Edhe pse skllavëria është e ndaluar në të gjithë botën, "skllavëria moderne" me formatin e saj të ri vazhdon të jetë një nga problemet më të rëndësishme të njerëzimit. Në botë ka më shumë se 40 milionë skllevër modernë, ku shumica janë gra dhe vajza, shkruan Anadolu Agency (AA).
Pavarësisht se skllavëria është e ndaluar pothuajse në çdo vend sot, "skllavëria moderne" ende nuk ka hyrë në legjislacionin e vendeve si një term ligjor. Prandaj, skllavëria me formatin e saj të ri vazhdon të jetë një nga problemet më të rëndësishme të njerëzimit.
Skllavëria moderne shihet më shpesh në rajonet me të ardhura të ulëta dhe ku ka konflikte intensive, por edhe në vendet e zhvilluara ekonomikisht numri i skllevërve modernë është gjithashtu shqetësues.
- Skllavëria moderne
Termi skllavëri moderne përdoret për të përshkruar rrethanat të tilla si kërcënimet, dhuna, detyrimi, mashtrimi, shpërdorimi i pushtetit, ndaj të cilave njerëzit nuk mund t’i kundërvihen situatës në të cilën ato abuzohen dhe kushteve ku ato nuk mund të braktisin gjendjen e tyre aktuale.
Në ditët e sotme, skllavëria moderne, është e përhapur veçanërisht në sektorë të tillë si fasonet tekstile, minierat, bujqësia dhe peshkimi, e në shumë fusha të tjera.
Atë është e mundur ta vërejmë në sektorin e peshkimit në Tajlandë, minierat e qymyrit në Korenë e Veriut, në prodhimin e kakaos në Bregun e Fildishtë, kullotat e gjedhëve në Brazil, ku po ashtu edhe shembuj të tjerë të skllavërisë moderne janë edhe në shtëpitë e disa diplomatëve në Australi dhe në sektorin e larjes së makinave në Britani të Madhe.
- Në mbarë botën ka më shumë se 40 milionë "skllevër modernë"
Sipas raportit të Tregut Global të Skllavërisë 2018 i përgatitur nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin e Fondacionit Ec i Lirë (Walk Free Foundation), theksohet se në mbarë botën ka më shumë se 40 milionë "skllevër modernë". Nga të cilët 71 për qind e viktimave të skllavërisë moderne e përbëjnë gratë dhe fëmijët femra, dhe 29 për qind janë meshkujt. Ndërsa 15.4 milionë e skllevërve modernë e përbëjnë ata që janë të detyruar të martohen dhe 24.9 milionë janë ata që punojnë të detyruar.
Në botë 5 nga çdo 1 mijë njerëz janë viktima të skllavërisë moderne. Rajonet ku skllavëria moderne është më intensive ndryshojnë në kategori të ndryshme si "puna me detyrim" dhe "martesa e detyruar".
Duke marrë parasysh të gjitha të dhënat mbi skllavërinë, 7.6 për qind për 1 mijë njerëz janë në Afrikë, 6.1 për qind në Azi-Paqësor dhe 3.9 për qind në Evropë dhe Azinë e Mesme janë skllevër modernë. Po ashtu këto ndiqen nga vendet arabe ku 3.3 për qind nga çdo 1 mijë njerëz janë skllevër modernë dhe 1.9 nga çdo 1 mijë njerëz në Amerikën Veriore dhe Jugore janë skllevër modernë.
- Azi-Paqësor
Azi-Paqësori, që është rajoni i vendeve më të varfëra në botë, gjithashtu është rajoni ku skllavëria moderne është më e përhapur. Afërsisht 25 milionë njerëz, rreth 62 për qind e skllevërve modernë në mbarë botën jetojnë në Azi Paqësor.
Rreth 66 për qind e skllevërve në këtë rajon detyrohen të punojnë dhe 34 për qind martohen me detyrim. Teksa skllavëria moderne në rajon vërehet kryesisht në Korenë e Veriut, Afganistan dhe Pakistan, theksohet se numri i skllevërve modernë është kryesisht më i lartë në vendet me popullsi të madhe si India, Kina dhe Pakistani.
- Afrika
Në Afrikë parashikohet se ka 9 milionë e 240 mijë skllevër modernë. Kjo shifër korrespondon me 23 për qind të numrit të përgjithshëm të skllevërve modernë në mbarë botën.
Këtu, 37 për qind e skllevërve modernë janë të detyruar të punojnë, 67 për qind janë të detyruar të martohen, ndërsa 400 mijë njerëz në kontinent janë viktima të shfrytëzimit seksual.
Skllavëria moderne në Afrikë është më e përhapur në Eritrea, Burundi dhe Republikën e Afrikës Qendrore.
- Amerika
Ndërkohë parashikohet se ka rreth 2 milionë skllevër modernë në Amerikën Veriore dhe Jugore. Kjo do të thotë 5 për qind e skllavërisë në mbarë botën.
Në Amerikë 66 për qind e skllevërve modernë janë të punësuar me detyrim, ndërsa 34 për qind martohen me detyrim. Në këtë kontinent skllavëria moderne vërehet më së shumti në Venezuelë, Haiti dhe Republikën Dominikane, ndërsa numri më i madh i skllevërve modernë është kryesisht në vendet e zhvilluara dhe në zhvillim si SHBA, Brazili dhe Meksika.
- Evropa dhe Azia e Mesme
Numri i skllevërve modernë në Evropë, vendet më të zhvilluara në botë dhe Azinë e Mesme, është rreth 3.5 milionë. Kjo do të thotë se 9 për qind e skllevërve modernë në mbarë botën jetojnë në këto rajone.
Në këto rajone, martesa e detyruar është në një normë shumë të ulët me vetëm 9 për qind, ndërsa 91 për qind e skllevërve modernë janë të punësuar me detyrim dhe në kushte të këqija.
Evropa dhe Azia e Mesme gjithashtu kanë 14 për qind të rasteve të shfrytëzimit seksual në të gjithë botën.
Në Evropë dhe Azinë Qendrore, vendet si Maqedonia, Bjellorusia dhe Turkmenistani kryesojnë si vende ku skllavëria moderne vërehet në norma të larta.
- Vendet Arabe
Në Gadishullin Arabik ndodhen 529 mijë skllevër modernë që në botë përkon me normën 1 për qind. Në Gadishullin Arabik me gjithsej 11 vende arabe që nga Omani, Siria e deri tek Jordania e Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE), 67 për qind e këtyre skllevërve janë të detyruar të punojnë, ndërsa 33 për qind janë të detyruar të kryejnë martesat që nuk i dëshirojnë.
Për shkak të mungesës së të dhënave në shoqëritë arabe, të cilat përbëjnë vetëm 2 për qind të popullsisë globale, realiteti i këtyre raporteve nuk është i qartë.
Nga ana tjetër, skllevër modernë ka më shumë në Siri, Irak dhe Jemen që janë zona ku konfliktet janë më intensive. Këta skllevër përbëjnë 76 për qind të të gjithë skllevërve modernë në Gadishullin Arabik.
Më 2 dhjetor 1949, Kombet e Bashkuara (OKB) miratuan një ligj për të shkatërruar format moderne të skllavërisë, të tilla si trafikimi i qenieve njerëzore, shfrytëzimi seksual, punësimi i fëmijëve dhe martesa e detyruar. Për këtë arsye, 2 dhjetori në të gjithë botën festohet si "Dita Ndërkombëtare e Heqjes së Skllavërisë" / aa