ardhura.

“Kjo është pasion, është dashuri. Me këtë punë mbaj familjen. Ka raste kur nuk fitoj asnjë lek, sepse bie shi… por ka edhe ditë që shkoj deri në 10, 20 apo 30 mijë lekë. Do ta vazhdoj këtë punë dhe do ta bëj sa të kem mundësi. Nuk kam një statistikë të saktë për sa libra kam lexuar, por kam qejf librat historikë”, tregon 62-vjeçari.

Xhevat Çaushi na jep një mësim, që librat duhet t’i duam dhe t’i lexojmë.

“Para se të vendosja këtë tabelë, kalonin këtu dhe i merrnin zvarrë librat. Prandaj vendosa këtë tabelë. Ata që s’lexojnë, nuk ndalojnë fare, madje nuk hedhin as sytë këtej. Jemi popull që lexojmë, por jemi pakicë”, thotë ai./euronews.al

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2025 All rights reserved - Bota Islame