Thursday 21-11-2024
Imsaku
L. Diellit
Yleja
Ikindia
Akshami
Jacia

Fatime Zehra: Sekretet e modelit të vajzës, gruas dhe nënës myslimane

admin
  • Krijuar : 13-07-24
  • / 357 Lexime

Fatimja, Zoti qoftë i kënaqur prej saj, erdhi në jetë nga dy prindër të mrekullueshëm, Profeti Muhamed (a.s.) dhe gruaja e tij Hz. Hatixhe (r.anha). Rritja dhe prania e Fatimes pranë babait profet dhe zonjës së madhe Hatixhe, bënë që vajza e tyre të arrijë një shkallë të lartë në besim, dituri dhe përkushtim. Prindërit e saj punuan shumë për edukimin e Fatimes që ta stolisnin atë me virtyte të bukura. Ajo u edukua me cilësi të larta profetike të babait të saj, ku dalluan dashuria, respekti, humanizmi dhe bindja e thellë te Krijuesi i gjithësisë. Ndërkohë që nëna përpiqej të ndriçonte mendjen e saj me dituri dhe hijeshi në sjellje, babai i saj i mësonte citime kuranore që kishin të bënin me besimin te Zoti, me sjelljen dhe ligjet e zhvillimit të shoqërisë. Me kalimin e kohës, te Fatimja filluan të shfaqeshin frytet e para të sinqeritetit, durimit, çiltërsisë, optimizmit, frymëzimit dhe gëzimit që u dhuronte njerëzve.

 

Fatimja ishte një vajzë e zgjuar, e këndshme dhe gazmore. Bota e saj e pasur me emocione, e bënte atë shumë të ndjeshme përballë ngjarjeve të hidhura, sidomos kur këto ngjarje kishin të bënin me babin e saj. Ajo tmerrohej kur dëgjonte lajme që do të vrisnin profetin apo kur merrte vesh për njerëz të pafajshëm që ishin marrë peng, torturoheshin apo vriteshin për shkak se kishin pranuar fenë islame. Gjatë fazave të jetës, ajo u përball me frikën, tiraninë, humbjet, varfërinë dhe dhimbjet që Zoti i Lartësuar kishte përcaktuar në kaderin e saj. Me këto përjetime e vuajtje, te shpirti i saj u zgjua forca e vetëmohimit, sakrificës, ndershmërisë dhe e rezistencës në përballimin e vështirësive të ndryshme. Fatimja asnjëherë nuk u ankua për vuajtjet e mundimet që përjetonte, por përpiqej të ishte e gëzuar dhe të jepte shpresë. Ajo e shihte se si mbrojtësit e familjes së profetit kishin dhënë prova të guximit dhe sakrificës së tyre për dashurinë dhe mirësinë ndaj profetit të Zotit, Muhamedin (a.s.)

Me gjithë sprovat e ndryshme, Profeti ynë i nderuar e qetësonte gjithmonë Fatimen dhe e bënte të qeshte e të gëzohej. Kjo u vu re madje edhe në momentet e fundit të jetës së profetit tonë, kur ai i tha diçka asaj dhe ajo në fillim qau, por kur pastaj i tha diçka tjetër, ajo u gëzua dhe qeshi. Ajo qau në fillim kur mori vesh nga profeti që do të ikë nga kjo botë, dhe u gëzua kur ai i tha se do të ishte ajo e para që do ta takonte në botën tjetër. Profeti (a.s.) për të ka thënë: “Pa dyshim që vajza ime, Fatimja është zonja e të gjitha grave. Ajo është pjesë e imja dhe drita e syve të mi. Ajo është lulja e zemrës sime dhe e shpirtit tim”. Profeti ynë i nderuar e martoi vajzën me mashkullin e parë që pranoi islamin, nipin e tij hz. Aliun (r.a.). Kështu që Fatimja ishte më se e kënaqur dhe e gëzuar, sepse rrethohej nga meshkujt më të mirë të botës, me babin e saj të përkryer profetin Muhamed (a.s.) dhe burrin e saj të lartësuar në virtyte, hz. Aliun, Zoti qoftë i kënaqur prej tij.

Si grua dhe bashkëshorte, Fatimja mbajti barrën dhe përgjegjësinë e ndërtimit të një jete të qetë e të lumtur. Allahu i Madhërishëm ia shpërbleu duke i dhuruar dy djem të përkushtuar dhe të devotshëm, Hasanin dhe Hysejnin, si dhe dy vajza të mrekullueshme Zejnebin dhe Ummu Kulthum, të cilët patën fatin të edukoheshin edhe nën prehrin e ngrohtë të gjyshit të tyre, Profetit Muhamed (a.s.). Fatime  Zehra i dhuroi familjes së vet dashuri, butësi, mirësi dhe harmoni. Ajo ishte një nënë e dashur, e dhembshur dhe fisnike, e cila i rriti me një bujari shpirtërore fëmijët e saj, duke dhënë një përkujdesje totale për një edukim të mirëfilltë të tyre. Familja e saj edhe pse ishte e thjeshtë dhe e varfër, aty gjendej, besimi, dashuria, morali i lartë, respekti, dhembshuria, solidariteti dhe humanizmi. Me qëndrimin, sjelljen dhe peshën e fjalës, në çdo rast, Fatimja përcolli respektin tek të gjithë ata që e rrethonin. Fatime Zehra (Zoti qoftë i kënaqur prej saj) është modeli i plotë i femrës myslimane. Nga sjellja e saj duhet të frymëzohen sidomos gratë, sepse rreth saj ishin të kristalizuara të gjitha llojet e sakrificës, mirësisë, adhurimit, durimit dhe spiritualitetit të lartë./ bota-islame.com

Share News


Lajme të Ngjashme:
© 2024 All rights reserved - Bota Islame